• |
ide | kryesore

Azerbajxhani dhe Armenia bëjnë përparim në bisedimet për paqe

-Instant, Lajme, Planet



Azerbajxhani dhe Armenia bënë përparim të rëndësishëm në adresimin e çështjeve të vështira. Ata shënuan progres gjatë bisedimeve “intensive dhe konstruktive” që organizoi SHBA-ja këtë javë, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Blinken tha se pas diskutimesh dypalëshe dhe trepalëshe gjatë katër ditëve të kaluara, të dyja palët “demonstruan një angazhim të sinqertë për normalizimin e marrëdhënieve dhe përfundimin e konfliktit të gjatë mes tyre”. Dy palët ranë dakord në parim për disa kushte. Blinken tha se ata kanë treguar mirëkuptim të pozicioneve të njëra-tjetrës për çështjet e pazgjidhura.

“Bakuja dhe Jerevani do të vazhdojnë të kenë mbështetjen dhe angazhimin e plotë të Shteteve të Bashkuara në përpjekjet e tyre për të siguruar paqe të qëndrueshme”, shtoi ai.

Çfarë është Nagorno Karabaku dhe pse po rriten tensionet?

Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar dy herë për Nagorno Karabakun – më 1990 dhe 2020. Ata vazhdimisht janë përplasur për kontrollin e territorit. Tensionet janë rritur sërish muajin e kaluar, kur Azerbajxhani ka vendosur një pikë kontrolli në fillim të Korridorit të Lakinit – e vetmja rrugë që lidh Armeninë me territorin e diskutueshëm të Nagorno Karabakut.

Armenia ka thënë se pika e kontrollit, e ngritur më 23 prill, është një shkelje e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Moska. Kjo u ka dhënë fund luftimeve gjashtëjavore në vitin 2020.

Azerbajxhani ka thënë se e ka ngritur atë postbllok për t’i penguar furnizimet e Nagorno Karabakut me armë nga Armenia. Jerevani e ka mohuar këtë akuzë./ REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *