• |
ide | kryesore

“Të thonë ç’të duan, e merituam”. Marini polemika me opinionistët, Colella: “S’kam asnjë ide si ndihem”

-Instant, Sport
Partizani



Partizani ka nisur festën për titullin e 17 kampion, të arritur pas fitores 2-0 me Teutën. Të kuqtë kanë mundur në finish, ndonëse me pikë të barabarta Tiranën në një garë ku nuk munguan edhe polemikat. Emocionet e trofeut i kanë sjellë lot drejtorit sportiv Elton Marini, por jo qetësinë për të përjetuar suksesin: “Kërkoj ndjesë por… është ndjesi e veçantë. Jam shumë i emocionuar – tha Marini i përlotur -. Kemi punuar shumë dhe do të doja të falënderoja të gjithë, nga lojtari i 37 te presidenti. Kemi qenë të gjithë të bashkuar. Në momentet e vështira asnjëherë nuk e lëshuam veten”.

Pastaj edhe shigjetimi për opinionistët që kanë patur rezerva mbi performancat e Partizanit: “Kemi punuar me kokën ulur – tha Marini -. Ishte besim i fshehtë brenda nesh kundrejt të gjitha gjërave që janë thënë për këtë skuadër. Është skuadra me moshën mesatare më të re në kampionatin tonë. Duhet ta shijojmë, e meritojmë. Të flasin, të thonë çfarë të duan por mendoj që e meritojmë”.

COLELLA: “SHUMË NUK BESONIN”

“Emocioni? Në këtë moment nuk kam një ide se si ndihem. Do ta them pak më vonë por jam shumë i lumtur”. Giovanni Colella është i lumtur pas titullit kampion të fituar në javën e fundit të kampionatit. “Ishte i rivalizuar dhe i mirë. Ishin të gjitha në lojë dhe kampionatet e ekuilibruara janë të mira”.

Italiani i parë që fiton një trofe me Partizanin në pesë teknikët e ardhur nga përtej Adriatikut te të kuqtë, vazhdoi më pas: “Kemi pasur shumë momente të mira dhe jo të mira. Por duhen menaxhuar këto situata. Në janar ishim jo mirë. Shumë nuk besonin se kjo skuadër mund të fitojë. Sepse në shumë vite nuk ka fituar shumë tituj dhe me këtë doja që me lojë fjalësh, të mbroja lojtarët”, tha tekniku që harron se ndoshta i pari që nuk besonte ishte vetë ai, si e ka shprehur shpesh herë pas humbjeve. Tekniku në fund ka siguruar edhe se askush nuk do të lëvizë nga skuadra: “Të gjithë lojtarët i kemi nën kontratë. Mendoj se jemi ndër të paktat që do të kemi kontingjent të plotë edhe sezonin e ardhshëm. Mund të ketë lëvizje por të vogla. Klubi ka bërë një punë shumë të mirë”.

REXHEPI: “KRITIKAT MË BËJNË MË TË FORTË”

“Kritikat e kam thënë që të bëjnë më të fortë dhe varet kush i përballon brenda dhe jashtë klubit. E kam pasur të vështirë por durimi, puna dhe përkrahja e klubit e familjes më kanë ndihmuar. Nuk ia dilja pa ata”. Rexhepi, portieri i Partizanit protagonist me pritjen e penalltisë në fund ndaj Kallakut, pa lejuar të hapej ndeshja, ka qenë në fakt më i kritikuari te të kuqtë. Shpesh me gabime, ish-portieri i Skënderbeut tani është lëshuar në krahët e entuziazmit: “Jam shumë i lumtur sepse sezoni nuk filloi mirë për mua por është një ëndërr që nuk e realizon as në gjumë. Është dita më e lumtur e jetës time”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *