• |
ide | kryesore

Lajçak në Kosovë, takohet me zëvendëskryeministrin: U pajtuam për hapat e ardhshëm drejt normalizimit

Lajme, Të fundit



I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak po qëndron për vizitë në Kosovë. Në platformën “X” ai shkroi se me autoritetet e Kosovës ka një pajtim për hapat e ardhshëm në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Lajçak, i cili erdhi mbrëmë vonë në Prishtinë, u takua me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi që njëherësh është edhe kryenegociator i Kosovës në dialog.

“Sapo u takova me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, për të diskutuar në vazhdën e takimit të fundit me udhëheqësit europianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Ne u pajtuam edhe për hapat e ardhshëm”, shkroi Lajçak në platformën ‘X’.

Qeveria e Kosovës, përmes në njoftimi pas takimit Bislimi-Lajçak, tha se “është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje të ndërsjellë”, duke shtuar se janë diskutuar “të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit”.

Vizita Lajçakut në Kosovë është në vazhdën e përpjekjeve të vendeve të perëndimit për të shtyrë Kosovën dhe Serbinë, për të zbatuar marrëveshjen e arritur gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër të Maqedonisë së veriut. Udhëheqësit e shteteve më të fuqishme evropiane, kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, presidenti i Francës, Emannuel Macron dhe kryeministrja e Italisë, Georgina Meloni, në një deklaratë të përbashkët kanë thënë se “Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia ta njohë “de fakto” pavarësinë e Kosovës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *