• |
ide | kryesore

“Me mua Enrique ka humbur dy herë”: Reja i kujton humbjet në derbi trajnerit të Spanjës

-Instant, Sport



Një ndeshje futbolli ka gjithnjë brenda edhe psikologjinë, përgatitjen, provokimin dhe natyrisht batutën. Në këtë këndvështrim trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, ka dashur të ngacmojë homologun e tij Luis Enrique, përpara ndeshjes miqësore që Shqipëria do të luajë në mbrëmje në orën 19:45 në Barcelonë ndaj Spanjës: “Unë e kam njohur Enrique që nga koha kur ishim në Romë që të dy, ai te Roma dhe unë te Lazio. Ai ishte pak më i ri dhe unë disi më ekspert. Mua më ka shkuar mirë sepse kam fituar dy herë derbin, atij disi më keq sepse humbi. Por ndërkohë e kam thënë dhe i kam uruar që të bënte një karrierë të madhe e kështu ndodhi. Kjo sepse përpara se të vinte në Romë kishte stërvitur Barcelonën B, ishte i ri akoma, ndërkohë që më mbrapa u bë një trajner i madh, por mbi të gjitha një njeri i madh që meriton vlerësimin tim të madh”.

Mund të jetë një miqësore, por rezultati është po kaq i rëndësishëm sa edhe mënyra e interpretimit të lojës dhe tekniku italian nuk e fsheh: “Nesër vlen loja apo rezultati? Si loja ashtu edhe rezultati. Nuk mund të ndahen dot. Dua që të dal nesër nga ky stadium me një paraqitje shumë të mirë. Të mos përsërisim më paraqitje si ajo me Anglinë dhe Francën më parë. Do të më pëlqente të jemi kompetitiv përtej rezultatit që ka një rëndësi relative sepse është një ndeshje miqësore – tha teknikut që ka mbyllur edhe debatin përse është pranuar një miqësore kaq e vështirë që stë jep dorë për eksperimente -. Unë në fakt Federatës i kisha kërkuar dy miqësore të rëndësishme ku mund të bëjmë vlerësime. Këto janë teste për të parë këtë rritje. Djemtë nuk do ta tërheqin këmbën mbrapa sepse duan të bëjnë mirë. Janë ndeshje këto si me Spanjën ku edhe mua do të më pëlqente të luaja ndeshje të këtij niveli”. “Fizikisht duhet të jemi në maksimum sepse për të konkuruar Spanjën teknike duhet të vraposh dhe ne në grupin tonë kemi lojtarë që kanë këto cilësi dhe e kanë treguar. Kanë rezistencë të madhe një karakter të shkëlqyer. Nuk jemi një skuadër që dorëzohet kollaj”.

Në fund, Reja e mbylli edhe me një paralajmërim për ata që e shohin veten në një nivel teknik më të mirë se të tjerët: “Kush do të zbresë në fushën e lojës do më japë maksimumin. Unë bëj gjithmonë diskutimin në nivel kolektiv dhe asnjëherë aspektin individual. Nuk duhet të fokusohemi te aspekti individual. Unë dua të luajmë me skuadra të rëndësishme, të forta, me cilësi për të parë sase jemi rritur. Do të më pëlqente të luanim ndaj Maqedonisë së Veriut për të parë sesa kompetitiv jemi ne përballë tyre, që të na ndihmojë për tu rritur”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *