• |
ide | kryesore

EULEX: Po monitorojmë situatën në veri përmes pranisë së shtuar në terren

-Instant, Lajme, Të fundit
eulex



Misioni i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, ka bërë të ditur se është duke e monitoruar nga afër situatën e sigurisë në pjesën veriore të vendit. Ata kanë njoftuar prani së tyre të shtuar në terren. EULEX ka potencuar se është duke kryer patrullime vëzhguese. Këtu përfshihen patrullimet në këmbë në Mitrovicën e veriut dhe në Zveçan.

“Duke e pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave shtesë, EULEX-i rregullisht e përshtatë praninë e tij për ta pasqyruar situatën në terren, si dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.”, është bërë e ditur në njoftimin.
Barrikadat e vendosura në veri të vendit tash e 13 ditë vazhdojnë të qëndrojnë duke vështirësuar jetën e qytetarëve në atë pjesë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës.

I ashtuquajturi shtabi i krizës në veri të vendit, i formuar nga serbët lokalë, ka ftuar qytetarët në “protestën më të madhe ndonjëherë” që do të mbahet sot në Rudare të komunës së Zveçanit. Përfaqësues të këtij shtabi kanë bërë të ditur se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde. Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve në barrikada dhe zhdukjen e tyre. Ambasadori gjerman me deklaratat e tij, thonë ata, po e mbështet drejtpërdrejt dhe hapur kryeministrin Kurti./Kosovapress



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *