• |
ide | kryesore

Dëshmia në SPAK/ Erion Alibej: Shefit të krimeve i dhurova instalimin e kamerave

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
alibej



Miqësia e shefit të krimeve në Drejtorinë e Policisë Elbasan, me eksponentin kriminal, Erion Alibej, ka zbuluar një tjetër rast të përfitimit të sendeve materiale nga zyrtari i policisë. Pas dhurimit të një “Mercedes-Benzi S 3000”, Erjon Alibej, ka treguar në SPAK, se i ka dhuruar Leonard Palushit, dhe një set kamerash filmike HD dhe DVN, të cilat janë instaluar falas prej tij në lokalin e Palushit, që ndodhet në zonën e “Astirit” në Tiranë.

Prokurorët e SPAK, janë impenjuar gjatë kësaj kohe me qëllim gjetjen e personit me emrin “Klodi” që ka montuar kamerat në lokalin e Palushit. Por deri në këtë fazë të hetimit nuk është bërë e mundur që ky person të identifikohet plotësisht dhe meret në pyetje, rreth kësaj situate. Në dëshminë e tij, Erion Alibej, ka treguar se në një nga takimet që ka zhvilluar në banesën e tij, me Leonard Palushin, ku i fundit ka parë kamerat e instaluara në banesën e tij.

“…me IPAD unë vëzhgoja, kamerat e sigurisë që kisha në aprtament dhe në rrugë afër pallatit ku banoja. Mbaj mend që Leonard Palushi më thotë se kamerat ishin shumë ta qarta dhe shumë të pastra në cilësinë e filmimit. Leonardi më shpjegoi se ishte në përfundim të një lokali në zonën e “Astirit” në Tiranë, nuk më tha se ku saktësisht. Por më tha se ishte në kërkim të vendosjes së kamerave të sigurisë në lokal dhe në garazhin e shtëpisë, të cilën e kishte afër lokalit. Unë i them Leonardit që djalin, i cili mi ka montuar kamerat e familjes unë e kam shok, e njoh.

Ky djali njihet si Klodi i Kamerave, mbiemrin nuk ia di dhe i shpjegoj Leonardit se Klodi e ka dyqanin tek rruga, ku ndodhet piceri “Gjemi”, në Elbasan. Nuk mbaj mend mirë, ose i kam dhënë unë kontaktin e telefonit që e kam lidhur me Klodin ose Leonardi, ka vajtur vetë tek dyqani i kamerave. Më kujtohet që kam thirrur Klodin, tek shpia ime dhe i kam thënë që do shkosh dhe do t’i bësh Leonardit, të gjitha punimet që ka nevojë në lidhje me kamerat dhë në fund të punës, nuk do t’i marësh asnjë lek por do t’i thuash që për respect, e ke nga Erioni.

Pasi u vendosën kamerat, komunikoj me Klodin dhe e pyes nëse Leonardi ishte i kënaqur me punën e kamerave. Mbaj mend që Klodi më thotë që Leonardi ishte shumë i kënaqur sespe i kishte bërë një punë shumë të mirë te lokali. Leonardi, në një takim që kam bërë me të, pasi u vendosën të gjitha kamerat, më shprehet se nuk ishte e nevojshme që unë ta bëja atë veprim. Por mbaj mend, që i kam thënë që të mos e vriste mendjen se atë ia kisha bërë dhuratë për respekt…” – thotë në dëshminë e tij Alibej.

Prokuroria ka bërë verifikime, me qëllim gjetjen e shtetasit me emrin “Klodi i kamerave”, por nuk është bërë i mundur identifikimi i këtij personi. Për sa më sipër, në pamundësi të identifikimit të këtij personi, nuk mund të arrihet në një konkluzion përfundimtar lidhur me këtë fakt të treguar nga Alibej. /ora news



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *