• |
ide | kryesore

CIA e pranon: Puçi që mbështetëm në 1953 në Iran ishte gabim

Arkiva, Dossier
cia



Duke zbardhur hollësi të reja të njërit prej operacioneve më të famshme të CIA-s – tërheqja e fshehtë e gjashtë diplomatëve amerikanë të cilët i shpëtuan kapjes së Ambasadës amerikane më 1979 në Iran – agjencia e inteligjencës ka pranuar për herë të parë diçka tjetër, po ashtu. Zyrtarët e CIA-s e kanë përshkruar si jodemokratik puçin e vitit 1953, i cili e rrëzoi kryeministrin e Iranit dhe i vuri themelet e sundimit të shahut Mohammad Reza Pahlavi.

Zyrtarë të tjerë amerikanë kanë bërë komente të ngjashme në të kaluarën, por CIA e pranoi këtë për herë të par tani gjatë një podkasti për historinë e agjencisë në një kohë kur pjesa më e madhe e historisë zyrtare të puçit mbahet ende e fshehtë edhe 70 vjet pas puçit.

Kjo ia bën më të vështirë publikut ta kuptojë një ngjarje e cila jehon edhe sot, duke qenë se tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit vazhdojnë të jenë të larta, për shkak të programit bërthamor të Republikës Islamike, i cili po përparon me shpejtësi, si dhe për shkak të mbështetjes së grupeve militante në Lindjen e Mesme.

“Lidershipi i CIA-s është i përkushtuar të jetë sa më i hapur për publikun që është e mundur”, tha agjencia në një përgjigje për Associated Press (AP). “Podkasti është pjesë e kësaj përpjekjeje – dhe ne e dinim se, nëse donim ta tregonim këtë histori të jashtëzakonshme, ishte e rëndësishme të tregoheshim transparent për përmbajtjen historike të këtyre ngjarjeve, dhe rolit të CIA-s në të”.

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara e përshkroi për AP-në puçin e vitit 1953 si shënimin e “zanafillës së ndërhyrjes së pashtershme të Amerikës në çështjet e brendshme të Iranit”.

“Ky pranim nga SHBA-ja nuk është kthyer kurrë në kompensim apo përkushtim të mirëfilltë për t’u përmbajtur nga ndërhyrjet e tjera në të ardhmen, e as nuk e ka ndryshuar politikën e saj armiqësore karshi Republikës Islamike të Iranit”, tha misioni iranian.

Podkasti i CIA-s, i quajtur “Dosjet e Langlej”, pasi zyrat e saj janë ndodhen në Langlej, Virxhinia, në dy episodet e fundit u përqendrua në historinë e arratisjes së gjashtë diplomatëve amerikanë. Derisa po fshiheshin në shtëpinë e ambasadorit të Kanadasë në Iran, një ekip i CIA-s i përbërë nga dy burra, u fut në Teheran dhe u ndihmoi atyre të ikin nga Irani derisa pretendonin se ishin pjesë e një ekipi të filmit që merrte informacione për një film fantastiko-shkencor.

Kjo histori, e rrëfyer në filmin “Argo” të regjisorit Ben Affleck, i cili luajti rolin kryesor, po ashtu, ofroi një version të dramatizuar të operacionit të CIA-s, me Affleckun që e luajti oficerin e ndjerë të CIA-s “Tony” Mendez. Podkasti për herë të parë e identifikon oficerin e dytë të CIA-s, i cili e shoqëroi Mendezin, si Ed Johnson. Në të kaluarën, ai njihej publikisht vetëm me pseudonimin “Julio”.

“Të punosh me këta gjashtë persona, ata ishin fillestarë”, kujton Johnson në një intervistë që u transmetua në podkast. “Ata ishin njerëz të cilët nuk ishin të trajnuar për t’i gënjyer autoritetet. Ata nuk ishin trajnuar për të qenë të fshehtë dhe të pakapshëm”.

Por, në podkast, një bisedë tjetër e shkurtër përqendrohet në puçin e 1953-ës. Në të, zëdhënësi i CIA-s dhe udhëheqësi i podkastit, Walter Trosin, citon pretendimet e historianëve të agjencisë se shumica e aktiviteteve të fshehta të CIA-s në historinë e saj i “përforcuan” qeveritë e zgjedhura nga populli.

“Ne duhet ta pranojmë, megjithatë, se ky është një përjashtim vërtet i madh për atë rol”, tha Trosin për puçin e vitit 1953. Historiani i CIA-s, Brent Geary, u pajtua. “Kjo është një nga përjashtimet”, tha Geary.

Shtatë dekada më vonë, puçi i vitit 1953 mbetet debat i nxehtë sot e asaj dite për Iranin, Qeverinë e tij teokratike, historianët dhe të tjerët. Në televizionin shtetëror iranian u diskutua me orë të tëra për puçin, i cili e rrëzoi kryeministrin Mohammad Mosaddegh, në përvjetorin e tij në qershor.

Në rrëfimin e tyre, një vijë e drejt çon nga puçi deri te Revolucioni Islamik i vitit 1979, i cili e rrëzoi përfundimisht shahun e sëmurë rëndë. Ai ende nxit anti-amerikanizëm i cili ka pasur ndikim të keq në vendimet e marra nga teokracia, qoftë duke e armatosur Rusinë në luftën e saj ndaj Ukrainës, apo duke akuzuar pa prova se Uashingtoni i ndezi protestat e fundit masive, gjithëkombëtare kundër saj.

Nga ana amerikane, përfshirja e CIA-s në puç ishte cilësuar shpejt si sukses i spiunimit në Luftën e Ftohtë, megjithëse historianët kanë debatuar në vitet e fundit se sa shumë ndikim kanë pasur veprimet e agjencisë. Kjo ka bërë, po ashtu, që CIA të kryejë puçe të tjera në vende të tjera, përfshirë në Guatemala, ku veprimi i fshehtë amerikan më 1954 e solli në pushtet një diktator ushtarak dhe e nxiti një luftë civile 40-vjeçare, si pasojë e të cilës u vranë rreth 245.000 njerëz.

Kjo bëri që të ketë rivlerësim politik amerikan të veprimit të CIA-s më 1953 në Iran. Sekretarja e Shtetit e SHBA-së asokohe, Madeleine Albright e pranoi “rolin e rëndësishëm” të CIA-s në puç në vitin 2000. Presidenti Barack Obama, duke folur në Kajro më 2009, e përshkroi veprimin e CIA-s si diçka që çoi “në rënien e Qeverisë së Iranit të zgjedhur në mënyrë demokratike”.

Por, kjo temë nuk ishte diskutuar nga vetë CIA. Pas shumë viteve të versioneve kontradiktore të puçit në publik dhe në dokumente të klasifikuara, një anëtar i ekipit të historianëve të CIA-s shkroi për operacionin në një gazetë në vitin 1998, me titullin “Zenedebad, Shah!”, në gjuhën farsi – apo në shqip: “Rroftë Shahu!”

Për ta koklavitur edhe më shumë çfarëdo vlerësimi historik, CIA e pranoi vetë se shumë dosje në lidhje me puçin e vitit 1953 janë shkatërruar në vitet ’60.

“Është gabim të sugjerosh se operacioni i puçit është deklasifikuar plotësisht. Pjesë të rëndësishme të regjistrave ende mbahen fshehtë, gjë që vetëm sa e shton hutinë publike dhe nxit mitet për rolin e SHBA-së shumë kohë pasi ndodhi”, tha Malcom Byrne nga Arkivi Kombëtar i Sigurisë. /Euronews Albania, AP



3 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *