• |
ide | kryesore

“Ata që kanë beteja personale, i ftoj të mos harxhojnë energji”: pas suksesit të finales, Duka ‘thumbon’ kryebashkiakun

-Instant, F1, Sport



“Askush nuk e mendonte një dekadë më parë që Shqipëria do të arrinte në këto nivele organizimi”. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka organizuar një konferencë për shtyp në ambientet e Shtëpisë së Futollit, për të folur mbi finalen historike të Conference League që u luajt mbrëmjen e djeshme në Arenën Kombëtare. Numri 1 i futbollit shqiptar vlerësoi organizimin perfekt të finales dhe theksoi se kjo ishte një reklamë e jashtëzakonshme për Shqipërinë, jo vetëm në aspektin futbollistik. “Është një moment kënaqësie dhe krenarie për të gjithë ne që dalim para jush në mbyllje dhe me sukses të plotë të një aktiviteti që e bëri Tiranën kryeqytetin sportiv të Evropës për një ditë. Finalja e djeshme, është transmetuar zyrtarisht në 155 vende të botës dhe drejt “Air Albania” stadium janë drejtuar sytë mbi 400 milionë shikuesve nga e gjithë bota”.

Një goditje e fortë pozitive për imazhin e vendit e këtu nuk flitet vetëm për futboll: “Nëse në Shqipëri kanë qenë prezent 510 gazetarë të huaj, nëse ndeshja është transmetuar në 155 vende të botës dhe është ndjekur nga 400 milionë shikues në television dhe gjatë gjithë këtij transmetimi, nuk ka pasur asnjë lajm negativ apo incident dhe të gjithë kanë dalë të mrekulluar nga atmosfera e stadiumit, nga vetë stadiumi që është një projekt fantastik, shumica e tyre e kanë quajtur, siç edhe ne e kemi menduar “xhevahir”, unë nuk mendoj se mund të kishte promocion më të mirë për futbollin shqiptar dhe vendin” tha Duka.

E megjithatë, zhvillimi i finales mund të rikthejë edhe njëherë konfliktet e hapura, që shpesh Duka i ka konsideruar politike. “E kam thënë edhe gjatë asaj kohe, e kam thënë edhe në Asamblenë Zgjedhore të 15 marsit. Asgjë nuk ka ardhur nga ne, asgjë nuk ka ardhur nga drejtimi i Presidentit të Federatës. Ne nuk kemi sulmuar dhe nuk do të sulmojmë askënd. Kërkojmë bashkëpunim me të gjithë, siç kemi bashkëpunuar tani në këtë finale për të pasur një event perfekt. Kërkojmë bashkëpunim dhe ndihmë nga të gjithë për të pasur futboll akoma më të mirë dhë për të siguruar të ardhmen e fëmijëve tanë. Ata që kanë interesa ndryshe, apo interesa kapjesh apo luftëra personale, i ftoj mos të harxhojnë energji me këtë punë, por le t’i kthejnë në energji pozitive për të mirën e futbollit, për të mirën e tyre në fund të fundit – thumboi Duka, duke vazhduar të theksojë se nuk është në garë me politikën – Ne duam ta zhvillojmë vendin dhe pa politika të mira, nuk ka as futboll. Shumë herë, mbase edhe keqinterpretohen qëndrimet e Federatës me qeverinë. Se ç’është Federata? Është një organizatë që merr emrin Federatë me ligj nga qeveria shqiptare dhe pa politikën nuk mund të shkojë kërrkund. Politika duhet të kuptojë kompetencat e veta për të prodhuar politika të atilla që të zhvillojë çdo fushë të jetës sonë dhe një nga fushat është edhe sporti dhe ne këtu sot jemi për futbollin. Bazë ligjore të përshtatshme, infrastruktura të përshtatshme për të zhvilluar lojën dhe jo për të shkuar tek e fundit se si të kapim një institucion për ta përdorur për vete, por si ta bëjmë një institucion të vlefshëm për qytetarët apo për fëmijët”, përfundoi Duka.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *