• |
ide | kryesore

Video/ Bajrami, super gol dhe pikë në Pragë: Shqipëria del me barazim nga Çekia

-Instant, F1, Sport, Video



Në fund 1-1, por mund të kishim befasuar Cekinë, nëse në minutën e 84′ pasimi i Dakut do të kishte qenë i saktë në një kundërsulm tre kundër 1. Sidoqoftë, nga shtëpia e kryesuesve të Grupit E kuqezinjtë dalin me një pikë të çmuar falë një perle të fantazistit Nedim Bajrami. Edhe për moralin, duke qenë se të dielën vjen në Tiranë Polonia. Sylvinho, ndryshoi por mori atë për të cilin kishte ardhur. Vendi i dytë me 7 pikë, një pas Çekisë e një mbi polakët, që fituan 2-0 ndaj Ishujve Faroe.

Braziliani kishte bërë lëvizje surprizë e madje të guximshme në ndeshjen e katërt në detyrë. Seferi lë Uzunin në pankinë e Mitaj u preferua ndaj Balliut. Nuk ishte ndeshja më brilante nën drejtimin e Sylvinho, por ishte e kujdesshme e me pak gabime, që për fat nuk na dënuan këtë herë. Cekia nuk bëri shumë, por ishte ajo që mendohej: skuadër e ashpër, shtatlartë dhe fizike. Cerny dhe Soucek ishin ata që impenjuan më shumë Gjimshitin me shokë, ndërsa 45 minuta kuqezinjtë e lanë portierin kundërshtar pushim.

MAGJIA E BAJRAMIT

E dyta nisi keq, ose më saktë e nisi Çekia mirë. Skuadra e Silhavy, që dominonte fizikisht shënoi goline avantazhit, pas një asist të Soucek për Cerny, që e pati të thjeshtë të mposhte Berishën në dalje. Një gol që rëndoi këmbët e lojtarëve, por nxorri në pah personalitetin e atyre si Bajrami që duhet të marrin përsipër ekipin. Mesfushori nxorri nga asgjëja një gol spektakolar, pas insistimit të Asanit për të rifituar topin. Një e djathtë e fuqishme nga jashtë zonës në minutën e 66′, i dha frymëmarrje teknikut Sylvinho dhe lojtarëve në fushë. Nedim Bajrami konfirmon formën e jashtëzakonshme. Goli i tretë në tre ndeshje radhazi për fantazistin e Sassuolo, që kthen kuqezinjtë në lojë në Pragë.

Pati kohë për një pritje fantastike të Berishës, në goditjen me kokë të Krejci. E megjithatë ajo që do lërë pa gjumë Sylvinho është kundërsulmi i shpenzuar në minutën e 84′. Në tre kundër një, Daku bëri pasimin e gabuar që coi dëm shansin më të mirë për të fituar ndeshjen. Sidoqoftë 1-1 dhe tani ka dy ditë kohë për të rikuperuar forcat dhe mendësinë: të dielën vjen Polonia.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *