• |
ide | kryesore

Tirana leksion fair play, Dinamo i jep lamtumirën Superiores: për Europën futet në lojë edhe Teuta

-Instant, F1, Sport



Spektakël e fitore në Klasike për Tiranën, që u paragjykua toleruese, porn ë fushë tregoi krejt tjetër gjë. Bardheblutë fituan me shifrat 3-1 klasiken e futbollit shqiptar ndaj Vllaznisë, duke mos ndalur hapin e saj edhe pse ka siguruar titullin kampion, duke rrezikuar Europën për ekipin kuqeblu. Kryeqytetasit treguan që në start se do të respektonin plotësisht këtë ndeshje dhe sulmuan duke kërkuar me ngulm golin, të cilin e gjetën me anë të të zakonshmit Seferi. Barazimi i shkodranëve erdhi falë autogolit të Zhvianajt, por pjesa e parë u mbyll përsëri me bardheblutë përpara, pasi Totre përfitoi nga përgjumja e prapavijës shkodrane për të dërguar përsëri sferën në rrjetë. Në pjesën e dytë, pritej një reagim i Vllaznisë, por në fakt ishte Tirana që rrezikoi e kërcënoi disa herë katërkëndorin kundërshtar, derisa gjeti golin e tretë me Xhixhën pasi kishte goditur më parë shtyllën me anë të Seferit. Të dy skuadrat më pas mbyllën ndeshjen me 10 lojtarë, pasi Zhivanaj dhe Gurishta lanë ekipet e tyre me nga një futbollist më pak, por gjithçka ishte e mbyllur dhe nuk ndryshoi deri në vërshëllimën përfundimtare. Bardheblutë kështu mundën të festonin një tjetër sukses me tifozerinë e tyre, ndërsa shkodranët tani shohin një rrezik serioz për pjesëmarrjen në Europë.

Hebaj vendosi fitoren 0-1 të Teutës në transfertën me Kastriotin. Durrsakët ngjiten kështu në vendin e gjashtë me 46 pikë, tre larg Kukësit e Vllaznisë, ndërsa Kastrioti zyrtarisht qëndron në Superiore, duke përfituar dhe nga humbja e Egnatias ndaj Partizanit. Fitorja e katërt në pesë ndeshjet e fundit për kampionët në fuqi, që po arrijnë ti japin dinjitet sezonit të tyre, pikërisht në fund, kur mendohej krejtësisht zhgënjyes. Rezultati i shtatë pozitiv radhazi për Arapin e të tjerët, që kanë tashmë keqardhjen e zgjimit të vonë, pasi kishin shpenzuar tre faza kampionati në mënyrën më të shëmtuar.

Dinamo nuk i zhgënjen pritshmëritë dhe rrëzohet matematikisht në Kategorinë e Parë, duke përshëndetur Superioren pas vetëm një sezoni, edhe pse kundër Kukësit iluzionoi me avantazhin e Demirit, të përmbysur pastaj nga golat e Lulajt dhe Ndrecës. Longo fiton derbin italian, duke i mbetur pranë Europës, duke i lënë Vanolit rënien matematike dhe ende pa kënaqësinë e fitores së parë. Kukësi arrin kështu të mbahet 3 pikë larg Partizanit të vendit të tretë, duke ndarë vendin me Vllazninë, në përpjekje për tu pozicionuar në zonën europiane të renditjes, dy javë nga fundi. Për Dinamon, kjo humbje vlen rrëzimin matematik dhe sinjalin se gjithcka duhet rinisur nga e para.

Laçi mposhti me përmbysje në Korçë Skënderbeun, me rezultatin 1-2, në sfidën e vlefshme për javën e 34-t të Superiores. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 1-0 në favor të korçarëve të Liçit, që shënuan me Pusin, ndërkohë që kurbinasit arritën të përmbysnin falë golave të Gundos që shënoi me penallti dhe kapitenit Turkaj, që vulosi triumfin. Vlen të theksohet se në këtë duel, si Skënderbeu dhe Laçi, nuk kishin asnjë objektiv për sa i përket pikëve, pasi korçarët janë të rënë nga kategoria ndërkohë që Laçi ka siguruar vendin e dytë.

Partizani arriti një fitore të rëndësishme për Europën përballë Egnatias në transfertë, me këtë të fundit që qëndron zyrtarisht në zonën “playout”. Miqtë arritën këtë fitore me një gol të Rrapajt në fundin e pjesës së parë, që qëlloi vendimtar për këtë ndeshje. Partizani hedh kështu një hap të rëndësishëm për në Europë, duke përfituar dhe nga humbja e Vllaznisë me Tiranën. Ndërsa Egnatia kështu qëndron zyrtarisht në vendin e 8-të të “playout” edhe pas humbjes së Dinamos ndaj Kukësit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *