• |
ide | kryesore

Institucionet paralele të Serbisë që funksionojnë lirshëm në Kosovë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Mijëra qytetarë serbë të Kosovës vazhdojnë punën në institucione paralele, të financuara dhe menaxhuara nga shteti i Serbisë, që nga paslufta më 1999. Serbia ndan dhjetëra-miliona euro për to çdo vit. Komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme, si dhe universitete publike, të financuara drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, ka në shumë qytete të Kosovës, ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb.

Këta mekanizma, edhe pse jolegalë sipas ligjeve të Kosovës, nuk janë ndalur së vepruari, pavarësisht se Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.

Një marrëveshje për shuarjen e tyre është arritur në prill të vitit 2013, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj i plotë në terren lë për të dëshiruar.

Një pjesë e komunitetit është integruar vetëm në disa institucione, si policia apo gjyqësia.
Në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia janë pajtuar edhe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të kishte “juridiksion të plotë” në fusha të caktuara, si: planifikimi hapësinor, shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e kështu me radhë.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk e ka zbatuar kurrë këtë marrëveshje, me arsyetimin se mund ta kërcënojë funksionalitetin e shtetit.

Në një takim në Ohër, më 18 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për zbatimin e një marrëveshjeje të re drejt normalizimit, të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Kjo marrëveshje, mes tjerash, parasheh që komunitetit serb në Kosovë t’i sigurohet një “nivel adekuat i vetëmenaxhimit”.

Saktësisht se për çfarë bëhet fjalë, nuk dihet ende.

Në një raportim para Kuvendit të Kosovës, më 23 mars, Kurti ka thënë se “vetëmenaxhimi nuk është as vetëqeverisje, as vetadministrim” dhe ka shtuar se nuk mund t’iu shmanget marrëveshjeve të mëhershme me Serbinë.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së marrëveshjes për normalizim, që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në një intervistë për REL-in, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se strukturat paralele të Serbisë që funksionojnë në Kosovë, do të futen në kuadrin ligjor të Kosovës kur ta formojë Asociacionin.

“…kështu që ato nuk do të jenë të udhëhequra nga Serbia, por nga Kosova, përmes Asociacionit”, ka thënë Escobar.
Por, ku gjenden këto struktura dhe si funksionojnë?

Sipas të dhënave publike të Qeverisë së Serbisë, në territorin e Kosovës, Serbia ka mbi 20 komuna paralele aktive.

Disa prej tyre kanë pak staf, por ato më të mëdhatë, si komuna paralele e Prishtinës me seli në Gracaniçë apo komunat paralele në veriun me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë staf më të madh dhe kryejnë detyra të përditshme, ngjashëm si komunat zyrtare dhe të ligjshme të krijuara nga institucionet e Kosovës.

Duke qenë se komuna paralele e Prishtinës është më e madhja në Kosovë, REL-i ka vizituar objektin e saj në Graçanicë, por aty nuk është lejuar qasja e as fotografimi.
Kohë më parë, REL-i ka vizituar edhe komunën paralele serbe në Zveçan. Ajo është në të njëjtin objekt me Komunën e Zveçanit, të krijuar nga institucionet e Kosovës. Në disa raste, kryetarët dhe stafi serb janë të njëjtë – punojnë edhe për sistemin e Kosovës, edhe për atë të Serbisë./ REL



2 Comments

  1. Kjo puna e jetes paralele, serbet e kane kopjuar nga shqiptaret.Bile vete Vucici e ka pranu qe serbet e Kosoves do kopjojne formen e qendreses qe kane bere shqiptaret ne ate kohe,sidomos institucionet paralele. Por si cdo kopje, eshte kopje e keqe. Do cmontohen te gjitha,ngadale ngadale. Prandaj Alfa dhe Omega e cdo gjeje eshte e ashtuquajtura Zajednice,statusi i saj dhe sidomos nqs lejohen te kene kometenca egzekutive si ajo e planifikimit urban psh, apo e vendosjes se shefit te policise.Po leshuam pe, fitojne ata, po insistuam e su dorezuam, e cbejme akoma edhe me shume,demin qe na kane shkaktu 3shja famekeqe Isa-Dulla-Thaci. Nejse te shohim neser a do mbushin sheshin kunder Zajednices te pakten 50% sa e mbushte VV kur ishte ne opozite. Cdo proteste kunder Zajendices jo vetem qe nuk eshte e demshme, por perkundrazi i rrit argumentat Kurtit te nderkombetaret kunder Zajednices, por kush ta beje?Tradhetaret?Dardani me gjithsej 5 anetare(dhe votues )partie?Edhe nje proteste qe u be para pak javesh u be e mbeshtetur indirekt nga VV.

  2. Cfare do ti besh serbeve te veriut Albin? Ata as te njohin si shtet dhe as ta varin trasten fare. Gjithcka e kane me Beogradin .
    Albiiiiin. Shkembimi i teritoreve ishte zgjidhja shume here me e mire se kjo pacavurja qe nenshkrove ne Oher.
    Shko lepiji bythen Thacit dhe kerkoji falje per tere ate perbaltje qe i bere.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *