• |
ide | kryesore

Dier e dhurata prekëse për familjen Ventrone: “Do t’i kem me vete vlerat e Gian Pieros çdo ditë”

-Instant, Sport
Dier



Eric Dier i ka dërguar një dhuratë të veçantë familjes së Gian Piero Ventrone. Trajneri i atletikës, që nga 2021 bashkëpunonte me Antonio Conte te Tottenham, u nda nga jeta muajin e kaluar. Përgatitësi atletik humbi një betejë të shkurtër me leuçeminë. 62-vjeçari ka lënë një boshllëk të madh te Spurs dhe skuadra e ka nderuar Ventrone në disa raste.

Lojtarët, në ndeshjen e parë të Premier League pa Ventrone, veshën fanellat me shkrimin: “Gjithmonë në zemrat tona – Gian Piero”. Harry Kane, në ndeshjen ndaj Brighton, pasi shënoi, drejtoi gishtin drejt qiellit për t’ia dedikuar golin 62-vjeçarit. Të njëjtin gjë bëri Son kundër Eintracht Frankfurt. Por homazhet për trajnerin atletik kanë qenë të shumta. Mes tyre është edhe ai i Dier.

DIER E DHURATA PREKËSE PËR FAMILJEN VENTRONE

Mbrojtësi ishte shumë i afërt me Ventrone e ka dashur t’i dërgojë një dhuratë të veçantë dhe domethënëse familjes së tij. 28-vjeçari, falë punës së bërë me trajnerin italian të atletikës, është rritur dhe përmirësuar shumë. Madje Dier në shtator u rikthye edhe në kombëtaren e Anglisë. Pas dy vitesh mungesë, ai u thirr nga Southgate për përplasjen e Tre Luanëve me Italinë. Një moment historik i madh, i arritur edhe falë Ventrone dhe Eric nuk e ka harruar.

28-vjeçari i dërgoi familjes së trajnerit, fanellën e Anglisë që veshi atë ditë dhe shkroi një mesazh prekës: “Familjes Ventrone. Gian Piero më ndihmoi ta vesh përsëri këtë fanellë. Unë do të mbaj me vete vlerat e tij çdo ditë. Urimet më të mira, Eric”. Një mesazh dhe një dhuratë që familja Ventrone e vlerësoi. Djali i 62-vjeçarit, Ivan, shkroi në llogarinë e tij në Instagram: “Unë do të jem gjithmonë mbështetësi yt, ashtu siç bëri babai im”.

FJALËT E DIER

Dier, pas vdekjes së Ventrone, kishte deklaruar se donte të fitonte një trofe me ekipin, për nder të trajnerit të tyre atletik: “Puna e tij do të jetojë tani, tek ne, për pjesën tjetër të këtij sezoni e për të gjithë individualisht për pjesën tjetër të karrierës. Fitimi i diçkaje do të ishte nderimi i fundit. Ai na dha të gjithëve veten çdo ditë. Kështu që ne duhet të përpiqemi të bëjmë të njëjtën gjë për të”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *