• |
ide | kryesore

Nutricionisti e kërkesa e Mane e aprovuar: ja si Liverpool ndihmon lojtarët myslimanë gjatë Ramazanit

-Instant, Sport



Sadio Mané ishte ndër protagonistët e ndeshjes së Champions League kundër Villarreal në Anfield, duke shënuar golin e 2-0. Senegalezi është një nga katër lojtarët mysliman të klubit, me të janë edhe Mohamed Salah, Ibrahima Konaté dhe Naby Keita. E shumë e kanë pyetur veten se si ia dolën këta sportistë dhe si arrijnë të ruajnë të njëjtat ritme si gjithmonë edhe gjatë Ramazanit, duke agjëruar nga agimi deri në muzg.

Muaji i agjërimit këtë vit ka filluar në mbrëmjen e 1 prillit dhe do të përfundojë në natën e 1 majit. Duke pasur parasysh se lindja e diellit në Liverpool është para orës 6 të mëngjesit dhe perëndimi i diellit rreth orës 20:30, 4 lojtarët e Reds nuk kanë mundur ta prishin agjërimin deri në përfundimin e pjesës së parë. Pavarësisht kësaj, ata ishin në formë të shkëlqyer.

Si ia dolën? E thjeshtë, Liverpool është munduar të ndihmojë sportistët e tyre sa më shumë që të ishte e mundur. Duke folur për beIN SPORTS përpara ndeshjes me Villarreal, Mané shpjegoi se çfarë bëri klubi për lojtarët myslimanë gjatë periudhës së Ramazanit. Senegalezi ka treguar se kapiteni i Reds, Jordan Henderson, ka folur me Jurgen Klopp në emër të bashkëlojtarëve të besimit islam dhe së bashku kanë gjetur një zgjidhje.

Trajneri pranoi t’i zhvendoste seancat stërvitore nga pasditja në mëngjes: “Nuk është e lehtë. Të luash, të stërvitesh dhe të mbash Ramazanin nuk është aspak e lehtë. Por para Ramazanit u përpoqëm të bisedonim me kapitenin për t’i treguar trajnerit nëse ishte e mundur të ndryshonte programin dhe të stërviteshim në mëngjes. Është më e lehtë për ne. Nëse stërvitesh në mëngjes, ke kohë për të pushuar dhe për të shkuar në shtëpi. Nëse stërvitesh rreth orës dy ose tre, është vërtetë e vështirë. Trajneri tha po dhe mendoj se kjo i ka bërë gjërat më të lehta dhe ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën”.

NDIHMA E NUTRICIONISTIT TË KLUBIT
Mané vazhdoi duke shpjeguar se sa i dobishëm është nutricionisti i klubit gjatë Ramazanit: “Për t’i bërë gjërat më të lehta për ne, ne flasim me dietologun tonë veçanërisht para ndeshjes, ai na ndihmon që të kemi mundësinë të bëjmë Ramazanin tonë”.

Të katër lojtarët myslimanë morën pjesë në ndeshjen kundër Villarreal, të vlefshme për gjysmëfinalet e Champions League. Salah dhe Konaté luajtën të gjithë ndeshjen, ndërsa Mané u zëvendësua në minutën e 73. Keita bëri një paraqitje 20-minutëshe, në pjesën e dytë, pasi zëvendësoi Henderson.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *