• |
ide | kryesore

Studim/ Ndotja e ajrit vret më shumë se 1,200 fëmijë në vit

-Instant, Arkiva, Planet
ndotja



Ndotja e ajrit shkakton më shumë se 1200 “vdekje të parakohshme” në vit për moshën nën 18 vjeç në të gjithë Evropën dhe rrit rrezikun e sëmundjeve kronike më vonë , tha agjencia mjedisore e BE-së.

Pavarësisht përmirësimeve të fundit, niveli i ndotësve kryesorë të ajrit në shumë vende evropiane mbetet sfidues mbi udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), veçanërisht në Evropën Qendrore-Lindore dhe Italinë, tha EEA pas një studimi në mbi 30 vende, përfshirë 27 anëtarë të Bashkimit Evropian.

Raporti nuk mbuloi vendet kryesore industriale të Rusisë, Ukrainës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke sugjeruar se numri i përgjithshëm i vdekjeve për kontinentin mund të jetë më i lartë.

EEA njoftoi nëntorin e kaluar se 238,000 njerëz vdiqën ‘para kohe’ për shkak të ndotjes së ajrit në vitin 2020 në BE, plus Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë, Zvicrën dhe Turqinë.

“Ndotja e ajrit shkakton mbi 1200 vdekje të parakohshme në vit te njerëzit nën moshën 18 vjeç në Evropë dhe rrit ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve më vonë në jetë”, tha agjencia.

Studimi ishte i pari i agjencisë që u përqëndrua veçanërisht te fëmijët.

“Megjithëse numri i vdekjeve të parakohshme në këtë grupmoshë është i ulët në raport me totalin për popullsinë evropiane të vlerësuar nga EEA çdo vit, vdekjet e hershme përfaqësojnë një humbje të potencialit të ardhshëm dhe vijnë me një barrë të konsiderueshme të sëmundjeve kronike, si në fëmijëri dhe më vonë në jetë”, tha agjencia.

Raporti kërkoi nga autoritetet të përqendrohen në përmirësimin e cilësisë së ajrit rreth shkollave dhe çerdheve, si dhe objekteve sportive dhe qendrave të transportit masiv.

“Pas lindjes, ndotja e ajrit të ambientit rrit rrezikun e disa problemeve shëndetësore, duke përfshirë astmën, funksionin e reduktuar të mushkërive, infeksionet e frymëmarrjes dhe alergjitë”, theksohet në raport.

Situata në Evropë duket më e mirë se në pjesën më të madhe të planetit, thotë OBSH, e cila fajëson ndotjen e ajrit për shtatë milionë vdekje globalisht çdo vit, pothuajse po aq sa për pirjen e duhanit apo dietat e këqija.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *