• |
ide | kryesore

Skuka tradhëton Partizanin në Shkodër: Vllaznia në finale të Kupës pas penalltive

-Instant, F1, Sport, Video



Në finale shkon Vllaznia dhe tani rruga Europiane e Partizanit komplikohet. Në gjysëmfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë, shkodranët kanë marrë më të mirën pas 120 minutave lojë dhe goditjeve të penalltive (5-4), në të cilën kanë shënuar të gjithë, përvec Skukës. Njeriu i momentit i Partizanit, tradhëtoi teknikun Mehmeti duke gabuar nga pika e bardhë, e duke i dorëzuar finalen Vllaznisë, që prezantohet në takimin e rëndësishëm për të dytin vit radhazi.

Barazimi 0-0 në ndeshjen e parë e kishte bërë edhe më emocionues kthimin, në të cilin Partizani vuri menjëherë presionin tek kundërshtari, me golin blitz të Malës. Kështu, në minutën e 3 Partizani e pa veten në avantazh me mesfushorin që shndërroi në golin asistin e Skukës. Vllaznia mund të kapitullonte në fillimin e vrullshëm të kryeqytetasve, por Skuka nuk e fundosi goditjen. Zogovic mbajti në lojë skuadrën e Plorit në pjesën e parë duke ndalur edhe Malën, ndërsa të kuqtë u ndëshkuan në rastin e parë të vërtetë të shkodranëve. Aralica shënoi në minutën e 27, edhe falë një devijimi, duke i ndryshuar rrjedhën ndeshjes. Hakaj, Jonuzi e të tjerët vunë nën presion kundërshtarin, me Hoxhën që u impenjua seriozisht për të mbajtur ekuilibrin në fuqi.

Një pjesë e dytë në pritje, ku askush nuk guxon sa duhet, ndërsa në minutën e parë shtesë një episod që mund të kishte bërë të flitej gjatë, nëse në fund shkodranët nuk do të kishin arritur finalen. Bitri ndërhyri ndaj Latifit, por arbitri e VAR nuk e gjykuan penallti, pavarësisht protestave të kuqebluve që iu shfaqën fantazmat e ndeshjes së parë, kur në fund të ndeshjes iu anullua goli.

Shtesat nuk sollën asgjë të re, ndaj për të gjetur fituesin u deshën penalltitë. Në fund ishte Vllaznia më e saktë nga pika e bardhë, duke shënuar të 5 tentativat e saj, ndërsa për Partizanin gaboi të parën Skuka duke parë ekipin të dilte nga Kupa, teksa filloi festa shkodrane për këtë arritje, që i bën të jenë më pranë Europës e një trofeu që mund të shpërojë sezonin, edhe pse përballë Lacit në finale nuk është aspak e lehtë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *