• |
ide | kryesore

Olta Xhaçka mbrohet me avokat para Këshillit të Mandateve

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka zgjodhi të përfaqësohej me avokat para Këshillit të Mandateve në Kuvend të premten, ku ishte e ftuar të jepte argumentet e saj mbrojtëse ndaj kërkesës së opozitës për heqjen e mandatit parlamentar.

Opozita pretendon se Xhaçka ka shkelur Kushtetutën duke përfituar nga pasuritë publike, pasi bashkëshorti i saj, ish deputeti Artan Gaçi, fitoi statusin “investitor strategjik” dhe të drejtën për përdorimin e bregdetit para hotelit që do të ndërtojë në jug të vendit.

Avokati Genci Çifligu këmbënguli se i gjithë mocioni i PD-së nuk bazohej tek veprimet e deputetes Xhaçka, por të bashkëshortit të saj, që sipas tij e bën kërkesën jo bindëse ligjërisht.

Çifligu përdori togfjalëshin “vetë deputeti” disa herë gjatë interpretimit të ligjeve dhe vendimeve të gjykatave, ndërsa solli si argument mbrojtës faktin se Xhaçka nuk ka përfituar nominalisht nga vendimet e Komitetit të Investimeve Strategjike dhe Këshillit të Ministrave.

Sipas Çifligut, statusi “investitor strategjik” nuk kishte të bënte me përfitim të pasurive publike, ndërsa shtoi se shfrytëzimi i bregdetit nuk është përfituar nga kompania e bashkëshortit të Xhaçkës.

“Nuk është shoqëria, kuotat e së cilës zotërohen nga bashkëshorti i deputetes Olta Xhaçka, ajo të cilës Këshilli i Ministrave me vendimin e tij nr. 137 datë 2.3.2022 i ka njohur të drejtën e përdorimit, por është një subjekt tjetër që ka përfituar të drejtën e përdorimit të bregut të detit në këtë plazh,” tha avokati Çifligu.

“Pra në rastin konkret, veprimtaria fitimprurëse e bashkëshortit të deputetes nuk rezulton të burojë nga pasuritë e shtetit ose e pushtetit vendor,” shtoi ai.

Subjekti tjetër që iu referua Çifligu rezulton të jetë në pronësi të partneres amerikane të vëllait të Xhaçkës, me të cilën Gaçi firmosi një marrëveshje për menaxhimin e investimit strategjik. Në mars, Gaçi i tha BIRN se kishte lidhur kontratë me kompaninë tjetër për të shmangur konfliktin e interesit.

Deputetët e opozitës nuk patën mundësi të bëjnë pyetje për avokatin e Xhaçkës, pasi kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, vendosi të mbyllë mbledhjen direkt pas mbarimit të mbrojtjes. “Nuk është seancë pyetjesh, po ftesë për të dëgjuar,” tha ajo.

Ndërkohë, Këshilli vendosi të fusë në shqyrtim për javën e ardhshme një kërkesë të re për mandatin e Xhaçkës, e firmosur nga 15 deputetë të tjerë të Partisë Demokratike, pjesë e grupimit të Berishës.

Mocioni i ri argumenton se Xhaçka ka shkelur Kushtetutën dhe kuadrin ligjor për “konfliktin e interesit”, duke përfituar nga pasuria publike nëpërmjet veprimeve të bashkëshortit. Në këtë kërkesë i mëshohet faktit se personat e afërt me ministren, bashkëshorti dhe kunata, në tentativë për të shmangur këtë konflikt kanë kryer “kontratave fiktive dhe marrëveshjeve të stimuluara me qëllim mashtrimin dhe anashkalimin e ligjit”.

Mbështetësit e mocionit të parë akuzuan mazhorancën se po zvarrit qëllimisht një vendimmarrje të Kuvendit për të dërguar në Kushtetuese mandatin e Xhaçkës.

Sipas deputetit Gazmend Bardhi, edhe kërkesa e re e kolegëve të tij demokratë “shërben si alibi për PS-në për ta shtyrë çështjen”. Por për kryetarin e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, Kuvendi thjesht po ndjek të gjitha procedurat.

Në një deklaratë për gazetarët, Balla e konsideroi çështjen një “flluckë sapuni” dhe paralajmëroi një rrëzim të mundshëm të kërkesave.

Nëse Kuvendi vendos me votat e shumicës që të mos e përdorë mekanizmin parlamentar për ta dërguar mandatin e Xhaçkës në Gjykatë Kushtetuese, vetë deputetët mund ta bëjnë këtë duke mbledhur 28 firma./ BIRN



4 Comments

  1. Perse pranohet avokati i Ministres Xhacka ne Keshillin e Mandateve, i cili nuk eshte proces gjyqesor?!

    Nese ka te drejte, zonja mund te shkoje e te flase vete, ashtu sikurse flet neper bote, madje ne emer te Shqiperise.

    Dikush qe nuk guxon te perfaqesoje vehten, a mund te perfaqesoje vendin?!

  2. po kjo kellire flet ne emrin e gjithe neve neper halet e botes. cfare problemi ka me fol neper halet e shqiprise. pler.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *