Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar disa fotografi si dëshmi se policët e rrëmbyer nga Serbia ishin brenda territorit të Kosovës.
“Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Ai edhe njëherë ka kërkuar lirimin e mënjëhershëm të tre zyrtarëve policor dhe që faktori ndërkombëtar që të dënojë agresionin e Serbisë.
“Ne jemi në të drejtën tonë, në të drejtën e Republikës dhe këtë e dokumentojnë qartë dëshmitë që posedojnë institucionet tona të sigurisë, si dhe dëshmia e tre policëve tanë. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policor. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe të pacenuar. Njëkohësisht kërkojmë nga faktorët ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja që ta dënojnë agresionin e Serbisë që paraqet edhe shkelje të pikës 4 të Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, nga 9 qershori të vitit 1999”, ka deklaruar Kurti.
Më 14 qershor, forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitar të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë.