• |
ide | kryesore

Mashtrimi me komunitetin mysliman për posterin e Belind Këlliçit

Arkiva, Lajme, Të fundit



Për disa ditë në mediat shqiptare qarkulloi një lajm se komuniteti mysliman dënonte posterin e fushatës së Belind Këlliçit, ku ai “i ngrinte” gishtat e mesit korrupsionit në Tiranë. Pretendimi në media ishte se ky reagimi i faqes në Facebook “Xhamitë e Tiranës” ishte një reagim i Komunitetit Mysliman apo një instituti fetar të besimit mysliman.

Ndërkohë, reagimi që u pasqyrua në një numër të madh mediash online rezultoi të ishte fake.

Lapsi.al ka vendosur të shqyrtojë faktet për të parë si qëndron e vërteta…

Kampi i Belind Këlliçit shpërndau me datë 25 prill nëpër Tiranë postera që tregonin kandidatin me dy gishtat e mesit sipër, të sfumuar, bashkangjitur diçiturës: “Duart e Belos kështu i drejtohen korrupsionit në Tiranë”.

Menjëherë mediat online filluan të botonin një reagim kritik të faqes në Facebook “Xhamitë e Tiranës”, ku dënohej haptazi ky baner fushate. Reagimi erdhi brenda ditës.

“Thirrje për reflektim!

Ju lutem të reflektoni në lidhje me rëndësinë e kodit etik në procesin e zgjedhjeve. Në këtë periudhë, kur kandidatët janë duke luftuar për votën tuaj, është thelbësore të mos harroni rëndësinë e etikës në politikë.

Fitimi në zgjedhje është një objektiv i rëndësishëm për çdo kandidat, por duhet të bëhet në mënyrë etike. Kandidatët duhet të mbajnë një nivel të lartë të sjelljes dhe të respektojnë ligjet dhe rregulloret e zgjedhjeve.

Fitorja e vërtetë nuk është vetëm fitimi në zgjedhje, por edhe lufta kundër tundimit dhe shfrenimit. Kandidatët duhet të jenë shembuj pozitivë për qytetarët dhe të mbajnë një nivel të lartë të sjelljes në publik.

Në këtë rast, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka bërë një veprim të papranueshëm, duke treguar gishtin e mesit në ambiente publike ku kalojnë familjare dhe fëmijë. Kjo sjellje nuk është vetëm e papërgjegjshme dhe e pashembullt, por gjithashtu mund të ndikojë negativisht në imazhin e qytetit dhe në perceptimin e votuesve për kandidatin.

Prandaj, ne i bëjmë thirrje kandidatit të marrë vesh se sjellja e tij është e papranueshme dhe nuk është në përputhje me nivelin e kërkuar të sjelljes nga kandidatët në zgjedhje. Gjithashtu, i bëjmë thirrje KQZ-së të ndërhyjë në kohë për të parandaluar ndikimin negativ të sjelljes së kandidatit në imazhin e qytetit dhe në integritetin e zgjedhjeve.

Në fund të fundit, zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm dhe duhet të jenë të ndershme dhe të paanshme për të siguruar që vota e secilit qytetar të respektohet dhe të ndikojë në zgjedhjen e përfaqësuesve të tij të zgjedhur në mënyrë të përgjegjshme.”

Mediat e pasqyruan gjerësisht këtë reagim. Disa prej tyre iu referuan faqes në Facebook si një profil i një institucioni fetar zyrtar. Disa media shkuan edhe më tej, duke thënë se kritikat vinin nga Komuniteti Mysliman.

Ndërsa lajmi bëri xhiron e mediave në kulm të fushatës, më 25 prill, e vërteta ishte krejtësisht ndryshe. Një verifikim i portalit “Faktoje.al” zbuloi se faqja “Xhamitë e Tiranës” jo vetëm që nuk përfaqësonte Komunitetin Mysliman, por nuk ishte as një faqe që i përkiste ndonjë institucioni të besimit mysliman në vend.

Në përgjigje të interesimit të mediave, në 28 prill, Komuniteti Mysliman përgënjeshtroi çdo lidhje të mundshme me këtë deklaratë të shpërndarë në media.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përgënjeshtron çdo lajm të rremë apo qëndrim nga çdo individ apo faqe në rrjetet sociale që nuk është në pronësi të KMSH. 

Institucioni jonë përfaqëson të gjithë besimtarët pa dallime apo preferenca partiake e politike. Ne kemi qenë dhe jemi neutralë në çdo proces elektoral që zhvillohet në Republikën e Shqipërisë, Kushtetuta e së cilës përcakton qartë rolin e institucionit tonë”, thekson KMSH në përgjigjen e saj.

Ndërkohë, faqja “Xhamitë e Tiranës” në Facebook tashmë është mbyllur tërësisht.

Të vetmen gjurmë online që mund të gjendet me këtë emër e mundëson një kërkim në Google. Me linkun: “xhamitetiranes.com” ekziston një uebsajt me lajme të kontekstit fetar, ku publikimi i fundit është bërë më shumë se dy vite më parë, më 24 dhjetor të vitit 2021.

Pra ndryshe nga çfarë pretenduan mediat shqiptare, shpërndarja e një reagimi të një faqe anonime në Facebook, pas të cilës mund të fshihej kushdo, shkaktoi një dezinformim masiv të opinionit publik. ©LAPSI.AL 



1 Comment

  1. Faqja Xhamite e Tiranes menaxhohet nga zarat e plehut Ahmed Kalaja dhe psikopati Ylli Gurra.

    Por PD se thote kete se sja mban dhe skane byce me ia plas surratit yll budallait dhe Altin (ahmet) trapit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *