• |
ide | kryesore

Kush po e varros opozitën?

-Instant, 2, Arkiva, Ide
Blendi Kajsiu



Çështja McGonigal ka hedhur edhe një herë në qarkullim tezën se Edi Rama është përgjegjësi kryesor për lëngatën politike të opozitës. Është ky i fundit që, në fillim me Sorosin dhe më pas me FBI-në, e ka varrosur opozitën shqiptare dhe bashkë me të edhe demokracinë. Ndaj “skandali” McGonigal paraqitet mbi të gjitha si provë e asgjësimit të opozitës nga ana e pushtetit nëpërmjet korruptimit të SHBA-ve. 

Kemi të bëjmë me një konspiracion që ka gjetur një “kokë turku” për të fshehur shkaqet reale të krizës së opozitës.  E vërteta e thjeshtë është se kriza e opozitës nuk zgjidhet edhe sikur Edi Rama të largohet që nesër nga politika, sikurse u largua Gramoz Ruci dje. Kaq mjafton për të rrëzuar teorinë e Ramës si varrmihës të opozitës.

E vërteta e dhimbëshme është se Partia Demokratike sot nuk vjen dot në pushtet edhe sikur përballë të ketë Erjon Veliajn, Belinda Ballukun, Pandeli Majkon, apo Niko Peleshin, sepse ajo në zgjedhje nuk përballet thjesht me një individ por me Partinë Socialiste të Shqipërisë (PSSH). Është organizata politike më e fuqishme, më e disiplinuar dhe më jetëgjatë që ka ekzistuar në historinë politike të kombit shqiptar, brenda dhe jashtë kufinjëve të tij.

Opozita PD-LSI sot nuk vjen në pushtet edhe sikur zgjedhjet të organizohen nga një qeveri teknike apo nga një mision i Bashkimit Evropian. Natyrisht pas humbjes së zgjedhjeve opozita do denoncojë kapjen e BE-së apo të qeverisë teknike nga Rama. Pse jo? Nëse Rama kap SHBA –të përse nuk do kapë një qeveri teknike apo disa diplomatë evropian? 

Natyrisht në këtë pikë opozitarët e sinqertë do argumentojnë se Rama e mori në qafë PD-në me non-gratën e Berishës. Le të supozojmë se non-gratën e bëri Rama pasi mori në telefon SHBA-të nga një numër sekret që i kish dhënë Sorosi. Problemi është se PD-ja kish hyr në krizë të thellë shumë përpara shpalljes non-grata të Sali Berishës. 

Humbja e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 e trullosi plotësisht PD-në që ish rrapatosur 8 vite rrugëve në opozitë. Ishte humbja e disatë e Bashës, pasi kish humbur thellë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, pasi humbi të gjithë pushtetin vendor sepse nuk hyri në zgjedhje, pasi kish djegur kot të gjitha mandatet në parlament duke i dhuruar aty një shumicë absolute Edi Ramës.  

Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, humbësi serial Lulëzim Basha u rizgjodh kryetar i PD-së në mënyrë rrufe, pa një analizë mbi humbjen e zgjedhjeve, pa fushatë brenda partisë dhe me manipulim të antarësisë. Të trullosur dhe me sytë nga Berisha demokratët ri-zgjodhën një líder tek i cili nuk kishin fare besim sepse i conte nga humbja në humbje. Kjo ishte pika e fundit që e mbushi gotën e agonisë opozitare dhe e futi PD-në në një depresión të thellë politik. 

Në këto kushte shpallja e Berishës non-grata e zgjoi PD-në nga letargjia e thellë politike ku ndodhej dhe hapi debatin themelor pro dhe kundër berishizmit. Të gjitha debatet dhe analizat që duhet të ishin bërë pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2021 u bënë pas përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar si pasojë e shpalljes së tij non-grata. Ishte kjo ngjarje që krijoi hapësirën ku mbështetësit dhe kritikët e berishizmit më në fund mund të shpreheshin haptas. 

Shpallja e Berishës non-grata jo vetëm që nuk e varrosi opozitën por i dha asaj një mundësi për të bërë katarsis, për rinovim, për hapje ndaj shoqërisë dhe demokratizim nëpërmjet debatit të hapur politik. 

Pavarësisht qëllimit të tyre politik, si foltoret e Berishës edhe Kongresi që organizoi Basha i dhanë frymëmarrje PD-së dhe ngjallën shpresë dhe mobilizim si tek berishistët edhe tek anti-berishistët. Krijuan hapësira reale të debatit politik që trazuan ujërat e ndenjura të opozitës.

Fatkeqësisht mundësia që ofroi shpallja non-grata e Berishës për renovimin dhe reformimin politik të opozitës ende nuk është materializuar. Teksa carja mes dy kampeve konsolidohet dhe debatet mes berishistëve dhe anti-berishistëve fiken PD thjesht po kthehet në agoninë ku lëngonte që pas zgjedhjeve të vitit 2021. 

PD-ja me në krye Berishën sot është e ngjashme me PD-në e Bashës pas zgjedhjeve paralamentare të vitti 2021; pa fabul, pa ofertë dhe me një udhëheqës që e con drejt humbjes së sigurt. Natyrisht gjendja sot është edhe më rëndë si pasojë e shpalljes së Berishës non-grata, por kriza themelore e PD-së nuk mund të reduktohet thjesht tek kjo e fundit.

Mjafton të imagjinojmë rrugëtimin e opozitës pa non-gratën. Sot PD-ja në krye të saj do kishte Bashën, me Berishën nga prapa dhe me Metën anash. Pra në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 opozita do prezantohej me të njëtën formulë humbëse të vitit 2021, Basha-Berisha-Metaj! Me një líder si Basha që nuk frymëzonte as vetë PD-istët. Me të njëjtën fabul të dështuar: është rradha jonë për të qeverisur!

Denocimi i Ramës si ekzekutues i opozitës shërben thjesht për të zhvendosur vëmendjen nga varrmihësit e vërtetë të saj që ende janë me lopatë në dorë. Varrmihësi kryesor i opozitës është pa dyshim Sali Berisha që e ka reduktuar PD-në në mburojë të halleve personale. Mjafton të shikosh se si aksioni politik i PD-së berishiste sot nuk ka fare lidhje me ardhjen në pushtet të opozitës. Sot PD-ja është reduktuar në lavazhin politik të Berishës.

Midis aksionit elektoral dhe denoncimit të faktorit ndërkmbëtar aksioni opozitar sot anon dukshëm nga kjo e fundit. Mjafton të shikosh se sa kohë dhe investim opozita sot harxhon në bërjen e fushatës elektorale në nivel lokal dhe sa kohë dhe energji harxhon duke denoncuar korruptimin e faktorit ndërkombëtar apo projektet e tij si reforma në drejtësi dhe SPAK. 

Politikisht sulmet e opozitës ndaj sistemit të drejtësisë jo vetëm që nuk shërbejnë për forcimin e këtij të fundit por e vendosin opozitën në përplasje direkte si me BE-në edhe me SHBA-të që janë mbështetësit dhe ideatorët e reformës në drejtësi. Kështu Edi Rama transformohet në interlokutorin e vetëm të faktorit ndërkombëtar në Tiranë. 

Nga ana tjetër, sulmi ndaj reformës në drejtësi nuk i shton opozitës vota tek elektorati gri që i duhet për të ardhur në pushtet. Idea se ky elektorat do votojë opozitën sepse ajo po sulmon reformën në drejtësi që financohet dhe mbështetet nga ndërkombëtarët nuk ka asnjë llogjikë elektorale. Sidomos po të kemi parasysh se gjatë qeverisjes Berisha-Meta drejtësia në Shqipëri administrohej nga gjin gjonërat. 

Sulmi ndaj SPAK apo reformës në drejtësi mund ti shërbejë Berishës dhe Metës sepse delegjitimon hetimin e tyre nga këto institucione. Ama elektoralisht është një sulm që i heq opozitës jo vetëm votat e elektoratit gri por edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Ndaj nuk ka llogjikë elektorale.

Në të njëjtën mënyrë sulmet ndaj ambasadores së SHBA-ve apo akuzat për korrupsion ndaj ambasadorit të Britanisë së Madhe nuk kanë asnjë llogjikë politike apo elektorale në funksion të ardhjes në pushtet të PD-së. Përkundrazi ato largojnë jo vetëm diplomatët por edhe elektoratin gri që beson shumë më tepër te SHBA-të dhe Britania sesa tek dyshja Berisha-Meta. Këto sulme shërbejnë thjesht për të delegjitimuar shpalljen non-grata të Berishës. 

Në fakt i gjithë aksioni opozitar organizohet në funksion të këtij qëllimi. Cështja McGonigal trumpetohet me forcë si evidencë e kapjes së SHBA-ve nga Rama për të shpallur non-grata Berishën. Ndaj opozita merret më shumë me të dashurat e McGonigal sesa me problemet e qeverisjes vendore, apo me shqetësimet e qytetarëve në nivel lokal, edhe pse zgjedhjet vendore janë në prag.

Por natyrisht Berisha nuk ia ka bërë opozitës varrin vetëm. Atë e kanë ndihmuar plot ushtarë brenda dhe jashtë PD-së. Një pjesë e mirë e mbështesin thjesht sepse mendojnë se është më i forti brenda PD-së dhe mund tu ofrojë dicka. Të tjerë e mbështesin sepse ka shumicën e votave në PD, edhe pse kjo shumicë ka ngrirë prej 30 vitesh. Ashtu sikurse ka plot të tjerë që e adhurojnë Berishën sepse i jep zë urrejtjes së tyre ndaj Edi Ramën. 

Në groposjen e opozitës nuk mund të injorohet as grupimi anti-berishë me liderin e tyre Basha apo Alibeaj. Një grup që ende nuk ka mësuar se si të përballet me Berishën qoftë si individ qoftë si fenomen, teksa pret që opozitën t’ía dhurojë gjykata ose ambasada amerikane.

Është cudi e madhe ta kërkosh agoninë e opozitës te Rama, te Sorosi apo te McGonigal në Washington teksa varrmihësit e saj vazhdojnë punën me lopata në dorë në mes të Tiranës. Është absurde të mendosh se Rama, Soros apo McGonigal do shpenzojnë kapitalin e tyre të vyer politik, diplomatik, dhe financiar për të varrosur një kufomë politike që cdo ditë i bën varrin vetes.

Ishte tragjik justifikimi i Enver Hoxhës dje se fajin për gjendjen e mjeruar të Shqipërisë e kishte imperalizmi anglo-amerikan dhe poliagjentët e tij. Është qesharake sot të dëgjosh Sali Berishën teksa përsërit të njëjtin refren për gjendjen e mjeruar të opozitës. Ndoshta kish të drejtë Marksi me Hegelin kur vërenin se ngjarjet dhe personazhet historike shfaqen dy herë, herën e parë si tragjedi dhe herën e dytë si farsë.   

 

 



24 Comments

    1. “Kush po e varros opozitën?” Kjo është pyetja?

      Është e qarte si drita e diellit, nuk ka nevojë fare për hartim. Varrmihësi i PDsë është Sali Berisha. Dhe po i hap një gropë të thellë që të mos dalë më kurrë.

  1. Pra sipas zoterise fajin e ka opozita.

    Cinizmi arrin kulmin kur thote se PSSH ( nuk e quan Rilindje eshte organizata politike më e fuqishme, më e disiplinuar dhe më jetëgjatë që ka ekzistuar në historinë politike të kombit shqiptar, brenda dhe jashtë kufinjëve të tij).

    Eshte reaksionare dhe skandaloze te behen analiza te tilla ne nje moment te tille, kur rrezikohet seriozisht pluralizmi dhe demokracia ne Shqiperi.

    1. E vertete. Nuk thote qe ps ka qene tej e ndane nje grupim mafioz qe vec deme i ka sjelle ketij vendi mjeran.

      1. Nuk e di a jani të trashë, apo bëni vetë si të tillë. Sido të jeni, Kajsiu nuk po shënjestron anën etike të PSsë në këtë rast, e mirë apo e keqe, por vë në dukjë forcën që ka kjo parti në elektoratin e saj. Forcë e cila duhet kapërcyer medoemos nëse PDja synon pushtetin.

        1. i trashe je ti qe ben sikur nuk e kupton ku e ke shenjestren autori i ketij shkrimi. Nuk te ofendoi njeri, prandaj mos u irrito.

  2. Mendoj se per shendetin mendor te lexuesve le Lapsit artikujt e ketij gazetari, avokat te Rames, duhen te shoqerohen me shenimet perkatese per te kunderpeshuar demin qe i bejne keto arsyetime bajate mendimit opozitar ne Shqiperi.

  3. Opoziten e ka marr ne qafe Sali Berisha qe diten qe u zgjodh Kryetar dhe filloi te spastronte te gjitha figurat e shquara qe mund t’i benin atij konkurence.

    Sot PD-ja eshte njesoj si Shqiperia e pas 45 vite spastrimesh komuniste, totalisht e paafte per t’u perballe me realitetin dhe boten.

    1. E ke gabim. Kushdo qe te ishte. Fajin e ka ky popull qe nuk do te ndryshoje. Ketij populli nuk ka opozite e kryetar opozite qe i ben derman.

      1. Dakord dakord, ai eshte muhabet tjeter, por gjithsesi do kishte qene nje cik me e lehte edhe per kete popull, po te mos kishte qene ky ne krye. Ishte shume toksik ky. Ky nxorri me te keqen nga nje popull qe i ishte futur djalli ne bark per 45 vite, pa marr parasysh shekujt e meparshem.

        Imagjino ne krye te PD-se (de jure dhe de facto) te ishte Neritan Ceka, Gramoz Pashko, Aleksander Meksi… do kishte qene me pak i dhimshem tranzicioni.

        Nganjehere eshte ceshtje fati qe njerez si ky vijne ne krye. Nuk eshte gjithmone faji i popullit.

        Pluuuus, plus… mos harrojme qe ne historine e Shqiperise moderne udheheqesit i kane zgjedhur Forcat e Huaja. Dhe kjo s’eshte fare teori konspiracioni.

        1. O Palikari
          po pse nuk e provuma 8 vjete PD-ne pa Berishen? Ja Luli i edukuar ne perendim ishte, po e udhehoqi PD-ne i sigurt nga humbja ne humbje.
          Vella, duhet edukim, populli shqiptar i lavdishem por i dhier deri ne gryke duhet te shkollohet e te hapi syte.
          Simboli eshte ajo beratsja qe thoshte aman vetem Partia te jete e forte pa na shkerdheni te gjitheve… A mundet te na tregoj Kajsiu si mund t’i dryshosh mendjen kesaj krijese?

  4. Ja iku Berisha, iku Meta, iken te gjithe opozitaret, populli cfare do te beje perballe ¡kesaj diktature rilindase: pergjigja eshte e thjeshte, do shtroje kurrizin sic veproi per 45 vjet komunizem.

    1. E ke gabim,pasi po u terhoq Berisha nga politika automatikisht opozita do zgjedhi nje lider te ri te paperlyer me pare dhe te pavarur nga Berisha,i cili do kete perkrahjen e SHBAve dhe Europes dhe me nje program dinjitoz qe ngjall shprese larg figurave te konsumuara dhe di shikosh sa e thelle do jete fitorja ne zgjedhjet e ardhshme parlamentare…

  5. Për Sali Berishën duket se nuk janë ditët më të mira. Pas DASH, i cili i konsideronte qesharake akuzat e tij, ndërsa i rikujtonte sanksionet e Sekretarit të Shtetit për korrupsion të theksuar,

    Al Jazzera i ka ‘dhuruar’ sot një kopertinë falas, por sërish për fatin e tij të keq, personazhi i zgjedhur nuk është i duhur. Sali Berisha shfaqet krah presidentit sirian Bashar Al Assad.

    “Ose unë, ose kaos” – citohet Asad në kopertnën e Al Jazeera.

  6. Sa te jete sala ps sngre koke. Turp edhe per mbeshtetesit e pd qe skane aftesinte zgjedhin nje udheheqes te ri

  7. brenda Partisë Demokratike, i kanë thënë se edhe nëse Berisha do të marrë vulën, do të ketë dhunë.

    “Meqë unë kam shumë miq atje në Partinë Demokratike se jam vetë një krijues i saj, kam marrë vesh gjëra akoma më absurde.

    Nëpër rrethinat e Tiranës po përgatiten me bishta lopate, me bishta sëpate, me bishta kazmash dhe nëpër seksionet e rrethinave janë përgatirur nesër për një demonstratë të dhunshme, për protestë të dhunshme.

  8. Kajsia vazhdon ne rrugen qe i kane caktuar, fajso opoziten per gjendjen katastrofike ku ndodhemi.Ai thote se nongrata e Berishes nuk ndikoi aspak ne percarjen e Pd edhe sikur kete ta kete bere qeveria.Po bej nje krahasim te thjeshte:Ne nje familje ne gjendje te mire financiare kryefamiljari bie ne burg ( nga regjimi i meparshem) e pastaj fillojne sekuestrimet e internimi a mbetet gjendja financiare njelloj si para se te binte burg kryefamiljari? Kjo eshte teoria e autorit i cili nuk eshte aspak naiv por sic e thashe me lart eshte i paguar per te bere zhurmnaje turbulluse ose eshte si nje pjese jo e vogel e shqiptarevet qe jane te ndare ne tifozerine e tyre qe ne luften e dyte boterore sepse ka patur gjyshin partizan .E kjo e dyta per rastin e Kajsiut mendoj eshte me poshteruse sepse ai e fut vehten tek elita ,por me duket se eshte njelloj si te ashtuquajturit vipa te bigbrotherit tone qe nuk dine se sa bejne dy plus dy.

  9. Kajsiu ka te drejte qe fajeson te gjithe drejtuesit e PD per situaten ku ndodhet dhe luften brenda saj, por jo kur thjeshton rolin e Rames, Soros e MacGonigal dhe Ambasades Amerikane, te gjithe ne nje front…

    Mjafton te shohim Putinin perballe gjithe Perendimit per nderhyrjen ushtarake ne Ukraine dhe gjithcka duket qarte. Edhe nje fuqi e madhe nuk qendron dot perballe nje goditjeje me forca te bashkuara.

    Sipas Kajsiut edhe juntat fashiste njera pas tjetres ne Ameriken Latine ne vitet 60-70, apo regjimet fashiste ne Spanje e Portugali deri me 1975 paskan qene per faj te opozitave ne ato vende, madje edhe fenomeni i rrezikshem i “kapjes se shtetit” nuk paska asnje rol ne shoqeri.

    Kur analiza mbyllet me Hegelin e Marksin, kjo do te thote qe eshte lene pergjysme…

  10. Diplomatët amerikanë janë zhgënjyer tashmë nga Sali Berisha, të cilin e cilësojnë autarkik, të paparashikueshëm dhe jo bashkëpunues”. Kështu shkruante këto ditë AleksPapahella, për gazetën “Kathimerini’. Korrespondenti, që nga Shtëpia e Bardhë, shkruan : “Fakti që presidenti shqiptar sapo u kthye nga vizita e tij ne Uashington hoqi kryetarin e Gjykatës se Kasacionit dhe sanksinoi një ligj që le partitë e vogla jashtë parlamentit, i ka irituar amerikanët

  11. Per kur flet ky gazetari grek nga Amerika dhe jo ndonje nga Athina qe na ka afer e na sheh cdo dite?!

    Ndoshta i referohesh ndonje artikulli te para 1996, pra shekulli i kaluar…

  12. nëse gjyqin do ta kishte fituar ai, thirrjet për dhunë dhe linçim ndaj Bashës e Alibeaj, do të ishin edhe njëqind herë më të forta se kaq. Tani ato thirrjet bëhen nga pozitat e njerëzve të dëshpëruar dhe të pashpresë që problemin të cilin ja krijuan vet PD, duan tua faturojnë të tjerëve. Por po ta fitonin vulën, ata nuk do ofronin paqe siç ofrojnë këta, por do niseshin vet “drejt shtëpive të tyre” siç e kanë zakon shpellarët e Berishës në këto raste.

  13. Nafta dhe kromi po iken lum ne drejtim të paditur, çmimi vazhdon I larte, Shqiptarët po ikin nga sytë këmbët, fajin e ka Berisha?!!!!!!!
    Në Francë dhe Greqi qytetarët ngrihen duke tundur themelet, këtu fajin e ka prapë Saliu😥😥😥😥

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *