• |
ide | kryesore

Dumani nxjerr edhe 100 emra të tjerë, pritet një tjetër valë arrestimesh

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Një valë e dytë arrestimesh, pritet të pasojë operacionin “Plumbi i Artë”, që po zhvillohet prej 1 jave nga prokuroria e posaçme SPAK dhe Policia e Shtetit sipas një lajmi të Ora News.

Dhjetëra kontrolle banesash, magazina, servise dhe disa vendgjarje, janë verifikuar nga oficerët e policisë, të cilët kanë pasur si mbështetje në teren oficerë të BKH-së dhe prokurorët e SPAK.


Nuredin Dumani, dhe miku i tij, Henrik Hoxhaj, deri në këtë fazë të hetimeve konsiderohen nga SPAK si njerëzit më të rëndësishëm që kanë bashkëpunuar me prokurorinë, duke treguar pjesëmarjen në disa vrasje dhe tantativa vrasjesh të dështuara.

Burime pranë SPAK, thanë se Dumani në dëshminë e tij, ka nxjerrë rreth 100 emra të personave të botës së krimit në Shqipëri, që veprojnë në disa qytete.

Një pjesë e këtyre emrave, janë arrestuar dhe shpallur në kërkim me vendim gjykate, ndërsa për pjesën tjetër thanë burimet, vijohet të hetohet në çdo moment.

Ndërkohë SPAK, është duke përgatitur terrenin për një valë të dytë arrestimesh, në zonën e Fushë-Krujës, Fierit dhe Vlorës, vende këto ku besohet se Nuredin Dumani dhe grupi i miqve të tij, kanë kryer vrasje me pagesë për llogari të personave të tjerë që kanë influencë të madhe kriminale në këto zona.

Sipas SPAK, Hoxhaj dhe Dumani, kanë vepruar si grup kriminal në disa ngjarje të rënda, ku dyshohet se kryenin vrasje me pagesë në disa qytete.

Shumë nga vrasjet, janë dëshmuar para prokurorëve, ku rëfimet e tyre jo vetëm janë mbajtur shënim, por edhe janë filmuar e rregjistruar në cilësinë e provës materiale.

Dumani dhe Hoxhaj, mësohet se kanë treguar dhe anëtarët e grupit të Talo Çelës, që vijon të qëndrojë prej disa vitesh në arrati.

Sipas policisë dhe prokurorisë së Elbasanit, Hoxhaj, ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me Nuredin Dumanin, në Kosovë dhe në Shqipëri, ku disa herë Dumani shfaqej si “Broker” në ekzekutimet që kryheshin në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Peqin.

Një javë më parë SPAK dhe Policia e Shtetit, finalizuan operacionin “Plumbi i Artë”, duke lëshuar 32 masa arresti, ku 18 prej tyre u arrestuan ndërsa 14 të tjera janë shpallur në kërkim. /Ora News

3 Comments

  1. Bingoooo !!! Plot 100 emra te tjere ka nxjerre.
    Jo 99 , as 101,, por pil ne koke 100 .
    Kesaj i thone gazetari profesjoniste.
    ahaha.

  2. Më në fund gjërat po lëvizin pak. Duhet me thën shyqyr… Tani nxirrni edhe të tjerët, sidomos ata që janë në krye me kollare. Dumani me shoke jane thjesht ekzekutorët, duhen kokat (dhe lekët e tyre).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.