• |
ide | kryesore

Tragjedia greke, 43 viktima në aksidentin më të rëndë hekurudhor në historinë e vendit

Kryesore



Një tren pasagjerësh dhe një tren mallrash u përplasën kokë më kokë në Greqi të martën mbrëma. Për pasojë mbetën të vrarë 43 persona dhe të plagosur disa dhjetëra, teksa përplasja hekurudhore më vdekjeprurëse e vendit hodhi nga binarët vagona të tëra.

Shumë nga viktimat mendohet se ishin studentë universiteti, të cilët po ktheheshin pas pushimeve. në rrugën e tyre nga një fundjavë e gjatë pushimi. Numri i të vdekurve pritet të rritet, thonë zyrtarët.

“Pati shumë panik… zjarri ishte i menjëhershëm dhe u përhap nga të dy anët,” tha Stergios Minenis, një pasagjer 28-vjeçar që u hodh për të shpëtuar.

Një pasagjer që arriti të dilte prej vagonit të pestë tha për Skai TV: “Dritaret u thyen dhe njerëzit po bërtisnin…Njëra nga dritaret u rrëzua nga përplasja me pjesën e hekurt të trenit tjetër.”

Vinçat ngritën vagonët e pasagjerëve të dalë nga shinat në mëngjes, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhduan të gërmojnë nëpër masën e djegur të çelikut.

Kreu i stacionit lokal, i ngarkuar me sinjalizimin, është arrestuar, tha një zyrtar i policisë, ndërsa hetuesit u përpoqën të zbulonin pse dy trenat kishin qenë në të njëjtën shinë.

“Është një tragjedi e paimagjinueshme. Me mendje sot jemi me të afërmit e viktimave,” tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në vendin e rrëzimit.

“Një gjë mund të garantoj; ne do të zbulojmë shkaqet e kësaj tragjedie dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur, që ajo të mos ndodhë kurrë më”, vazhdoi ai.

Përplasja ndodhi pasi treni i pasagjerëve që ishte nisur për në qytetin e Selanikut nga Athina, doli nga një tunel pranë qytetit të Larisës.

Zëdhënësi i qeverisë, Giannis Oikonomou tha se dy trenat kishin lëvizur drejt njëri-tjetrit, në të njëjtën linjë “për shumë kilometra” përpara përplasjes.

Treni i pasagjerëve mbante 342 udhëtarë dhe 10 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa dy anëtarë ekuipazhi ishin në trenin e mallrave, sipas të dhënave të Hellenic Train.

Gjashtëdhjetë e gjashtë nga të plagosurit u shtruan në spital, gjashtë prej të cilëve në kujdes intensiv, tha një zyrtar i brigadës së zjarrfikësve.

Të mbijetuarit u evakuuan në Selanik, ku disa prej tyre u pritën me ankth nga familjarët e shqetësuar.

Shefi i njësisë së urgjencës në spitalin e Larisës, Apostolos Komnos, tha se shumica e të vdekurve janë të rinj, rreth të 20-tave.

Qeveria shpalli tre ditë zie kombëtare, nga e mërkura deri të premten, me flamuj të valëvitur në gjysmështizë në shenjë nderimi për viktimat e aksidentit.

Presidentja Katerina Sakellaropoulou ndërpreu një vizitë në Moldavi për t’u kthyer në Greqi.

“Edhe në këtë moment, një operacion për shpëtimin e jetës po vazhdon për të ndihmuar ata që janë në këtë tren të vdekjes,” tha ajo në një konferencë shtypi në kryeqytetin moldav, Kishinau.

Tragjedia

Televizioni shtetëror ERT tregoi një ekuipazh që transportonte atë që mendohej se ishte viktimë, e mbuluar me një çarçaf të bardhë, në një ambulancë.

Zëdhënësi i brigadës së zjarrfikësve Vassilis Varthakogiannis tha se evakuimi i pasagjerëve u bë në “kushte të vështira duke pasur parasysh ashpërsinë e përplasjes së dy trenave”.

“Po jetojmë një tragjedi. Po nxjerrim njerëz të gjallë, të plagosur…ka të vdekur”, tha ai.

Treni i mallrave po udhëtonte nga Selaniku në Larisa. Mediat lokale thanë se treni u nis nga Athina rreth orës 19:30 (05:30 GMT). Brigada e zjarrfikësve tha se është njoftuar për aksidentin pak para mesnatës.

Greqia ia shiti operatorin hekurudhor TRAINOSE, italianes Ferrovie dello Stato Italiane në vitin 2017 si pjesë e programit të saj ndërkombëtar të shpëtimit, duke pritur që qindra miliona euro të investohen në infrastrukturën hekurudhore në vitet e ardhshme.

Sipas faqes së internetit të kompanisë italiane, ajo është ofruesi kryesor i transportit hekurudhor për pasagjerët dhe mallrat në Greqi dhe drejton 342 linja pasagjerësh dhe tregtare në ditë.

Sistemi hekurudhor i vjetër i Greqisë ka nevojë për modernizim, me shumë trena që udhëtojnë në shina të vetme dhe sisteme sinjalizimi dhe kontrolli automatik që mbeten ende për t’u instaluar në shumë zona.

Burimi: Reuters

Përktheu: ©Lapsi.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *