• |
ide | kryesore

“Dalim kampion, eliminohemi në turin e pare”: Halili kritikat i ka… me veten

-Instant, Sport



“Fati nuk ishte me ne në pjesën e parë. Një gol do na bënte një gjë shumë të madhe. Skam çfarë them, ishte diçka që nuk e kishim menduar që do të merrnim këtë rezultat negativ. Do të shikojmë, të marrim masa për të ardhmen”. Refik Halili, presidenti i Tiranës nuk e fsheh zhgënjimin për humbjen 1-2 në kryeqytet dhe eleminimin në raundin e parë me rezultatin e përgjithshëm 1-3 përballë Dudenlange. Numri 1 i klubit flet për masa, ndoshta duke iu referuar merkatos së munguar që penalizoi jo pak Tiranën në Champions. “Më vjen keq vetëm për diçka. Më vjen keq që dalim kampion, eliminohemi në turin e parë dhe më pas duhet të kthehemi përsëri në kampionat – vijoi Halili -. Për të shkuar më tutje duhet edhe më shumë punë. Duhen edhe më shumë blerje. Për mendimin tim, është shumë e thjeshtë të thuash që merkato s’kemi bërë. Nuk është e kollajshme që të gjesh lojtarë. Ka pak lojtarë që të bëjnë atë punë që do stafi. Ne do të vazhdojmë me shumë qetësi të ecim përpara”.

Halili ka shpejtuar të korigjojë shënjestrën e tij të kritikave, duke mbështetur teknikun Shehi: “Shehi dhe e gjithë skuadra janë në rregull. Kjo është mundësia. Që të vazhdosh të ecësh në Champions, duhet të kesh më shumë lojtarë kontingjent dhe më shumë lojtarë cilësor. Po të ishte bërë goli do të flisnim ndryshe. Skuadra ka bërë lojëra të mira. Blerjet që kemi bërë, në kampionat do të jenë më cilësorë. Aleksi dhe Hasanin do ti shikoni, Hasani ka për të qenë një nga më të mirët e kampionatit. Championsi iku, tani të mendojmë për të ardhmen”, përfundoi Halili.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *