• |
ide | kryesore

Vrasja e 61-vjeçarit/ Karaj mohon krimin, bashkëpunëtori: U bë me porosi të Marjetës

-Instant, Lajme, Të fundit



Dëshmitë e dy personave të arrestuar për vrasjen e Menduh Kurt-Dedës, në maj 2017, janë zbardhur. Kujtojmë se policia ndaloi dy persona për ngjarjen, Gazmir Ngotën 39 vjeç dhe Marjeta Karaj 56 vjeç. Në kërkim është djali i kësaj të fundit, Besmir Karaj 34 vjeç, i cili ndodhet në Itali. Një borxh i pakthyer ka qenë shkak i makabritetit. Sipas informacioneve 61-vjeçari i detyrohej 10 milionë lekë të vjetra Marjeta Karajt.

Për të marrë paratë, Marjeta Karaj, djali i saj dhe shoku i djalit Gazmir Ngota 39 vjeç kishin lënë takim në 2017 tek zona e Xhamllikut me Menduh Shaban Kurt-Dedën. Aty e morën me forcë e çuan në zonën e Alliasit, ku e dhunuan. Prej andej, Besmir Karaj dhe shoku i tij Gazmir Ngota 39 vjeç e dërguan me makinë 61-vjeçarin në një zonë të pyllëzuar në Kodër Shupal. Aty ata e lidhën, e dhunuan dhe e dogjën me lëndë djegëse duke i shkaktuar vdekjen.

Në dëshminë e dhënë para autoriteteve Marjeta Karaj, ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen e 61-vjeçarit. Ajo ka pranuar se njihej me Kurt-Dedën. Megjithatë, sipas saj, për shkak të konflikteve marrëdhënia e tyre ishte shkëputur. 56-vjeçarja nuk ka preferuar të japë detaje më të hollësishme përsa i përket konfliktit që ka pasur më viktimën.

Ndërsa, i arrestuari tjetër, Gazmir Ngota, ka treguar të gjithë kronologjinë se si ka ndodhur ngjarja. Ai ka shpjeguar se ishte vënë në dijeni për borxhin që Kurt-Deda i kishte Marjetës, nënës së shokut të tij, Besmir Karaj. Më tej, Ngota ka rrëfyer se ishte prezent që nga momenti kur Kurt-Dedën e kanë marrë me makinë në zonën e Xhamllikut. Atë e kanë çuar në Allias, në një parking pranë shtëpisë së Besmirit. Aty e pranishme ishte edhe Marjeta. Pasi i kanë kërkuar kthimin e borxhit, Kurt-Deda fillimisht ka mohuar kthimin e shumës prej 10 milionë lekësh të vjetëra. Mbasi është rrahur nga Besmiri, ai u ka kërkuar kohë për të kthyer borxhin.

Sipas Ngotës, me porosi të Marjetës, ata e kanë marrë Kurt-Dedën dhe e kanë çuar në Dajt. Aty e kanë lidhur dhe djegur. Në dëshminë e tij, Ngota thotë se për këtë veprim nuk ka marrë para nga shoku i tij Besmir Karaj. Sipas tij veprimin e ka bërë për shoqëri. Hetimet për këtë ngjarje u rihapën 1 vit më parë me kërkesë të Policisë së Tiranës, ku me urdhër të Prokurorisë u kërkua zhvarrosja e kufomës për të bërë edhe një herë ADN-në.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *