• |
ide | kryesore

SHBA dënon sulmin kibernetik ndaj sistemit TIMS: Po mbështesim Shqipërinë

-Instant, Lajme, Të fundit



Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dënuar sulmin kibernetik të Iranit ndaj sistemit TIMS në Shqipëri. Shqipëria ka rënë pre e sulmit për herë të dytë pas hakërimit të faqeve të qeverisë nga Irani më 15 korrik.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, përmes një postimi në Twitter deklaron se po mbështet Shqipërinë në përpjekjen për të kthyer në normalitet sistemin.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmin kibernetik të 9 shtatorit kundër aleatit tonë të NATO-s, Shqipërisë. Ky aktivitet keqdashës kundër Shqipërisë vjen pas sulmit kibernetik të 15 korrikut të kryer nga qeveria e Iranit. Qeveria e SHBA po mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të hetuar.”

Sistemi TIMS në vendin tonë ka rënë pre e një sulmi kibernetik nga qeveria e Iranit që prej të premtes në mbrëmje. Sulmi kibernetik shkaktoi radhë në të gjitha pikat kufitare në vend, ndërsa regjistrimi i hyrjeve dhe daljeve të qytetarëve dhe mjeteve po bëhet me regjistër me shkrim.

Hakmarrje?

Gjithçka ndodhi pak ditë pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin pasi u konfirmua se sulmi kibernetik i verës ndodhi pikërisht nga organizma të këtij shteti. Qeveria shqiptare njoftoi përmes një letre Iranin për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes shtetit shqiptar dhe Republikës Islamike të Iranit.

Diplomatëve dhe punonjësve të ambasadës iu dhanë 24 orë kohë për t’u larguar, ndërsa më pas në ambientet e saj u futën Forcat Speciale RENEA për të bërë kontrollin e godinës. Pamjet bënë xhiron e botës për shkak të faktit se ishte një rast i rrallë kur forcat speciale futen në një ambasadë.

MEK

Shqipëria është bërë objektiv i Iranit pas pranimit të muxhahedinëve të MEK në vendin tonë 10 vite më parë. Ky grupim i vendosur në Manzë konsiderohet si kundërshtar i regjimit të Iranit dhe janë në një luftë të ashpër me njeri-tjetrin për revolucionit islamik të vitit 1979. Fillimisht ata ishin me qendrim në Irak por pas sulmeve të vazhdueshme nga milicët e mbështetur nga Irani janë transferuar në Shqipëri.

Sistemi vulnerabël

Ashtu siç theksoi edhe Microsoft dy ditë më parë në raportin e tij mbi sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, hakerat iranianë kanë gjetur të çara në sistemin e mbrojtjes së vendit duke bërë që ta kenë të lehtë të hyjnë dhe të dalin disa herë nga sistemi, momente gjatë të cilave kanë marrë shumë materiale.

Marrja e të dhënave është dëmi më i madh që ky sulm i ka bërë Shqipërisë, gjë e cila është mohuar nga qeveria deri më tani. AKSHI është një ndër institucionet që ka thithur sasi të mëdha parash nga buxheti i shtetit, të cilat duket qartë se nuk janë menaxhuar mirë duke e bërë vendin vulnerabël ndaj sulmeve nga jashtë.



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *