• |
ide | kryesore

Ekstradohet nga Italia 40-vjeçari i dënuar për një vrasje në vitin 2000

Arkiva, Lajme, Të fundit



Policia e shtetit njoftoi se pas marrjes së informacionit nga Seksioni i Kërkimit në Drejtorinë e Tiranës për vendndodhjen e një personi shumë të kërkuar, si dhe falë shkëmbimit në kohë të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u bë e mundur kapja në Itali dhe ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar Besnik Lamçja, 40 vjeç.

Sipas policisë ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me armë”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në 27 qershor 2000 ku në vendin e quajtur “Magazinat e tregtisë”, në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, Besnik Lamçja, në bashkëpunim me E. Ç., ka vrarë me armë një person me iniciale G. U.

Lamçja është prangosur nga autoritetet e Palermos në korrik të këtij viti e qëndroi pas hekurave deri në momentin që u përmbushen kushtet për ekstradimet e tij drejt Tiranës. Ai ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2000, por fshihej nën një identitet të rremë në shtëpinë e disa familjarëve të tij në Palermo. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *