• |
ide | kryesore

I hapur për rinovimin, Rabiot tërbon interistët: “Këtu flitet shumë, zikaltrit më të dobët se në të kaluarën”

-Instant, Sport
Rabiot



Adrien Rabiot është kthyer të jetë nga rosaku i shëmtuar i mesfushës së Juventus në një udhëheqës autentik, dhe jo vetëm i repartit. Me golat e tij ai bëri që bardhezinjtë të ngrenë kokën sërish pas disa goditjeve të rënda, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. E tani ata tifozë që as nuk donin të dëgjonin emrin e tij, po bërtasin që ai të konfirmohet edhe për të ardhmen. Kontrata e francezit shkon në skadencë në qershor.

“Për momentin nuk ka asnjë lajm, por sigurisht që do të flasim së shpejti. Për rreth dy muaj sezoni do të përfundojë dhe do të përpiqemi ta diskutojmë, por jam i qetë. Ka mundësi largimi, por edhe mundësi për nënshkrimin e një kontrate tjetër me Juventus. Ndihem mirë në Torino dhe kam një marrëdhënie të mirë me drejtuesit, shokët e skuadrës dhe trajnerin. Edhe ai më ka ndihmuar në dy vite si dhe më ka dhënë shumë besim. Mendoj se e gjithë kjo është e rëndësishme për t’u ndjerë mirë. E për këtë arsye duhet të bëj zgjedhjen e duhur për të ardhmen time”, tha francezi për Tuttosport, duke qenë i hapur për një rinovim të mundshëm.

VLERËSIMI PËR ALLEGRIN

Ai që shtyn me forcë për qendrimin e tij është Allegri. “Mendoj se Allegri ka vërtet shumë cilësi. Për mendimin tim, së pari, ai di të menaxhojë shumë mirë grupin. Ndonjëherë u drejtohet lojtarëve si një baba. Ai ka cilësinë që di të flasë në mënyrën më mirë me të gjithë. duke kuptuar edhe karakteristikat e tyre psikologjike. Pastaj është fantastike sesi di të inkurajojë të gjithë grupin. Edhe në momentet e vështirësisë apo presionit maksimal di të gjejë fjalët e duhura me tonin e duhur. Na inkurajon që të mos dorëzohemi kurrë dhe është gjithmonë në gjendje të maskojë çdo tension që mund të provojë,” shtoi Rabiot.

THUMBIMI PËR INTERIN

Megjithatë, të dielën, Rabiot ishte njeriu që zemëroi Simone Inzaghi për një faull të pretenduar me dorë në aksionin e golit vendimtar të Kostic: “Që kur kam qenë në Itali, e kam kuptuar që kur ka diçka që shkakton diskutime, flasim gjithmonë për një kohë të gjatë. Në Francë është ndryshe, padyshim këtu futbolli jetohet në një mënyrë tjetër, pothuajse si një fe. Ai përfaqëson një pjesë të madhe të jetës së njerëzve që janë tifozë. E kuptoj pse flasim kaq shumë për të gjitha këto çfarë ndodhin në fushë”.

Lexo më tej: Video/ Dy prekje me dorë në golin që vendosi ndeshjen, Cesari analizon: “Nëse ka, është avantazhi i sigurtë”

Sigurisht, Interi i sfiduar në San Siro nuk humbi për shkak të arbitrave: “Kisha një përshtypje të ndryshme në krahasim me ndeshjen e parë në Torino. Kam parë një ekip më pak të fortë. Po them të vërtetën: më dukeshin ndryshe nga dy vjet më parë dhe vitin e kaluar. Kisha ndjesinë se kishin më pak siguri. Nëse analizojmë kampionatin e tyre, shohim se ata kanë humbur shumë ndeshje këtë vit”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *