• |
ide | kryesore

Video/ Asani e Bajrami shembin murin moldav: fitorja e parë në pankinë, Sylvinho arrin Poloninë

-Instant, F1, Sport, Video
Asani



Fitorja e parë në fushatën kualifikuese të Euro 2024. Fitorja e parë e teknikut Sylvinho në pankinën kuqezi. Shqipëria likuidon 2-0 Moldavinë, në ndeshjen e dytë kualifikuese, duke i parakaluar në renditje. Humbja e parë e moldavëve në këtë fushatë kualifikuese pas barazimeve me Cekinë e Ishujt Faroe, e firmosur nga Asani e Bajrami. Vendi i tretë për kuqezinjtë, me pikë të barabarta me Poloninë, që na mundi në debutim.

Prova të një ringjallje taktike e rezultative. Kura Sylvinho ngjan funksionale e lojtarët që interpretojnë lojën e kërkuar nga braziliani nuk zhgënjejnë. Nuk e bëri Hysaj, i kthyer në të djathtë për të zëvendësuar Balliun. E nuk e bënë as dyshja e qendrës Gjimshiti-Ismajli që gabimet individuale i kanë lënë në epokën Reja. Meriton fjalë vlerësuese Mario Mitaj, 19-vjeçari që luajti me personalitet veterani në krahun e majtë.

DISIPLINË E KREATIVITET

Ramadani, me mbi 3000 minuta në kampionatin skocez me Aberdeen, nuk ndjeu asnjë lodhje, kur fitoi cdo kontrast e shpërndau lojën, duke lehtësuar edhe riaftësimin e Bares. Mesfushori tregoi limitet e gjendjes fizike, pas dëmtimit, por i kishte munguar skuadrës. Gjeometria e pasimeve në sintoni me Bajramin, jo rrallë herë ndezi Cikalleshin e Asanin. Për sulmin traversa e goditur në fundin e pjesës së parë nga Cika, ishte sinjali i vërshimit mbi prapavijën moldave. I Ramadanit rasti tjetër i 45 minutave të para, edhe pse qendrore.

DY KRYEVEPRAT KUQEZI

Jasir Asani e mori skenën me rifillimin e lojës. Ish-sulmuesi i Partizanit, tani në kampionatin e Koresë së Jugut, zhbllokoi ndeshjen në minutën e 52′, me një të majtë fantastike. Goli i parë me kombëtaren, në ndeshjen e dytë me fanellën kuqezi për sulmuesin, që shkoi të përqafonte teknikun Sylvinho. Një gjest i kuptueshëm për brazilianin, i vetmi që besoi dhe i dhuroi një thirrje me fanellën kuqezi. Asani, duke përfituar nga një këmbëngulje e Hysajt, e dërgoi topin në kryqëzimin e shtyllave, me portierin të shtangur. 14 minuta nga fundi pastaj Bajrami i vuri kapakun një ndeshje në të cilën lejuam pak, krijuam më shumë e shënuam dy gola për tre pikë. Mjaftueshëm sa për të shkuan në transfertën e 20 qershorit kundër Ishujve Faroe me moralin e duhur.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *