• |
ide | kryesore

Altin Dumani “rrëzon” pretendimin e maxhorancës për Komisionet Hetimore

Arkiva, Lajme, Të fundit



Në këtë legjislaturë mazhoranca ka refuzuar të ngrejë 8 komisione hetimore, të kërkuara nga opozita, vendime, të cilat juristët i kritikojnë dhe i cilësojnë shkelje të të drejtave kushtetuese të pakicës parlamentare. Vetë SPAK “i heq merakun” Partisë Socialiste, që pretendon se hetimi i parlamentit mund ta dëmtojë hetimin e prokurorisë. Përkundrazi, Altin Dumani i tha INA Media-s se, të dyja palët mund të bashkëpunojnë dhe se Prokuroria Speciale i ka ndjekur dhe i ndjek me vëmendje hetimet e parlamentit.

Autor: Esiona KONOMI

Entuziastë, se sapo kishin miratuar me konsensus një rezolutë për Kosovën, deputetët u ngritën nga karriget, të bindur se i kishin përfunduar detyrimet parlamentare pas 7 orësh diskutime.

Pakica, që prej javësh debatonte ashpër dhe në disa raste kishte shkaktuar edhe bllokime të përkohshme të punimeve të Kuvendit, kishte bërë një “armëpushim” për Kosovën atë të enjte të 12 tetorit.

Por, kur opozitarët i kishin kthyer shpinën foltores, kryetarja e Kuvendit njoftoi papritur një procedurë tjetër votimi. Mes tyre, rrëzimi i dy komisioneve hetimore, të kërkuara nga opozita (një për koncesionet në shëndetësi dhe tjetri për abuzimin me të dhënat personale në sistemin TIMS).

Edhe pse opozita protestoi, duke i kujtuar drejtueses së seancës se nuk mund të hynte në rend dite një çështje e re, kur sipas Rregullores së Kuvendit rendi publikohet 48 orë përpara, Lindita Nikolla drejtoi votimin, duke rrëzuar edhe dy kërkesa të tjera të opozitës.

“Është absolutisht në shkelje të rregullores. U fut në tejkalim të afatit dhe mbi të gjitha procedura parlamentare u shkel, sepse nuk u lejua një folës pro e një kundër për çdo projektvendim”, – tha Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD-së.

Bledar Çuçi tha për INA Media-n se respektimi i procedurës parlamentare në këtë rast kishte qenë i pamundur: “Fakti, që nuk u diskutuan në seancën plenare, vjen si rezultat i sjelljes së opozitës. Ata e bllokuan seancën plenare, duke mos dashur të marrin pjesë në këtë diskutim. Opozita e prishi vetë gjënë.”

Komisionet hetimore janë një instrument parlamentar, i cili është parashikuar në aktin themeltar të shtetit, përkatësisht në nenin 77 të Kushtetutës.

Kjo e drejtë iu njihet të gjitha krahëve politike dhe mjafton që ta kërkojnë të paktën 35 deputetë.

“Kuvendi ka të drejtë dhe me kërkesë të një të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij është i detyruar që të caktojë komision hetimi, për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore”, – thotë Kushtetuta.

Ky mjet është përdorur më gjerësisht nga opozita dhe ndonjëherë edhe nga mazhoranca si mekanizëm i kontrollit të pushtetit legjislativ mbi qeverinë.

Por, ndër vite palët janë përplasur me njëra-tjetrën dhe i janë drejtuar disa herë Gjykatës Kushtetuese për interpretim, e cila është shprehur për komisionet hetimore në vitin 2003, 2007 dhe në vitin 2014.

Objekt shumë i gjerë hetimi…

Gjatë kësaj legjislature parlamentare opozitës i janë pranuar vetëm dy komisione hetimore: një për çështjen e inceneratorëve dhe një tjetër për zgjedhjet e vitit 2021.

Gjatë rrëzimit të 8 komisioneve të tjera mazhoranca ka përdorur argumente të ndryshme. Fillimisht thanë se nuk do të pranonin asnjë kërkesë, që mbante edhe firmën e Sali Berishës, sepse ai ishte i shpallur non grata nga ShBA. Socialistët e shoqëronin këtë edhe me nevojën e një ligji të ri për komisionet hetimore e shpreheshin se nuk ishin të gatshëm të ngrinin komisione të reja pa u përmirësuar më parë baza ligjore.

Së fundmi, retorika e shumicës parlamentare ka ndryshuar, argumentet e mëparshme nuk përsëriten më dhe ka dy shtylla kryesore, mbi të cilat mbështet refuzimin e komisioneve hetimore, të kërkuara nga pakica: objekti i propozuar për hetim është shumë i gjerë dhe janë çështje, të cilat po hetohen edhe nga drejtësia.

Bledar Çuçi këmbëngul se nuk mund të ketë komision hetimor për një sektor të caktuar, siç është për shembull rasti i shëndetësisë.

“Është kërkuar ngritja e një komisioni hetimor dhe hajde pastaj të shohim të gjitha kontratat publike, kontratat e partneritetit apo çdo veprimtari të Ministrisë së Shëndetësisë. Nuk mund të kemi komision parlamentar për një çështje apo për shumë çështje të përgjithshme, por komision parlamentar mund të kemi, ashtu siç e thotë ligji: për çështje të veçanta”, – tha për INA Media-n drejtuesi i grupit parlamentar, socialist.

Opozita është e bindur se kjo e drejtë e saj është e pamohueshme dhe detyruese për Kuvendin, sa herë që e kërkojnë 35 deputetë dhe këtë e mbështesin te Kushtetuta, te Rregullorja e Kuvendit dhe te disa vendime të Gjykatës Kushtetuese.

“Ky ka qenë një qëndrim i qartë i Gjykatës Kushtetuese që nga viti 2003 e në vijim. Ndërsa, në vitin 2007 Gjykata Kushtetuese është shprehur se mazhoranca mund të propozojë formulime alternative të objektit të punës, por në asnjë rast të vendosë rrëzimin e një kërkese për komision hetimor”, – i tha INA Media-s Gazmend Bardhi, kreu i grupit demokrat.

E vërteta është se, në mungesë të një objekti hetimi të gjithëpranuar asnjëra prej palëve nuk ka bërë një përpjekje drejt konsensusit. As opozita nuk ka propozuar një objekt të ndryshëm hetimi dhe as mazhoranca nuk ka bërë asnjë riformulim të sajin.

Bardhi fajëson për këtë socialistët: “Në rastin e tri kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore mazhoranca ka vendosur rrëzimin e kërkesave, pa bërë asnjë përpjekje për të formuluar propozime alternative të objektit, çka qartazi tregon paligjshmërinë e këtyre vendimeve.”

Sipas një procesverbali të një mbledhjeje të mbyllur të Konferencës së Kryetarëve të datës 29 shtator të këtij viti, që INA Media disponon, kryetarja e Komisionit të Ligjeve ka refuzuar që në emër të mazhorancës të propozojë një formulë konsensusi.

“Tani, ju thoni që ta ngushtojmë ne, por kërkuesit jeni ju. Riformulojeni ju dhe silleni sipas kufijve kushtetues, pastaj ne… sigurisht, nuk kemi asnjë arsye për të qenë kundër”, – është shprehur Klotilda Ferhati nga Partia Socialiste.

Por, çfarë ka thënë konkretisht Gjykata Kushtetuese për objektet e komisioneve hetimore?

Me një vendim të vitit 2007, kjo Gjykatë dilte në konkluzionin se Kuvendi “…ka detyrimin që të mos e diskutojë ngritjen e komisionit…”, kur kjo kërkohet nga pakica parlamentare.

Objekti i hetimit, sipas Gjykatës Kushtetuese, “…nuk mund të reduktohet nga Kuvendi, deri në atë masë sa t’ia bëjë të pamundur komisionit kryerjen e veprimtarisë…”.

Prandaj, vijon arsyetimi i kësaj gjykate, “… e drejta e pakicës për të disponuar mbi objektin e hetimit e kufizon kompetencën e shumicës për ta ndryshuar këtë objekt pa pëlqimin e pakicës, me përjashtim të rasteve, kur nga qëllimi dhe objekti i hetimit konstatohen se preken parimet kushtetuese….”

