• |
ide | kryesore

Sulmohet me raketa Dnjepri në ditën e pavarësisë së Ukrainës, 7 të plagosur

Lajme, Planet



Rusia nisi një sulm me raketa në qytetin jugor të Ukrainës, Dnjepërin, në orët e para të 24 gushtit, duke plagosur shtatë persona. Sulmi erdhi teksa Ukraina përgatitej ta festonte ditën e pavarësisë mes luftimeve të ashpra në lindje dhe jug.

“Shpërthime të fuqishme në mes të natës në Dnjepër”, tha guvernatori rajonal i Dnipropetrovsk, Serhiy Lysak, më 24 gusht në platformën Telegram, duke shtuar se një objekt për shërbime transporti ishte shkatërruar.

Lysak tha se tre burra dhe katër gra, nga 32 deri në 55 vjeç, mbetën të plagosur pas këtij sulmi dhe shtoi se gjashtë prej tyre ishin dërguar për trajtim në spital.

Sipas Radio Evropa e Lirë Dhjetëra objekte civile u dëmtuan, përfshirë një bankë, një pikë karburanti, një hotel, një kompani bujqësore, një fabrikë mobiljesh, një ndërtesë administrative dhe dy ndërtesa banimi.

Zëdhënësi i forcave ajrore të Ukrainës, Yuriy Ihnat, tha në një deklaratë se Rusia goditi gjatë natës me raketa balistike S-300, Iskander K dhe Iskander M, duke shtuar se një raketë Iskander K u rrëzua nga mbrojtja ajrore ukrainase. Ai nuk dha detaje të tjera.

Forcat ukrainase zmbrapsën kundërsulmet ruse në rajonet lindore të Donjeckut dhe Harkivit dhe në rajonin jugor të Zaporizhjas, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm më 24 gusht.

Forcat ukrainase vazhduan avancimin e tyre drejt Melitopolit, tha ushtria. Melitopol, i njohur si “porta e Krimesë”, u kap nga trupat ruse në mars të vitit të kaluar, pas disa ditëve me luftime të ashpra.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *