• |
ide | kryesore

Shqipëria nënshkruan me BE-në për aktivitetet operacionale të FRONTEX

Arkiva, Lajme, Të fundit
FRONTEX



Ministri i Brendshëm Taulant Balla nënshkroi sot marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për aktivitetet operacionale të FRONTEX në vendin tonë. Në emër të Bashkimit Europian firmosën Johannes Luchner, Zv.drejtor i Përgjithshëm për Çështjet e Brendshme në Komisionin Europian dhe Álvaro Renedo Zalba, Ambasador i Spanjës në Tiranë, vendi i të cilit mban Presidencën e Këshillit të BE.

Ministri Balla e konsideroi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje të përmirësuar, si dëshmia e radhës e vullnetit të padiskutueshëm për të kontribuar në sigurinë e përbashkët të hapësirës së zgjeruar evropiane.

”Ambicia jonë nuk është të jemi thjesht përfitues nga mekanizmat komunitarë për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, por të marrim rolin e një vendi kontribuues për sigurinë në rajon e më gjerë”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Ambasadori spanjoll tha se marrëveshja do të ndihmojë në fuqizimin e bashkëpunimit me të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili është një prioritet për BE-në dhe në veçanti, sipas tij për Presidencën spanjolle të BE-së.

“Kufij të përbashkët nënkuptojnë edhe përgjegjësi të përbashkëta. Kjo është filozofi thelbësore e integrimit në BE. Në të njëjtën kohë, kufijtë e përbashkët dhe përgjegjësitë e përbashkëta, ofrojnë gjithashtu mundësi të gjera për ndërveprim konstruktiv, e nëse ne kemi një qasje koordinuese dhe bashkëpunuese, dhe ndajmë praktikat më të mira, mësojmë prej njëri-tjetrit. Një mjet veçanërisht i fuqishëm në menaxhimin e kufirit konsiston në përpjekjet e përbashkëta dhe të harmonizuara prej të gjithë aktorëve, BE, agjencitë e saj, vendet anëtare, por gjithashtu edhe partnerët e saj të privilegjuar, të tillë si Shqipëria, një vend kandidat që në qershor 2014, procesi i integrimit të së cilës ka një natyrë strategjike, jo vetëm për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, por edhe për Europën si një e tërë”, nënvizoi ambasadori i Spanjës në Tiranë.



1 Comment

  1. U shkunden shqiptaret me transporte klandestinesh me emigrante duke i mare leke, ,……u kujtuan te perforcojne marveshjen, tregu do njohe rritje çmimesh per fakiret qe i fshehin ne bagazhe

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *