Që kur gjykata vendosi arrestimin e ish-zyrtares Alda Klosi, vjedhja e parave nga pastruesja e saj Rozeta Dobi u shndërrua me një thriller plot me të panjohura për tufat me euro që zyrtarja shtetërore mbante në shtëpi. Cila nga dy gratë po gënjen? Pastruesja Rozeta Dobi, gruaja e varfër që pati një moment rebelimi e gjendur mes parave të hedhura pa kujdes në shtëpitë që pastronte? Apo Alda Klosi, ish-shefja e konçensioneve, që nuk shpjegon dot tufat me euro, duke i lënë vend hamendësimeve se origjina e tyre janë aferat korruptive?
Deri tani, alibitë e të dyja grave fusin ujë.

Rozeta Dobi e ka ndryshuar deklarimin e saj fillestar. Menjëherë pas arrestimit, ajo tregoi se kishte vjedhur kasafortën me 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë, bashkë me bizhuteritë e zonjës së saj sepse e kishte shumë inat.
Por kur policia i gjeti në tubin e sobës rreth 405 mijë euro të tjera, aty Rozeta Dobi kuptoi se do të fundosej bashkë me të birin, Havierin në qelitë e burgut. Ishte pikërisht i biri, pika e saj e dobët, që e detyroi pastruesen të ndryshonte rrëfimin.
Me premtimin se do t’ia lehtësonin pozicionin e Haverit, prokurorët siguruan të premten e 3 Shkurtit një dëshmi tjetër të pastrueses, që fliste jo më për një vjedhje, por për një marrëveshje me të zonjën e shtëpisë, Alda Klosin.
Dobi tha se skena e grabitjes së banesës në rrugën e Kosovarëve është realizuar në bashkëpunim me Alda Klosin, me qëllim për të fajësuar ish-bashkëshortin e kësaj të fundit.
Pastruesja pranoi se paratë në shtëpinë e Klosit vinin me çantë, por nuk e dinte se kush i sillte.
“Pashë shumë para, kam pastruar tetë shtëpi. M’i la t’i fshihja. Shpesh i shikoja nëpër kuti, i sillnin me kuti, në batanije”, mësohet të ketë rrëfyer pastruesja, e cila pranon se paratë nuk i ka vjedhur, por thjesht i ka fshehur.
Pikëpyetjet që ngrihen për dëshminë e Rozeta Dobit janë të shumta. Së pari rrëfimi i saj është i dyshimtë për faktin se gruaja është e gatshme të pranojë gjithçka për të shpëtuar të birin nga burgu. Së dyti, në shtëpinë e pastrueses u gjetën bizhuteri të familjeve të tjera, që tregon se gruaja nuk e kishte për herë të parë vjedhjen.
Por të paktën, me këtë rrëfim, pastruesja i jep përgjigje një prej pikëpyetjeve më të mëdha të dosjes, që ka të bëjë me 405 mijë eurot që u gjetën në tubin e aspiratorit. Sipas Dobit të gjitha paratë janë të Alda Klosit.

Alda Klosi ka mohuar çdo akuzë që i bëhet nga prokuroria. Pas arrestimit, ajo ka mundur ta shmangë qelinë e burgut, pasi ka shfaqur probleme shëndetësore. Kur bëri denoncimin në polici, Alda Klosi tha se 120 mijë euro dhe 30 mijë dollar do të përdoreshin për kurimin e xhaxhait të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këtë version e ka ende.
Por mbi alibinë e saj ka dyshime të forta për disa arsye.
Së pari Klosi nuk denoncoi që në fillim në polici humbjen e 120 mijë eurove dhe 30 mijë dollarëve. Në 15 Dhjetor ajo denoncoi vetëm humbjen e bizhuterive. Pas arrestimit të pastrueses ajo i shtoi denoncimit edhe vjedhjen e kasafortës me para.
Intervali kohor, në mes të të cilit ajo kreu një vizitë në SHBA ngre dyshime për krijimin e një alibie për justifikimin e parave nga Alda Klosi.
Në anën tjetër, sipas prokurorisë vëllai i Alda Klosit ka bërë një deklarim kontradiktor për origjinën e parave, që sipas tij janë marrë borxh nga një person.
“Flitet për një kontradiktë, por nuk është e vërtetë. Alda Klosit i është thënë vetëm çfarë të ka humbur dhe na jep përshkrimin e sendeve që të kanë humbur. Lekët janë për xhaxhain sepse kishte nevojë për të përballuar shpenzimet për kurimin në Amerikë” ka thënë avokati i Alda Klosit.
Për momentin të dyja gratë janë në izolim. Deklarimet e tyre janë plot me dyshime, kontradikta dhe të informacione që nuk korrespondojnë. Shumat e mëdha të parave janë sekuestruar nga shteti. Janë më shumë se 500 mijë euro dhe 30 mijë dollarë, burimi i të cilave nuk dihet ende me siguri./Lapsi.al