Eksperti i së Drejtës kushtetuese, Bledar Dervishaj, i tha INA Media-s se, kur objekti i hetimit konsiderohet i gjerë, ai mund të riformulohet përmes procesit të konsultimit midis forcave politike, por kjo nuk mund të përbëjë arsye për refuzimin e tyre.

“Për analogji, nëse kërkohet p.sh., një hetim parlamentar për të gjitha kullat e ndërtuara në Tiranë, natyrisht që ky do të ishte një objekt i gjerë hetimi, por, nëse përcaktohet një apo disa kulla konkrete, ky është një objekt specifik, hetimi, i cili nuk mund të refuzohet”, – vlerëson Dervishaj.

Edhe pedagogu i së Drejtës, Jordan Daci, nuk e sheh objektin e hetimit si një arsye për të mos ngritur një komision hetimor.

“Gjuha e pikës 2 të nenit 77 të Kushtetutës nuk lë vend për interpretim, po ashtu as praktika e Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi është i detyruar. Pikë. I detyruar. Mjafton kërkesa e 1/4 së deputetëve dhe ngritja është automatike”, – thekson Daci.

“S’duam të pengojmë drejtësinë”, por çfarë thotë SPAK?

Mazhoranca i ka rrëzuar hetimet parlamentare edhe me argumentin tjetër, se për çështjet në fjalë po heton paralelisht dhe drejtësia, gjë që sipas tyre, bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, do të përbënte një cenim të pavarësisë së pushteteve.

“Pothuajse në lidhje me të gjitha çështjet, për të cilat është kërkuar ngritje komisionesh hetimore, prokuroria ka nisur procese penale, hetimin penal. Në këtë rast ne duhet ta respektojmë pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe parimin e ndarjes së pushteteve. Hetimi është ekskluzivitet i gjyqësorit, i prokurorisë”, – shprehet shefi i socialistëve në parlament, Çuçi.

Në të vërtetë, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë opozitës një mjet mbrojtës në një vendim të vitit 2014, kur thotë se: “fakti se një çështje e ngjashme po hetohet nga prokuroria nuk krijon pengesë a priori në ngritjen e tij”.

Megjithëkëtë, Gjykata i lë “detyrë” komisionit hetimor dhe Kuvendit, që pas ngritjes së komisionit të përqendrohen në objektin e hetimit, parlamentar, në mënyrë të tillë që të shmanget çdo ndërhyrje në veprimtarinë e organit të prokurorisë.

“Hetimi parlamentar kryen verifikime, nxjerr përgjegjësi institucionale dhe merr masa legjislative, ndryshe nga hetimi penal, i cili, nëse gjen shkelje ligjore, merr të pandehur dhe kërkon dënimin e tyre me burgim”, – kundërpërgjigjet Gazment Bardhi.

INA Media pyeti drejtuesin e Prokurorisë Speciale, nëse puna e SPAK mund të dëmtohej nga hetimi paralel, parlamentar dhe në një përgjigje me shkrim, zoti Altin Dumani nuk shpreh asnjë shqetësim në këtë drejtim.

“Komisionet hetimore, parlamentare kanë qëllim dhe funksion të ndryshëm nga hetimi që kryen SPAK, i cili është i natyrës penale. Standardet e provueshmërisë së procesit penal janë më të larta dhe procedura e ndjekur për ngritjen e një akuze është shumë më rigoroze”, – tha kreu i SPAK.

Zoti Dumani shton se ligji parashikon që Prokuroria e Posaçme mund të bashkëpunojë me komisionet hetimore, parlamentare, sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Duke theksuar se “në çdo rast hetimi penal është i pavarur”, drejtuesi i Prokurorisë Speciale i tha INA Media-s se “Prokuroria e Posaçme ka qenë dhe është e vëmendshme ndaj hetimeve të kryera nga komisionet parlamentare për ato vepra penale që janë në juridiksionin e saj”.

As ekspertët e së Drejtës kushtetuese nuk e shohin të bazuar “shqetësimin” e mazhorancës, se një hetim parlamentar, i drejtuar nga opozita mund t’i prishë punë prokurorisë.

Konstitucionalisti, Sokol Hazizaj, thotë se të dy hetimet zhvillohen në kënde të ndryshme dhe kanë dobishmëri krejt të veçanta.

“Madje, në një parlament normal hetimi parlamentar sjell në terezi edhe hetimin normal. Për më tepër sjell risinë e përmirësimeve ligjore në fushën e menaxhimit të parave publike”, – tha Hazizaj për INA Media-n.

Sipas Jordan Dacit, hetimi, që bëjnë organet e drejtësisë, as nuk mbivendoset dhe as nuk e zëvendëson hetimin parlamentar.

“Ky i fundit nuk ka qëllimin që ka hetimi i drejtësisë, por është mjet i kontrollit parlamentar ndaj pushteteve të tjera dhe i përket pakicës prej 35 deputetësh dhe nuk lidhet me opozitën si logjikë, por me 35 deputetë, që në vende normale mund të bashkojë shumë grupime, përfshi edhe nga radhët e mazhorancës”, – thotë Daci.

As për juristin Bledar Dervishaj hetimi parlamentar nuk e përjashton apo pengon hetimin e prokurorisë.

“Drejtësia kërkon përgjegjësi penale, ndërsa parlamenti shkon më tej në përgjegjësitë politike, administrative, apo evidentimin e mangësive të strukturave administrative, apo vendimeve politike për të arritur në një analizë të nismave ligjore, që mund të rregullohen prej vetë atij”, – shprehet Dervishaj.

“Kur ka vullnet, ka zgjidhje”, inceneratorët dhe një tweet nga Yuri Kim

Kuvendi i Shqipërisë e ka të freskët një precedent, ku palët “u detyruan” që të gjejnë gjuhën e përbashkët, edhe pse e njëjta çështje po hetohej nga drejtësia dhe objekti i hetimit, i propozuar nga opozita, nuk u pranua menjëherë nga mazhoranca në variantin fillestar.

“Nisma më e rëndësishme e opozitës, që dha rezultate, ishte ajo e inceneratorëve. Një komision hetimor ka vlerë, kur ka edhe hetime penale e këtu ndikoi edhe presioni ndërkombëtar për luftimin e korrupsionit pas këtij skandali”, – vë në dukje Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike.

Në atë kohë mazhoranca nuk po shfaqte vullnet për të pranuar një hetim parlamentar për atë që u quajt “afera e djegësve”, por, siç u provua më vonë, ndërkombëtarët ushtruan presionin e tyre.

“Ne propozuam atëherë një objekt hetimi për inceneratorët, të përqendruar konkretisht te procedurat për djegësit në tre qytete: Tiranë, Elbasan, Fier. Mazhoranca hezitonte ta pranonte këtë objekt dhe propozoi një sferë më të gjerë, duke dashur që të hetonim në tërësi menaxhimin e mbetjeve, duke nisur nga një periudhë më e hershme. Brenda seancës plenare ne negociuam me grupin e Partisë Socialiste 3-4 variante, derisa ramë dakord”, – kujton për INA Media-n Jorida Tabaku, e cila udhëhoqi hetimin parlamentar për inceneratorët, duke specifikuar se, me kërkesë të mazhorancës objekti i hetimit, jo vetëm nuk u ngushtua, por u zgjerua.

Por, edhe pse pranoi fillimisht ngritjen e komisionit, mazhoranca socialiste pak muaj më pas u përpoq ta mbyllte sërish atë, duke përdorur si argument skadimin e afateve. “Ne u ankuam tek Ambasada Amerikane dhe te Bashkimin Europian”, – detajon Tabaku.

E vërteta është se mazhoranca u tërhoq dhe pranoi që ta zgjaste afatin e hetimit parlamentar të inceneratorëve, vendim, i cili u përshëndet menjëherë ditën e 4 shkurtit nga ambasadorja amerikane e asaj kohe, Yuri Kim, që bëri këtë postim në Twitter.

“Forcimi i institucioneve demokratike dhe lufta ndaj korrupsionit janë prioritetet e ShBA në Shqipëri. Ne mirëpresim vijimin e Komisionit parlamentar për inceneratorët. Ne iu bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve dhe institucioneve përkatëse, që të shqyrtojnë dhe të ndërmarrin veprimet e duhura. Ne do ta ndjekim këtë nga afër”.

Ekspertët: Opozitës po i shkelet një e drejtë kushtetuese

Vetë mazhoranca e pranon se “është padyshim një e drejtë kushtetuese e opozitës që të ngrejë komisione hetimore, por, ashtu siç thotë Gjykata Kushtetuese, nuk duhet të abuzohet me këtë të drejtë”.

Por, Gazment Bardhi sheh pas kësaj deklarate të homologut të tij socialist, Bledar Çuçi, vetëm një pretekst.

“Është e kuptueshme se argumentet e përdorura nga mazhoranca nuk kanë asnjë bazë kushtetuese apo ligjore, por janë thjesht justifikime për t’i mohuar çdo të drejtë opozitës parlamentare”, – tha ai.

Ekspertët e së Drejtës kushtetuese, të pyetur nga INA Media, nuk e gjejnë të bazuar pretendimin e mazhorancës dhe vendimet e saj për t`i penguar këto kërkesa të opozitës. I konsiderojnë shkelje të të drejtave kushtetuese të pakicës parlamentare.

Konstitucionalisti Sokol Hazizaj argumenton se, “nocioni i komisioneve hetimore është esenca e parlamentit dhe detyra e tij, themelore. Ngritja e tyre është më tepër detyrim, se sa thjesht një e drejtë”.

Por, a mundet që mazhoranca t’ia kufizojë këtë të drejtë kushtetuese minorancës?

“Ato (pakicat) nuk mund ta humbasin këtë të drejtë për shkak të vullnetit të shprehur me votë nga shumicat. Hetimi parlamentar është një mekanizëm kryesor i kontrollit parlamentar dhe moslejimi i tij përbën shkelje të së drejtës kushtetuese të opozitës”, – argumenton Bledar Dervishaj.

Jordan Daci nënvizon se, në një republikë parlamentare komisionet hetimore “janë një ushtrim i drejtpërdrejtë i sovranitetit të popullit, si dhe pjesë përbërëse e kontrollit të ndërsjellë që krijohet në kuadër të parimit të ndarjes së pushteteve. Hetimi parlamentar ka edhe një anë politike, që nuk duhet të jetë tek ai gjyqësor”.

A ia vlejnë…?

Shqipëria ka eksperimentuar me hetime parlamentare që në ditët e para të demokracisë. Palët që janë rrokullisur nga mazhoranca në opozitë dhe anasjelltas.

Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike, i cili monitoron prej vitesh veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë, vlerëson se komisionet hetimore kanë histori “të brishtë” në Shqipëri.

“Në vijimësi kanë qenë kryesisht mjete të luftës politike më shumë se sa një ushtrim i kompetencës që parashikon Kushtetuta. Veprimet e fundit i shoh si një përpjekje për të fituar kredenciale nga aksionet e politikës së ditës, sesa realisht si një dëshirë për të pasur me të vërtetë hetime parlamentare”, – thotë ai.

Gjatë kësaj proteste të opozitës për të ngritur medoemos komisione hetimore, puna parlamentare është dëmtuar dhe standardet e vendimmarrjes janë vënë në diskutim me miratimin e disa ligjeve me rëndësi, për të cilat nuk u zhvillua debat parlamentar dhe nuk u verifikua dot numri i deputetëve që votuan për to.

Të tjerë e shohin në një këndvështrim krejt të ndryshëm produktin historik të komisioneve hetimore, parlamentare.

“Në shumë raste komisionet hetimore kanë shërbyer si trampolina të shkëlqyera për karrierën e mëtejshme, politike të atyre që i kanë kryesuar ato apo për anëtarët më të spikatur dhe me sens të lartë protagonizmi. Nëpër këto komisione kanë spikatur në të gjitha format e kuptimet deri edhe presidentë apo zëvendëspresidentë të ardhshëm të ShBA, ministra të ekzekutivit gjerman etj. Mund të themi me plot gojën se, mirë a keq, edhe praktika shqiptare nuk po mbetet pas në këtë tendencë”, – thotë pedagogu i së Drejtës kushtetuese, Denar Biba, në një analizë për komisionet hetimore në praktikat vendase e të huaja.

Fati i komisioneve hetimore në këtë legjislaturë (2021-2023)

Lista e komisioneve të rrëzuara, hetimore

Komisioni hetimor për çështjen Becchett
Komisioni hetimor për investimet strategjike
Komisioni hetimor për Portin e Durrësit
Komisioni hetimor për udhëtimet e kryeministrit Rama
Komisioni hetimor për çështjen McGonigal
Komisioni hetimor për të dhënat personale (sistemi TIMS)
Komisioni hetimor për koncesionet në shëndetësi
Komisioni hetimor për rastet e konfliktit të interesit
Lista e komisioneve të pranuara, hetimore

Komisioni hetimor për zgjedhjet parlamentare, 2021 (i drejtuar nga E. Alibeaj)
Komisioni hetimor për inceneratorët (i drejtuar nga J. Tabaku)/Ina Media



5 Comments

  1. Ko.isionet hetimore janë kot fare
    Në gjithë këtë vite keni pa ndonjë rezultat
    Një dy tre herë kanë bërë komisione hetimore për Ramën ja ku është më i fortë se kurrë
    Bene për inceneratoret ata vazhdojnë të marrin paret e taksave tona.
    Opozita donte të ndihej kaq ishte muhabeti.
    Sdua te flas keq për opozitën po.e shof shumë keq të humbur.

  2. Komisionet hetimore jane praktike ne te gjithe boten

    edhe ne USA tani ka komision per Cunin e Bidese!

    ne fakt efekti kryesor eshte mediatizimi i nje problematike qe mazhoranca e mban nen presion te mediave kazan dhe nuk e le te dale, komisioni e mediatizon ceshtjen dhe mazhoranca nuk e fsheh dot. Efketi kryesor eshte nxjerrja ne pah e abuzimeve dhe ndreqja e tyre me praktika ligjore qe ja pamundesojne mazhorances per te abuzuar. Kjo sdo te thote qe nuk do kete me halle por do i sherbeje nje shteti te se drejtes

    ne fakt nen ramen ka vetem cirk sic ishte sot qe sle deputete te hyjne ne kuvend!!!!!

    Rama eshte nje lider i dobet i deshtuar ne te gjithe aspektet. Fatkeqesi kombetare, Klloun Criku, i padeshirueshem per pjesen me te madhe te shqiptareve , dhe sidomos te atyre qe kane llogjike te shendoshe, sepse ske ca ti thuash nje patromizhisti bastard qe do me jetu ne kurriz te te tjereve apo ske ci thu nje pensioniti ish ushtarak qe arritjen me te madhe e ka pas ne shkollen ushtarake skenderbej!

  3. Po le t’ja heqin me ligj te drejtat parlamentare dhe t’ia ngarkoj Spakut.

    Spaku te merret dhe me tha te thashe, me rrahu nuk me rrahu.

    Por nuk mund te shkelesh kushtetuten sipas qejfit.

    Keta e kane bere kushtetuten paçavure.

    Mire hajdut, por nuk kane piken e turpit e pergjegjshmerise.

  4. Përderisa është praktikë ndërkombëtare e të gjitha vendeve demokratike dhe se në kushtetutën tonë legjitimohet duhet të ngrihen. Refuzimi që i bën mazhoranca rilindasve sështë gjë tjetër një veprim arbitrar e denjë për diktaturë.

    1. O Gimo me dukesh si kukull e lali erit , nga ata qe presin fundin e piktorit. Po te jap nje keshille , nqs zografi do te fundoset lali i fiqve do te qerrohet direkt mbas tij. Kshu qe beni kujdes me zgjedhjet tuaja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *