• |
ide | kryesore

Mirdita, socialistët kërkojnë mandatin e tretë pas humbjes së rëndë më 2021

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Bashkia e Mirditës numëron 27 mijë votues, të cilët pritet të vendosin për kryetarin e bashkisë dhe këshillin bashkiak më 14 maj mes dy kandidatëve, kryetarit aktual Ndrec Dedaj, një ish-kryepolic bashkiak dhe kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë, Albert Mëlyshi, i cili nuk ka një jetëshkrim të publikuar online.

Rezultatet e së shkuarës në territorin aktual të bashkisë, e cila përfshin një territor të gjerë me katër qyteza dhe 81 fshatra, janë të përziera. Në zgjedhjet e vitit 2007, kandidatët e PD-së fituan me rezultat të thellë, ndërsa më 2011, rezultati favorizoi socialistët ndonëse me diferencë të ngushtë. Në vitin 2015, Ndrec Dedaj fitoi zgjedhjet me 55% të votave, ndërsa garonte në emër të koalicionit PS+LSI. Fati për socialistët duket se mbaroi këtu. Në zgjedhjet e vitit 2019, ata grumbulluan vetëm 5300 vota, më pak nga sa kishin marrë edhe në vitin 2011 ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, shënuan një rezultat tjetër negativ historik duke marrë vetëm 4,900 vota. Partitë e opozitës aktuale, PD dhe LSI të marra bashkë morën në këto zgjedhje 54% të votave përkundrejt 38% të PS-së.

Mirdita shtrihet në një zonë kodrinore dhe malore në Shqipërinë veriore. Kryeqendra, qyteti i Rrëshenit, është zhvilluar gjatë kohës së komunizmit si një qytezë minerare. Edhe tre qyteza të tjera, Rubiku, Repsi dhe Kurbneshi u ndërtuan në kuadër të industrisë minerare, kryesisht nxjerrjes së bakrit. Miniera e Spaçit vijon të punësojë një pjesë të banorëve të Rrëshenit pas riaktivizimit disa vite më parë.

Popullsia e Mirditës është vazhdimisht në rënie. Numri i pjesëmarrësve në votime ka rënë nga 15 mijë në 13 mijë. Rezultatet e zgjedhjeve të së shkuarës tregojnë rënie të madhe në numrin e votuesve të socialistëve dhe rritje të lehtë mes mbështetësve të opozitës.

Në garë për 21 vendet e këshillit bashkiak garojnë shtatëmbëdhjetë parti, të cilat kanë në listat e tyre të mbyllura, 376 kandidatë. Një në çdo 74 votues është edhe vetë kandidat, ndërsa ka 18 kandidatë për çdo post anëtari në këshill.(BIRN)



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *