• |
ide | kryesore

Intervista me Merita Sheqi, Bashkëthemeluese dhe CEO, Rejsi Farma, dhënë për “Die Welt”

Arkiva, Lajme, Të fundit



Integrimi fillon nga standardet e biznesit
Gazeta gjermane “Die Welt” publikoi në qershor, një raport special prej 12 faqesh për Shqipërinë, që përfshinte analiza me drejtuesit e qeverisë dhe të bizneseve. Publikimi u krye në një periudhë strategjike për vendin,  pikërisht për në samitin e vendeve më të zhvilluara të botës, G7, presidenca e të cilës këtë vit mbahet nga Gjermania. (Link: http://albania.globalfdireports.com/report-2022/)
Publikimi mbulon mundësi të pafundme për bizneset gjermane dhe investitorët, për t’u bërë pjesë e progresit të vendit. Reformat kanë hapur rrugës  perspektiva tërheqëse biznesi dhe një kthim të kënaqshëm nga investimi. Sektorë si infrastruktura, energjia, bujqësia, farmaceutika dhe turizmi janë të mirëpozicionuar për t’u rritur, thuhet në hyrjen e raportit.
Nuk është rastësi, që krahas intervistave me drejtues të lartë të qeverisë shqiptare, intervista me znj. Merita Sheqi, Bashkëthemeluese dhe CEO e Rejsi Farma, importuesi farmaceutik Nr. 1 në Shqipëri, tashmë i konfirmuar zyrtarisht, zë një vend të posaçëm në këtë speciale.  Rejsi Farma vlerësohet në artikull për faktin se është e pozicionuar më mirë, se çdo kompani tjetër, për një tranzicion të butë drejt Bashkimit Europian, sepse ajo tashmë funksionon në përputhje me cilësinë dhe standardet rregullatore europiane dhe ka lidhur partneritet me marka të mirënjohura ndërkombëtare. Për këtë arsye, kemi zgjedhur që nga kjo speciale të publikojmë intervistën me znj. Sheqi, si një shembull pozitiv për përqasjen e biznesit shqiptar drejt rrugës tashmë të hapur në Bashkimin Europian.

Intervista me znj. Merita Sheqi, Bashkëthemeluese dhe CEO, Rejsi Farma, dhënë për gazetën gjermane, “Die Welt” – Global FDI Report

“Biznesi është pasioni im”

Me mbi 20 vite përvojë, kjo udhëheqëse në industri – si për nga të ardhurat dhe performanca – ka përballuar pandeminë dhe ka shumë plane për të ardhmen.
Shqipëria ka hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe Rejsi Farma është e pozicionuar më mirë se çdo kompani tjetër për një tranzicion të butë, sepse kompania tashmë funksionon në përputhje me cilësinë dhe standardet rregullatore europiane dhe ka lidhur partneritet me marka të mirënjohura ndërkombëtare.

Cili është pozicioni juaj i tregut në Shqipëri për sa i përket shpërndarjes së produkteve farmaceutike të markës?

Për më shumë se një dekadë, jemi radhitur në pozicionin më të lartë, si një kompani shpërndarjeje në Shqipëri. Raporti IQVIA 2021 e rikonfirmon zyrtarisht Rejsi Farma-n si udhëheqëse në treg. Fokusi ynë është që të jemi të parët, jo vetëm për nga të ardhurat, por edhe në përmbushjen e të gjitha detyrimeve për të qenë në përputhje me standardet rregullatore dhe cilësore të Bashkimit Europian. Megjithëse shifrat e të ardhurave janë të rëndësishme, parësore është që produktet tona të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare.

– Ju keni punuar prej 20 vitesh me marka ndërkombëtare, përfshirë kompani gjermane. Si ka ndikuar kjo tek puna juaj?
Që në fillim të aktivitetit, vizioni i Rejsi Farma ka qenë të tërheqë markat ndërkombëtare farmaceutike perëndimore dhe ta bëjë tregun tonë tërheqës për ta, në mënyrë që konsumatorët shqiptarë të kenë të njëjtën qasje ndaj produkteve cilësore, si çdo shtetas perëndimor. Gjatë këtyre 20 viteve të fundit, kemi mësuar shumë dhe do të theksoja se partnerët tanë na kanë “edukuar dhe trajnuar”, për ta kryer biznesin me integritet dhe etikë.

– Do ta financoni vetë zgjerimin tuaj, apo jeni të hapur ndaj investimeve?
Rejsi Farma është një kompani me zotërim familjar dhe ne i ndërtojmë gjërat hap pas hapi. Jemi shumë krenarë për këtë, por natyrisht që jemi të hapur ndaj sugjerimeve për bashkëpunim me kompanitë ndërkombëtare, të cilat ndajnë të njëjtin vizion dhe strategji. Do ta vlerësonim realisht, nëse biznese të tilla do të ishin të interesuara në kompaninë tonë, mbështetur në modelin e një sipërmarrjeje të përbashkët.

– Si e ka përballuar Rejsi Farma pandeminë Covid-19?
Të gjithë pajtohen se pandemia e gjeti botën krejt të papërgatitur. Dinim pak, ose aspak, mbi “armikun e padukshëm”.
Frika dhe paniku kaploi të gjithë Shqipërinë dhe vendet e tjera, pasi numri i vdekjeve po rritej nga dita-ditës. Qeveria jonë ka bërë një punë mjaft të mirë në monitorimin dhe menaxhimin e situatës. Një arritje e madhe e qeverisë ishte sigurimi i vaksinave Pfizer dhe Moderna, në një kohë kur jo të gjithë shtetet mund ta menaxhonin një gjë të tillë, duke qenë se vendet po vuanin nga mungesat e furnizimeve, për shkak të kërkesës së lartë. Marrëveshja për furnizimin e vaksinave sigurohej nga shteti dhe kompania farmaceutike, prandaj Rejsi Farma nuk luajti ndonjë rol në këtë drejtim. Sidoqoftë, ne jemi krenarë për qeverinë tonë dhe partnerin AstraZeneca, që arritën marrëveshjen e furnizimit, e cila shpëtoi jetë shqiptarësh.
Rejsi Farma, bazuar dhe në udhëzimin e partnerëve të saj, zbatoi rregullin e “punës në distancë” për të gjithë punonjësit, duke u mundësuar të punonin nga shtëpia. Në zyrat e kompanisë ndërkohë u zbatuan të gjitha rregullat anti-covid.
Gjatë pandemisë, Rejsi Farma së bashku me të gjithë partnerët tanë ishim në gjendje të furnizonin spitalet me produkte cilësore.

– Kush do të ishte një investitor apo partner ideal për ju?
Që nga koha e themelit të kompanisë, shembujt më të mirë për ne kanë qenë sipërmarrjet perëndimore. Në thelb, çdo kompani cilësore perëndimore me interes në tregun tonë, mund të jetë një partnere e vlefshme për ne, pasi edhe ne mbështetemi në vizionin dhe standardet perëndimore dhe ndajmë një qasje të përbashkët në mënyrën e drejtimit të biznesit.

– Kryeministri Edi Rama tha në fillim të vitit 2022 se Shqipëria “nuk do të hiqte kurrë dorë nga Europa dhe Bashkimi Europian, çfarëdo forme që të ketë BE-ja në të ardhmen”. Ndërkohë që bisedimet për anëtarësim nisin këtë vit, ju lutem na tregoni mbi marrëdhënien e Rejsi Farma me standardet europiane. Gjithashtu, çfarë do të nënkuptojë anëtarësimi në BE për Rejsi Farma?
Shqiptarët kanë qenë gjithnjë pjesë e BE-së me mendje dhe zemër, por në të vërtetë, Bashkimi Europian ka disa standarde, që duhen përmbushur. Për të arritur këto standarde duhej kohë, duke qenë se Shqipëria është një vend postkomunist, krejtësisht i izoluar nga bota për dekada me radhë. Por, do të theksoja se ekziston një lidhje midis shqiptarëve dhe komunitetit europian, falë kulturës, mentalitetit dhe vlerave të përbashkëta.
Jam e bindur se tani, Shqipëria është në rrugën e duhur për t’iu bashkuar familjes europiane dhe mendoj se BE-ja do të japë një përgjigje pozitive. Të gjithë e dëshirojmë shumë pranimin në BE.
Për sa i përket Rejsi Farma, jam krenare që kompania jonë i ka ndjekur standardet europiane që në fillim.
Falë bashkëpunimit me partnerët tanë, Rejsi Farma, jo vetëm ka zbatuar standardet e nevojshme të Bashkimit Europian, por edhe kemi mësuar dhe jemi trajnuar që të kryejmë biznes me integritet dhe në përputhje me kodin e sjelljes. Prandaj, sot jam krenare që deklaroj se Rejsi Farma është e gatshme të operojë në një mjedis të BE-së.

– Në një konferencë të kohëve të fundit mbi marrëdhëniet gjermano-shqiptare, kryeministri Rama deklaroi se “lidhjet tona dypalëshe janë absolutisht të shkëlqyera”. Si i shihni marrëdhëniet me Gjermaninë, organizatat dhe sektorin e saj privat në të ardhmen, nëpërmjet marrëveshjeve të shpërndarjes, shkëmbimit të njohurive apo praktikave?
Gjermania është konsideruar gjithmonë si një model për Shqipërinë. Ideja që kanë shqiptarët mbi Gjermaninë është tejet pozitive dhe ata e përmendin gjithmonë vendin si një shembull për t’u ndjekur, në fushat ku Shqipëria ka mbetur pas. Kam pasur një përvojë shumë pozitive nga shkëmbimet e biznesit me sipërmarrësit gjermanë dhe kam mësuar shumë prej tyre. Nëse Shqipëria anëtarësohet në BE në të ardhmen e afërt, kjo do të hapë më shumë dyer për hyrjen e sipërmarrje gjermane në Shqipëri dhe njëkohësisht do t’u jepte më shumë mundësi kompanive tona për të kryer biznes me ta. Po presim me padurim që kjo të ndodhë.



5 Comments

  1. Te promovosh njerez qe ne vend te ilaçeve per sherim na shesin dhe’ eshte e tmerrshme .
    Pi nje grusht ilaçesh, asnje efekt . Kriminela me bluza te bardha .

  2. E paske kap nje kocke o nipi i hysniut. Te kishte qene gjalle gjyshi jot do te kishte denuar per agjitacion e propagande, dmth reklame te dhjere. Po keshtu eshte kur e mban nivelin e jeteses me rrenimin e shendetit te te tjereve. Edhe keto leke reklame per ilace shkofshin….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *