• |
ide | kryesore

Von der Leyen: Nuk jemi të kompletuar pa Ballkanin Perëndimor

-Instant, Lajme, Planet
Ursula Von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, insistoi që shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia duhet të bëhen pjesë e familjes evropiane. Ajo shtoi se pa këto shtete, “unioni ynë nuk do të jetë i kompletuar”. Von der Leyen mbajti më 14 shtator fjalimin vjetor në Parlamentin Evropian. Shefja e KE-së tha se mënyra më e shpejtë për të zgjeruar sundimin e demokracisë, është duke i forcuar lidhjet me shtetet demokratike në kontinentin evropian.


“Kjo fillon me ato shtete që tashmë janë në rrugë drejt unionit tonë. Ne duhet të jemi në anën e tyre në secilin hap të kësaj rruge. Rruga drejt demokracisë së fuqishme dhe rruga drejt Bashkimit Evropian është e njëjtë. Prandaj, dua që njerëzit në Ballkanin Perëndimor, në Ukrainë, në Moldavi dhe në Gjeorgji ta dinë: ju jeni pjesë e familjes sonë, e ardhmja e juaj është në union dhe unioni ynë nuk është i kompletuar pa ju”, tha von der Leyen.


Shefja e Komisionit Evropian përmendi Ballkanin në disa pjesë të fjalimit të saj, kur foli për nevojën që të rishqyrtohet politika e jashtme e BE-së.

“Tash është koha për të investuar në forcën e demokracisë. Kjo punë fillon me grupin bazë të partnerëve që mendojnë si ne, me miqtë tanë në secilin komb demokratik në botë. Ne e shohim botën me të njëjtin sy. Dhe, ne duhet ta mobilizojmë fuqinë tonë kolektive”, tha ajo.

Mbështetje për idenë e Bashkësisë Politike Evropiane

Duke folur për rrugën e anëtarësimit në BE, presidentja e KE-së tha se mbështet idenë për formimin e një bashkësie politike evropiane. Ajo shtoi se propozimet për këtë temë do të paraqiten gjatë samitit të bllokut evropian. Samiti i BE-së pritet të zhvillohet në tetor në Pragë, ku do të marrin pjesë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Të pranishëm do të jenë edhe liderët e vendeve evropiane që nuk janë në BE, sikurse Britania e Madhe, Norvegjia e të tjera. Idenë për krijimin e një bashkësie politike evropiane e ka përmendur së pari presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë kryesimit të vendit të tij me Presidencën e BE-së në 6-mujorin e parë të vitit 2022. Idenë e Macronit e ka mbështetur edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Von der Leyen tha se krijimi i kësaj bashkësie nuk do të kishte qëllim zëvendësimin e e zgjerimit të BE-së.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, negociatat për anëtarësim i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik edhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

Lexo edhe:

Michel: Ballkani Perëndimor, prioritet strategjik për BE-në

Putin “do të dështojë, Ukraina do të triumfojë”

Pjesa më e madhe e fjalimit të von der Leyen iu kushtua pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia dhe pasojave që ka shkaktuar kjo luftë, jo vetëm për Ukrainën, por edhe pjesën tjetër të botës, përfshirë: rritjen e madhe të çmimeve të naftës dhe gazit. E veshur me rroba me ngjyra të flamurit të Ukrainës, von der Leyen tha se BE-ja tashmë ka zvogëluar dukshëm varësinë energjetike nga Rusia.

Ajo rikujtoi se, vitin e kaluar, BE-ja merrte 40 për qind të gazit nga Rusia, ndërsa sivjet tha se kjo përqindje ka rënë në 9 për qind. Mysafire e veçantë gjatë fjalimit të Von der Leyen në Parlamentin Evropian ishte bashkëshortja e presidentit të Ukrainës. Duke folur për sanksionet ndaj Rusisë ajo tha se ato po japin rezultat dhe ato “janë aty për të mbetur”.

“[Presidenti i Rusisë, Vladimir] Putin do të dështojë, Ukraina dhe Evropa do të triumfojnë”, tha ajo.

Shefja e Komisionit Evropian, po ashtu, ka prezantuar disa masa për të ulur konsumin e energjisë gjatë dimrit, teksa e akuzoi Rusinë se po manipulon me tregun e energjisë, duke djegur gaz dhe duke rritur çmimet e energjisë në tregjet botërore./REL


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.