• |
ide | kryesore

Arrestimi i Radoiçiç/ SHBA: Sulmi ishte i planifikuar mirë, të gjithë të përfshirët të sillen para drejtësisë

Lajme, Të fundit



Departamenti amerikan i Shtetit thotë e dinë se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte i koordinuar dhe i planifikuar mirë.

Zëvendëszëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel u pyet në një konferencë për media për arrestimin e Milan Radoiçiqit të martën dhe nëse ka për të thënë diçka rreth kësaj.

“Ne i kemi parë ato raporte. Ne nuk do të shkojmë përpara hetimit. Dhe siç e kemi thënë, ne e dimë se sulmi ishte i koordinuar dhe i planifikuar mirë, dhe të gjithë ata që ishin të përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e këtij sulmi duhet të sillen para drejtësisë”, tha ai.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi dje se ka arrestuar terroristin Milan Radojiçiç, i cili pranoi se ishte pjesë grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë. Dy ditë më parë kjo ministri njoftoi se Milan Radoiçiç i është përgjigjur ftesës së autoriteteve shtetërore serbe dhe se është shoqëruar nga avokati i tij në polici për të dhënë deklaratë si shtetas për rrethanat e ngjarjes tragjike në qytetin e Banjskës, në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit. Radoiçiç ka njoftuar të premten përmes avokatit të tij se më 24 shtator ka qenë në fshatin Banjskë kur ka pasur një konflikt me policinë e Kosovës.

Çfarë ndodhi në veri të Kosovës?

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe 3 u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në veri të vendit. Rreshteri Bunjaku u vra në pritën që grupi i armatosur kishte zënë herët në mëngjes në hyrje të fshatit Banjskës në Zveçan. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagosën edhe 2 policë të tjerë. Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra, gjatë gjithë ditës së dielë u shkëmbyen të shtëna me policinë. Në mbrëmje ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se 4 sulmues u vranë. Tre trupat e serbëve u gjetën në të njëjtën ditë, ndërsa i katërti një ditë më vonë. Ndërkohë gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan. Gjithashtu ishin sekuestruar sasi të madhe armatimi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *