• |
ide | kryesore

Analiza/ Në 20 vjet vetëm 6 ndeshje të luajtura në Botëror: kriza e Italisë ka nisur nga shumë larg

-Instant, Sport



Cannavaro ngriti kupën në Berlin dhe e gjithë Italia këndonte në festë. Që nga ai moment filloi kolapsi botëror i futbollit italian: jashtë në raundin e parë në 2010 si kampionë në fuqi, i njëjti fat 4 vjet më vonë dhe, si kulm i fatkeqësisë, dy përjashtime të bujshme radhazi nga edicionet 2018 dhe 2022. Duke qenë se, ashtu si është logjike me Botërorin me 48 skuadra, kombëtarja italiane do të kualifikohet në 2026, në 20 vjet ekzakt ajo do të ketë luajtur vetëm 6 ndeshje në një fazë finale të botërorit, duke humbur 3 (kundër Sllovakisë, Kosta Rikës dhe Uruguait), barazuar 2 (Paraguaj dhe Zelanda e Re) dhe duke fituar vetëm një (ndaj Anglisë).

Bilanci si i një vendi të Amerikës Qendrore që gëzohet me festë në rrugë sa herë arrin të marrë një kualifikim në botëror, aspak i denjë për një komb që mburret me 4 tituj botërorë. Ka mjaft elementë për të menduar për përmirësimin e situatës, për të ndryshuar organizimin e futbollit italian nga themeli. Pas Botërorit të turpshëm të Afrikës së Jugut, në vitin 2010, FIGC vendosi për një ndryshim rrënjësor në strukturën e akademive. Ky ishte komunikimi i asaj kohe: “Roberto Baggio është presidenti i ri i Sektorit Teknik të Coverciano, Gianni Rivera president i Sektorit Rinor-Shkollor dhe Arrigo Sacchi koordinator i ekipeve kombëtare të të rinjve. Me këto emërime mori formë projekti i presidentit të Figc, Abete, mbi zhvillimin e futbollit të moshave. Një temë që presidenti federal e ka propozuar prej kohësh në vëmendjen e profesionistëve dhe që shënon një faqe të rëndësishme për futbollin italian”. Të gjithë protagonistët, kush më parë e kush më pas, përshëndetën, falënderuan dhe iu përkushtuan diçkaje tjetër, pasi e kuptuan se sa e ndërlikuar ishte të revolucionarizosh mentalitetin e futbollit italian.

Trajneri i Under 21, Paolo Nicolato, ka ngritur alarmin ditët e fundit duke u ankuar se lojtarët e përzgjedhjeve të tij nuk gjejnë hapësirë në klubet e tyre. E njëjta gjë ndodh edhe me kombëtaret e tjera të të rinjve. Skuadrat italiane preferojnë të përqendrohen te lojtarët e huaj me një kosto të reduktuar, në vend që të rritin elementë të prodhuar në shtëpi. Padyshim që atëherë preken ekipet kombëtare, edhe pse problemi është më kompleks, duke pasur parasysh figurat e shëmtuara të futbollit italian edhe në nivel klubesh në Europë. Në 12 vjet, Italia ka fituar vetëm një Champions League dhe ka arritur në 4 finale (përfshirë Interin në Europa League). Problemi është i thellë dhe i vështirë për t’u zgjidhur. Përpjekja për t’i dhënë kombëtareve një plan të përbashkët pune ishte një rrugë inteligjente që çoi edhe në një rezultat të shkëlqyer siç ishte fitorja e Kampionatit Evropian. Por duket qartë që nuk mjafton dhe padyshim që nuk është më një diskutim për vizionet e ndryshme të futbollit, nëse edhe një lojë si ajo e Mancinit, e përbërë nga presingu, zotërimi i topit dhe futboll kolektiv, gjeti Waterloo-në e saj (ose Korenë nëse preferoni kështu). Tani gjithçka që mbetet është të pritet për një revolucion të ri të përbërë nga fjalë dhe ndryshime në rolet kryesore. Gjithçka ndryshon sepse asgjë nuk ndryshon. E vetmja siguri reale e këtij vendi – konsiderojnë në analizën e bërë për Italinë nga Sport mediaset.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *