Rreth një orë ka zgjatur takimi i ambasadores amerikane Yuri Kim me kreun e ri të SPAK Altin Dumani. Në takimin me dyer të mbyllura, Kim ka folur me kreun e SPAK dhe prokurorët e tjerë në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar. Mësohet se Kim u ka kërkuar prokurorëve të mos intimidohen apo ndikohen nga presione apo njerëz të veshur me pushtet por të bëjnë drejtësi.
Kjo është vizita e parë e ambasadores Kim në Prokurorinë e Posaçme që pas zgjedhjes së Dumanit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP zgjodhi prokurorin Altin Dumani si drejtues të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, më 19 dhjetor. Ai zëvendësoi Arben Krajën në këtë post. Vetë Dumani premtoi goditje të krimit të organizuar dhe tha se tashmë SPAK do të kalojë në një tjetër fazë, ajo e një lufte më agresive ndaj korrupsionit të zyrtarëve të çdo niveli si dhe krimit të organizuar.