• |
ide | kryesore

Kthesa/ Shefi i Wagner, Prigozhin u takua me Putin pas kryengritjes

Arkiva, F1, Planet
Putin



Presidenti rus Vladimir Putin u takua me liderin mercenar Yevgeny Prigozhin pas rebelimit të dështuar të grupit Wagner muajin e kaluar, njoftoi Kremlini.

Prigozhin, i cili kryeson grupin mercenar Wagner, ishte mes 35 komandantëve të Wagner-it të ftuar në takimin në Moskë, shtoi zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Ai tha se presidenti Putin kishte bërë një “vlerësim” të përpjekjeve të luftës në Ukrainë dhe kryengritjes.

Rebelimi, i nisur më 23 qershor, zgjati vetëm 24 orë.

Shikoni këtë video të pe4rgatitur nga gazetari Arbër Kaceli, për rebelimin e Wagnerit në Rusi:

Për të parë më shumë VIDEO si kjo ndiqni faqen Lapsi Videos në Facebook 

Sipas një marrëveshjeje për t’i dhënë fund kryengritjes, në të cilën trupat e Wagnerit pushtuan një qytet dhe marshuan drejt Moskës, akuzat kundër Prigozhin u hoqën dhe atij iu ofrua një zhvendosje në Bjellorusi.

Kishte pasur përplasje të brendshme shumë publike midis Wagnerit dhe ministrisë së mbrojtjes së Rusisë për drejtimin e luftës. Prigozhin kishte akuzuar vazhdimisht ministrinë për dështimin e furnizimit të grupit të tij me municion.

Por të hënën, Peskov tha se shefi i Wagner ishte në mesin e komandantëve që u ftuan në Kremlin pesë ditë pas rënies së kryengritjes.

“Presidenti dha një vlerësim të veprimeve të ushtrisë në front,” citohet të ketë thënë Peskov nga agjencia e lajmeve Interfax.

“Ai dha gjithashtu vlerësim për ngjarjet e 24 qershorit. Putin dëgjoi shpjegimet e komandantëve dhe sugjeroi variante të punësimit të tyre të ardhshëm dhe përdorimit të tyre në të ardhmen në luftime.” 

Sipas zëdhënësit, Prigozhin i tha Putinit se Wagneri e ka mbështetur pa kushte.

Vendndodhja aktuale e shefit të Wagner është e paqartë.

Lexo më tej: Pasuria marramendëse e “tradhtarit” Prigozhin, njeriut që tronditi Putin 

Të enjten e kaluar, udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i cili ndërmjetësoi marrëveshjen që i dha fund kryengritjes, tha se Prigozhin ishte në Rusi.

BBC gjurmoi avionin privat të Prigozhin që fluturoi për në Bjellorusi në fund të qershorit dhe u kthye në Rusi po atë mbrëmje.

Grupi Wagner është një ushtri private që ka luftuar përkrah ushtrisë së rregullt ruse në Ukrainë që nga pushtimi i Ukrainës vitin e kaluar.

Por pas pengesave për Rusinë në fushën e betejës, Prigozhin doli në mediat sociale duke sulmuar komandën e lartë ushtarake ruse.

Ai ka qenë veçanërisht i ashpër ndaj Ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov, dy figurat më të larta që drejtojnë pushtimin rus të Ukrainës.

Prigozhin nuk e dënoi drejtpërdrejt Putinin gjatë rebelimit, por analistët e përshkruan atë si sfidën më të madhe ndaj autoritetit të presidentit në më shumë se dy dekada në pushtet.

Ndërkohë gjenerali Gerasimov është parë në publik për herë të parë që nga rebelimi.

Kishte spekulime se marshimi i Wagner u anulua në këmbim të shkarkimit të gjeneralit. Megjithatë, pamjet e transmetuara në televizionin rus të hënën tregojnë se ai lëshon urdhra për të sulmuar zonat ushtarake të Ukrainës.

Ai dëgjohet duke diskutuar ngjarjet e fundit, fakt që sugjeron se video është filmuar pas kryengritjes.

Videoja sugjeron se presidenti Vladimir Putin vazhdon t’i mbajë në postet e tyre si ministrin Shoigu ashtu edhe Gjeneralin Gerasimov.

BBC, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



4 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *