• |
ide | kryesore

‘Dhunë e skllavëri,’ Hutra i dënuar me 1 vit/ Zbardhet vendimi i Gjykatës

Arkiva, Lajme, Të fundit



24 orë pas kryerjes së masakrës, me 3 viktima e 3 të plagosura, me autor Dan Hutrën, janë zbardhur detaje se si ka arritur të dilte nga qelia. Brenda 8 ditëve nga vendimi i gjykatës për ta dënuar me 1 vit, togat e zeza të Tiranës i njohën afatet e paraburgimit duke e lënë të lirë. Por pavarësisht skedës me rekorde kriminale, në harkun e 20 viteve, kërcënimeve me gjak, e veprimeve skllavëruese ndaj ish-të fejuarës, në rrethana që ngrenë mjaft pikëpyetje, Dan Hutra lirohet pas 8 muajsh nga qelia. Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, njoftoi për herë të dytë nisjen e veprimeve mbi përgjegjësinë e mundshme disiplinore tek vendimet e magjistratëve.

Masakra e shkaktuar nga 40-vjeçari Dan Hutra të mërkurën në Tiranë me 3 gra të vdekura e 3 të tjera të plagosura, ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi vendimet e sistemit të drejtësisë.

Për herë të fundit, ai la qelitë e burgut më datë 16 shkurt të këtij viti, vetëm 2 javë para masakrës. Gerd Hoxha, i njëjti gjyqtar që i njohu kryerjen e dënimit, duke e liruar nga qelia më 16 shkurt, e kishte dënuar më 8 shkurt me 1 vit e 6 muaj heqje lirie, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi zbriti në 12 muaj. Në rrethana që ngrenë mjaft pikëpyetje, Dan Hutra nuk e shtyn as 12 muaj në qeli, duke dalë prej saj vetëm pas 8 muajsh.

E njëjta masë dënimi ishte kërkuar edhe nga Prokuroria. Por teksa këto dy institucione, në vendimet dhe kërkesat e tyre citojnë pafund nene dhe ligje, në të njëjtën dosje, përmenden kërcënimet me gjak, përvetësime të parave, ‘skllavëria’ apo episode dhun me përgjegjës Dan Kurtin. Elena Hysa, e fejuar me 40-vjeçarin, do të rrëfente qershorin e kaluar episode tronditëse dhune.

ELENA HYSA, ISH- E FEJUARA E DAN HUTRËS

“Jam dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht prej tij, jam trajtuar si skllave. Më kërkonte ti hiqja dhe ti vishja çorapet, mëngjesin dhe kafen tek krevati. Më godiste me shpulla në prezencë të nënës së tij. Më ka ndaluar të dilja nga banesa, apo të qëndroja e vetme”.

Një test shtatzanie ngriti alibinë e Dan Hutres, që pretendonte se foshnja e ngjizur nuk ishte e tij. Ky episod i jep fund bashkëjetesës, teksa Dan Hutra se lë të qetë familjen Hysa. Ai kërkon 4 mijë euro që kishte shpenzuar për fejesën, thotë nëna e Elenës.

KUJTIME HYSA, NËNA E ELENËS

“Dan Hutra iu drejtua bashkëshortit me fjalët “Dua kokë njeriu, do shkojë gjaku deri në gju sepse vajza juaj më ka ikur nga shtëpia. Përpara se të largohej i kërkoi 4 mijë euro. Unë i kam dhënë 1850 euro. Iku por na ka telefonuar sërish duke na thënë: “Nëse nuk i gjeni, do vij te shtëpia e do ta bëj vendin gjak”. Pas kësaj, erdhi tek shtëpia, na kërcënoi me fjalët “Do flasin mediat botërore për mua”.

Por sikur të mos mjaftonin këto dëshmi dhe episode, Dan Hutra prej 20 vitesh, kishte një të shkuar të errët. Në 2003, mori peng njërën nga kunatat e tij, teksa tjetrën e përdhunoi. Kreu dënimin për të ardhur tek ngjarja e 2007, me vrasjen e bashkëshortes së dytë që e masakroi për vdekje me thikë. Madje, pas vrasjes të cilën para autoriteteve u përpoq ta inskenonte si vetëvrasje, familjarëve të viktimës, u tha “të rroni vetë, vajzën e vrava”.

Dënohet me 25 vite burg, kreu vetëm 13 vite. Dan Hutra ishte personazh edhe i dy planeve të arratisjeve nga Burgu i Drenovës, për të vijuar me dy episode të tjera në Durrës. Dy herë u vendos nën akuzë për vjedhje dhe tentativë vjedhje. Të dyja në harkun e 45 ditëve, teksa me 1 shkurt të 2022 do të ishte i çliruar nga akuzat.

Pavarësisht gjithë skedës së mësipërme pas kallëzimit të Elena Hysës në qershor të vitit të kaluar, do të gjykohej nga togat e zeza të Tiranës se meritonte 8 muaj burg. Sapo e kreu dënimin, rikthehet me gjakftohtësi për të kryer 3 krime, me 3 viktima e 3 të plagosura, gati me shënjestrën e radhës, pas asnjë shenjë pendese.

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, njoftoi për herë të dytë këtë të enjte, se ka nisur me prioritet maksimal sqarimi i vendimeve të gjykatave mbi përgjegjësitë disiplinore eventuale të çdo magjistrati, dhe në përfundim do të dalë dhe me një njoftim publik për gjetjet./syritv



2 Comments

  1. E denuan me vetem 1 vit. Nuk e lane te mbaje as vetem 12 muaj burg. Epo familjaret te merren me keta qe i liruan si fillim, pastaj me monstren

  2. Prepare to be tortured: – the price you will pay for dating a narcissist

    A.B. Jamieson

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *