• |
ide | kryesore

Lojtarët gati të paguanin vetë, Chelsea merr aprovimin: qeveria angleze autorizon shpenzimet e transfertave

-Instant, Sport



Në shtëpinë e Chelsea atmosfera është e tensionuar dhe momenti është i komplikuar. Jo aq për paraqitjen e skuadrës, e cila sapo ka siguruar kalimin për çerekfinalet e Champions League, por për atë që po ndodh në nivel shoqërie. Për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj klubit të Abramovich nga qeveria angleze, në lidhje me luftën në Ukrainë, Blues janë në fakt në vështirësi në menaxhimin e shpenzimeve të administrimit normal, në shitjen e biletave të ndeshjes dhe në organizimin e transfertave.

Për të përballuar situatën, e cila është gjithnjë e më e pasigurt dhe e vështirë për t’u menaxhuar, lojtarët e londinezëve kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të paguar personalisht çdo udhëtim. Një qëndrim i fortë dhe i qartë për të riafirmuar lidhjen me fanellën e ekipit, por jo i nevojshëm menjëherë. Chelsea në fakt është autorizuar nga autoritetet angleze të marrë avionin për të fluturuar në Middlesbrough për të luajtur çerekfinalet e FA Cup. Një dritë jeshile që mbërriti pasi qeveria hoqi tavanin prej 20mijë stërlinash për shpenzimet që duheshin për transfertat.

Ndërkohë në katet e sipërme të klubit ka lajme për shitjen në drejtimin e Nick Candy, një prej manjatëve më të interesuar për të blerë Chelsea. Në fakt, përkrah tij është rreshtuar edhe Gianluca Vialli. “Jam krenar dhe ndihem shumë i privilegjuar që mbështes ofertën e Candy për të blerë Chelsean – deklaroi kreu aktual i delegacionit të kombëtares italiane, veçanërisht i interesuar për projektin, duke dalë hapur -. Nëse oferta është e duhura, do të përpiqemi të jemi mbrojtësit më të mirë të mundshëm të klubit”. Ofertë, që duhet të jetë rreth 2.5 miliardë stërlina. “Jam takuar me Nick Candy në disa raste gjatë javëve të fundit dhe jam plotësisht dakord me vizionet dhe angazhimin e tij për ta bërë Chelsean klubin më të njohur dhe më të mbështetur globalisht, si dhe për të ruajtur suksesin e vazhdueshëm në fushë”, shpjegoi Vialli.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *