• |
ide | kryesore

Marrëveshja Kosovë-Serbi për reciprocitetin, vetëm 20 serbë pranojnë targat RKS

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Vetëm 20 qytetarë serbë të Kosovës kanë pranuar targat e Republikës së Kosovës, duke i hequr ato ilegale. Këshilltarja e ministrit të Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi ka theksuar se regjistrimi i veturave ka vazhduar edhe sot dhe “gjithsej 20 vetura i kanë konvertuar targat ilegale në targa RKS”.

Në një postim në Facebook, Fetoshi u ka bërë thirrje qytetarëve që vazhdojnë t’i përgjigjen thirrjes për të regjistruar veturat e tyre, pa marrë parasysh vendbanimin, duke përfituar kështu nga lirimet tatimore e doganore, të cilat arrijnë vlerën deri në 5 mijë euro.

“Regjistrimi i veturave ka vazhduar edhe sot. Gjithsej 20 vetura i kanë konvertuar targat ilegale në targa RKS, prej të cilave 5 vetëm në 3 ditët e fundit. Interesimi i qytetarëve asnjëherë nuk ka munguar, që nga dita e parë. Së fundmi, edhe një tjetër qytetar, banor i komunave në veri, ka bërë regjistrimin e veturës së tij. Të gjitha Qendrat e Regjistrimit Civil janë në dispozicion andaj ftojmë qytetarët që të vazhdojnë t’i përgjigjen thirrjes për të regjistruar veturat e tyre, pa marrë parasysh vendbanimin duke përfituar kështu nga lirimet tatimore e doganore të cilat arrijnë vlerën deri në 5 mijë euro”, ka shkruar Fetoshi.

Më 30 shtator 2021, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje të përkohshme në Bruksel për çështjen e targave, ku të dy vendet me letër ngjitëse mbulonin simbolet shtetërore në kalimet kufitare të automjeteve në vendet përkatëse. Marrëveshja pasoi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës më 20 shtator për reciprocitet të targave me Serbinë. Me këtë masë çdo automjet i Serbisë për të hyrë në Kosovë duhej të merrte targa provuese të cilat ishin valide për 60 ditë dhe kushtonin pesë euro, ashtu sikurse qytetarët e Kosovës kur hynin në Serbi paguanin për targa provuese me validitet 60-ditësh.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *