• |
ide | kryesore

Qeveria planifikon të blejë helikopterë të rinj, pa rikthyer në punë të vjetrit

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit


Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi njoftoi të hënën se qeveria ka miratuar një kredi 30 milionë euro për mbrojtjen civile, ku parashikohet edhe blerja e dy mjeteve ajrore për shuarjen e zjarreve.

Ndërkohë, Peleshi pranoi se flota e helikopterëve e Forcave të Armatosura vijon të jetë jofunksionale për shkak të problemeve me mirëmbajtjen dhe se nuk është gjetur ende zgjidhje për marrjen e helikopterit “Cougar” të parkuar në një magazinë zjarrfikësesh në Itali.

“Italia është angazhuar për të mbështetur sistemin e mbrojtjes civile me një financim 30 milionë euro në formë huaje,” tha ai pas mbledhjes së qeverisë, duke saktësuar se huaja do të përdoret për ndërtimin e sallave operacionale dhe trajnim për emergjencat civile.

Ministri bëri të ditur se parashikohet dhe blerja e 2 mjeteve ajrore për fatkeqësitë natyrore, por i pyetur nga BIRN për vlerën e tyre, ai tha se nuk e mund të thoshte vlerën, por do të gjendeshin mjete të lira që mund të përballoheshin brenda kësaj kredie.

Peleshi pranoi se problematika e mirëmbajtjes me flotën e helikopterëve vijon prej disa vitesh dhe se në gatishmëri ishin vetëm dy mjete nga 7 të tillë që kanë Forcat e Armatosura.

“Gadishmëria nuk është 100 për qind,” pranoi ai, duke shtuar se “është në gatishmëri një helikopter Cougar që është për emergjenca civile dhe një tjetër që është për emergjenca mjekësore”.

“Sfida më e madhe që ne kemi kur investohet në mjete ajrore të reja është mirëmbajtja, nuk kemi kompani të specializuara për mirëmbajtjen e mjeteve ajrore dhe na duhet të blejmë këtë shërbim jashtë,” shtoi Peleshi, duke ripërsëritur të njëjtat probleme për të cilat ka raportuar 6 muaj më parë edhe në Kuvend.

“Jo të gjitha kontratat performojnë siç duhet dhe pastaj futemi në kalvare pengesash si ajo me helikopterin Cougar që është në Itali dhe u bënë shumë, 2 vjet,” theksoi ai.

Peleshi tha se ministria ka vendosur që ta dërgojë helikopterin e mbetur në Itali në agjencinë e NATO-s për shërbimet e mirëmbajtjes sapo të çlirohet nga kontrata.

Sipas tij, kostot e mirëmbajtjes janë shumë të mëdha për qeverinë dhe vendimi për t’ia deleguar agjencisë së posaçme të NATO-s prokurorimet për këtë çështje do t’i japë zgjidhje situatës.

Përmes një investigimi të publikuar më 31 maj, BIRN zbuloi se flota e shtrenjtë e helikopterëve ushtarakë “Cougar”, të cilët mbajnë peshën e emergjencave civile të vendit, ndodhet aktualisht jashtë funksionit për shkak të problemeve me kontratat e mirëmbajtjes. /birn


5 Comments

    1. PS: Helikopeteret aktuale jane problematike te blere nga Qeveria e Sali Berishes.

      I bleu idjoti me vrap nga francezet, pa marre parasysh kostot e mirermbajtjes nderkohe qe italianet i paraqiten nje opsion shume me te mire.

      79 Milione Dollare te hedhura ne plehra.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *