• |
ide | kryesore

Dosja e SPAK/ Një SMS nxori në pritë vëllezërit Haxhia në Durrës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ekzekutimi i vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia pranverën e vitit 2020 në Durrës. Nga dosja e zbardhur e SPAK pas rrëfimit të Nuredin Dumanit, një prej të akuzuarve për këtë atentat, rezulton se nga këqyrja e telefonit të viktimës Besmir Haxhia është gjetur një mesazh i dërguar nga një numër i paregjistruar që i linte takim tek tregu i makinave në Shënvlash.

“Po të pres te tregu i makinave në Shënevlash,”- shkruhej në mesazh. Për këtë krim janë vënë nën akuzë Nuredin Dumani e Talo Çela. Klevis Alla ishte personi që zbërtheu ngjarjen dhe tregoi edhe armën me të cilën u krye krimi i dyfishtë pas dëshmisë së tij u vu në pranga Altin Ndoci, i cili ka qenë në rolin e ekzekutorit në këtë krim.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, mbi asfalt në afërsi pranë mjetit të viktimave janë administruar një sasi prej 55 gëzhoja arme zjarri model 56, kalibër 7.62 mm, 3 (tre) bërthamë plumbi, sekuestruar katër aparate telefonik celular në përdorim të viktimave.

Nga këqyrja e mëtejshme, mjeti i viktimave ka rezultuar me dëmtime të shumta në pjesë të xhamit të përparme dhe xhamave anësore të makinës, në pjesë kofanos dhe të dyerve dhe të gjithë këto dëmtime kanë qenë në formë vrimash tejshpuese karakteristikë e dëmtimeve të shkaktuara me armë zjarri. Të gjitha dëmtimet janë me drejtim hyrja nga jashtë – brenda mjetit.

Në këqyrjen e kufomave të vëllezërve Haxhia, ka rezultuar se në trupin tyre konstatohen dëmtime të shumta trupore te shkaktuar me armë zjarri, në pjesë të trupit dhe kokës. Më konkretisht te viktima Besmir Haxhia janë konstatuar 20 dëmtime në pjesë të gjoksit, të qafës dhe kokës si dhe gjendur në trup një predhë arme zjarri, dy këmisha predhe si dhe një bërthamë predhe arme zjarri.

Te viktima Viktor Haxhia janë konstatuar 18 dëmtime të shumta në pjesë të gjoksit, të qafës dhe të kokës, ku janë gjendur dy predha arme zjarri, tre pjesë këmishe predhe dhe tre bërthama predhe arme zjarri.

Si pasojë e plagëve të shumta viktimat kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Kufoma e Besmir Haxhisë është fiksuar në sendilje te shoferit kurse kufoma e Viktor Haxhisë në sediljen e parë.

Nga këqyrja e telefonit të viktimës Besmir Haxhia është gjendur SMS e një të panjohuri dhe të paregjistruar si emër i cili i thoshte “po të pres te tregu i makinave në Shënevlash”.

Ky numër ka rezultuar i loguar disa ditë me parë se të ndodhte ngjarja. Nga ekzaminimet e kryera, është konkluduar se ky numër ka qenë në përdorim nga Klevis Alla. Në këto kushte, është bërë shoqërimi i këtij shtetasi në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe është pyetur rreth përdorimit të këtij numri, vendndodhjes se tij ditën e ngjarjes, rreth dijenisë së tij në lidhje me ngjarjen dhe në drejtim të rrethit të tij shoqëror.

Gjatë pyetjes Klevis Alla, ka pranuar të tregojë dhe të dëshmojë rreth ngjarjes, duke deklaruar se në këtë ngjarje janë të përfshirë edhe Altin Ndoci, Nuredin Dumani dhe Talo Çela” – thuhet në dosjen e SPAK. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *