• |
ide | kryesore

Sylvinho, më ‘shqiptar’ se De Biasi: në nëntë precedentët, braziliani është i vetmi në 20 vjet që do të jetë rezident këtu

-Instant, F1, Sport
Sylvinho



Nga aventura e shkurtër e Sulejman Demollarit në krye të kombëtares së Shqipërisë, në 2002, te kuqezinjtë nisi epoka e trajnerëve të huaj. Ndonjëherë e suksesshme e ndonjëherë jo, si Giuseppe Dossena. Italiani ishte i pari në “eksportin” e trajnerëve të huaj nga FSHF, për të mbërritur te braziliani Sylvinho. Nesër tekniku do të prezantohet para medias si trajneri i ri i kombëtares. Por si për të fituar pikët e para, Sylvinho ka qartësuar se do të jetë rezident në Shqipëri.

Dossena mbetet, gjithësesi, rasti më i dështuar i një tekniku të huaj në drejtimin e kuqezinjve. Ish-doriani u ‘arratis’ pas vetëm dy ndeshjesh me një nënvleftësim të hapur për ekipin që la. Skuadra që ai la kaloi në duart e Hans-Peter Briegel. Gjermani, në një periudhë 4 vjeçare (2002–2006), mori jo pak kënaqësi. Duke filluar me fitoren në debutim, 3-1 me Rusinë në Loro Borici, apo ajo kundër kampionëve të Europës, Greqisë. Atëherë, në daljen e tyre të parë si fitues në Portugali, skuadra e Rehagel u dorëzua 1-2.

Pas gjermanit, që fitoi zemrat e shqiptarëve, mbërriti një professor si Otto Barić. Kroati qendroi vetëm një sezon (2006–2007) e u largua pas disfatës së turpshme me Rumaninë. Gjithësesi, tregoi karakter, kur pas problemit në zemër u paraqit menjëherë në Sofie për ti bllokuar bullgarët në një barazim me peshë. Arie Haan në sezonin 2008–2009, iku pa lënë gjurmë, duke i lënë vendin një tjetër kroati si Josip Kuže. Ai udhëhoqi kuqezinjtë nga 2009 në 2011, deri kur një iktus e detyroi ti linte pankinën trajnerit më jetëgjatë në historinë e të huajve që kanë drejtuar kombëtaren.

DASHURI ‘ITALIANE’

Gianni De Biasi nga 2011 në 2017 është i paharrueshëm për kualifikimin e Shqipërisë për herë të parë në finalet e një turneu madhor. Italiani i çoi kuqezinjtë në Euro 2016. Pastaj dashuria e lindur me italianët është edhe meritë e ‘shqiptarit’ De Biasi. FSHF vazhdoi me teknikët e përtej Adriatikut: Christian Panucci në 2017–2019 dhe Edoardo Reja në tre vjecarin që pasoi. Por pasaporta shqiptare e Giannit, nuk e bëri që të ndryshonte konceptin që të gjithë të huajt e tjerë e kishin ruajtur me rigorozitet. Prezencën part-time në Shqipëri. Kjo deri kur mbërriti Sylvinho. Braziliani, ashtu si dhe stafi i tij me Doriva e Zabaleta, do të jenë banues këtu, në 18 muajt e kontratës së tyre me kuqezinjtë. Një ide për të qenë më pranë realitetit shqiptar, për të njohur më mirë shqiptarët. E për të qenë më shqiptar se të gjithë të tjerët, pavarësisht pasaportës që e kanë ndryshe…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *