• |
ide | kryesore

Vllaznia, llogaritë nuk dalin por Plori ka një strategji: “Katër lojtarë nga U21 dhe dy nga U19”

-Instant, Sport
Plori



Tekniku Migen Memelli pret tashmë lojtarë në hyrje për të kompletuar një skuadër nga e cila firot kanë qenë të mëdha. 13 lojtarë janë larguar nga kuqeblutë: të fundit Vulaj, Kruja e Jonuzi. E vetëm 6 kanë mbërritur. Vetëm se ajo që ndoshta tifozët e konceptojnë si largim i pandalshëm është një lehtësim barre pagash e lojtarësh që mbushën pankinën e menduar nga Drejtori Sportiv, Elvis Plori. Edhe ata që luajtën nuk u treguan kurrë në nivelin që prisnin në Shkodër. Në këtë pikë, e gjithë vëmendja është te hyrjet, ku gjashtë të ardhurit e deritanishëm nuk bëjnë numrat e nuk plotësojnë as nevojat.

I mbyllur ndoshta mund të quhet vetëm sulmi, ku kanë mbërritur Ildi Gruda, Eslit Sala e maqedonasi Darko Dodev. Ata i janë shtuar dy sulmuesve të mbetur Balaj e Coba. Në mbrojtje vazhdon puna për kompletimin e repartit që ka humbur peshë me ikjet e Gurishtës, Bulatovic e Shehit. Drejtori Sportiv Elvis Plori ka afruar deri tani Dragoshin, Stojanoviç dhe Çeshmedjiev. Por goditja e ardhshme duhet të jetë ajo e Egzon Belicës.

MERKATO E STRATEGJIA PLORI

Në kërkim është edhe një portier me kualitet. Teqja është i preferuari, pavarësisht se mund të ketë edhe emra surprizë. Situata duket dramatike në mesfushë ku fare pak emra kanë shpëtuar dhe askush nuk është afruar. Në fakt, Një numër 8 kërkohet dhe mund të jetë Gjelbrim Taipi që e ka mbyllur me Kukësin e është gati të zbarkojë në Loro Borici. Duken akoma pak, por për Plorin nuk është kështu. Katër lojtarë të së ardhmes do të jenë nga U21 dhe e kanë bërë debutimin sezonin e fundit. Flori Spahija, Antonio Delaj, Gledian Pusi dhe dy lojtarët e U19 Zaganjori e Cungu do të jenë më shumë se thjesht alternativa.

Në Shkodër megjithatë janë skeptikë. Faza përgatitore në Medjugore në Bosnje Hercegovinë shërben shumë në këtë situatë. Jo vetëm për të menduar për debutimin në Conference League, ku shorti e përball me irlandezo-veriorët e Linfield, por edhe për të larguar presionin mediatik e atë të tifozëve ndaj një klubi që po bën, revolucion është pak të thuhet.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *