• |
ide | kryesore

Ukraina has në vështirësi në “fazën e re” të luftës

Lajme, Të fundit



“Është sikur një gangrenë e cila ka nevojë për mjekim të vazhdueshëm, sepse ndryshe përkeqësohet dhe përhapet”, kështu e përshkruan gjendjen e luftimeve në lindje të Ukrainës Volodymyri, një kirurg në Avdivka, qytetin industrial të Donbasit, i cili është duke u sulmuar pareshtur nga ushtria ruse prej fillimit të tetorit. Ekipi i mjekëve, të cilët filluan të punojnë këtu pak pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, e mbajnë një kontejner për plumbat dhe copëzat të cilat i nxjerrin nga trupat e ushtarëve të plagosur.

Prej se Rusia e nisi ofensivën e re në përpjekje për ta rrethuar dhe kapur qytetin strategjik, numri i plagosurve që janë sjell këtu është rritur – nganjëherë sillen disa dhjetëra ushtarë të lënduar rëndë brenda një dite. Me afrimin e një dimri tjetër dhe hyrjen e pushtimit rus në vitin e dytë – në një kohë kur e ardhmja e ndihmave ushtarake dhe ekonomike nga Perëndimi për Kievin është e pasigurt për shkak të mosmarrëveshjeve politike, posaçërisht në Shtetet e Bashkuara, lufta në Ukrainë duket kështu.

Megjithëse është shënuar pak përparim, kundërofensiva e madhe e nisur nga Kievi para gjashtë muajve nuk e ka arritur synimin për ta thyer “urën tokësore” që shtrihet përgjatë Ukrainës jugore, nga Donbasi deri në Krimea, gadishullin e Detit të Zi i cili u kap në vitin 2014 dhe shënoi fillimin e grabitjes së gjatë dhe të vazhdueshme të tokës nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Në vend se t’i zmbrapsin forcat ruse matanë kufirit, ushtarët ukrainas përballen me të vërtetën e vështirë të luftës pozicionale – “një sëmundje e përgjakshme me të cilën jemi mësuar”, tha Volodymyr.

“Do ta vazhdojmë luftën”
Duke e dhënë qëndrimin e vet për kundërofensivën, komandanti i lartë i ushtrisë së Ukrainës tha se nuk do të ketë “depërtim të shpejtë dhe të bukur”. Lufta ka hasur në një “ngecje”, tha gjenerali Valeriy Zaluzhniy për The Economist. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i kundërshtoi fjalët e komandantit të lartë, duke thënë se nuk ka ngecje. Por, më 1 dhjetor, ai tha se lufta është futur në një “fazë të re”. Kur dimri po troket në dyert e Donbasit, ushtarët ukrainas janë të vendosur ta mbrojnë vijën e frontit – e cila, në disa raste, nuk është shumë larg nga se ç’ishte kur Rusia e nisi pushtimin, pas gati tetë vjetëve luftimesh në rajon.

“Nëse Avdivka bie, atëherë bie”, tha Maksym, një ushtar 28 vjeç në këtë rajon, “por ne do të vazhdojmë të luftojmë”. Maksym iu bashkua një njësie të quajtur Bataloni Aidar më 2014, kur Rusia e nisi luftën në Donbas, dhe e fitoi përvojën e parë në luftë në qendrën industriale në periferinë juglindore të Avdivkës – pikërisht në vendin ku po zhvillohet tani luftimet e ashpra.

Ai tha për REL-in se i ka humbur shumë bashkëluftëtarë gjatë konfliktit gati njëdekadësh dhe se është prekur nga fotografitë dhe videot të cilat shfaqin torturën që ushtarët e kapur ukrainas e përjetojnë nga trupat ruse, siç është rasti i raportuar së fundmi i një ushtari ukrainas me emrin Serhiy, të cilit i ishte gdhendur në ballë një svastika naziste. “A jam i lodhur? Jo, në asnjë mënyrë i lodhur”, tha Maksym derisa voziti drejt pozicioneve të njësisë së tij. “Dua një kokë [ruse] për secilën kokë [ukrainase] dhe pastaj një tjetër”.

Humbja e Avdivkës do t’ia mundësonte Putinit një fitore simbolike para zgjedhjeve presidenciale në Rusi në mars dhe do ta privonte Ukrainën nga një element i rëndësishëm i mbrojtjes së saj. Po ashtu, do ta forconte edhe argumentin e skeptikëve në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, të cilët e kundërshtojnë dhënien e ndihmave shtesë për Ukrainën. Ka një arsye pse diskutimet për një strategjie të re lufte po avancojnë në Ukrainë. Më 28 nëntor, Zelensky njoftoi planet për ndërtimin e shpejtë të një rrjeti të gjerë të fortifikatave në vijën kryesore të mbrojtjes në Donbas, si dhe në zonat tjerë në kufi me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Në përpjekjet e tyre të egra përreth Avdivkës, forcat ruse po i kombinojnë sulmet frontale me kolona tankesh dhe transportues të blinduar personeli – deri tani, tri sulme të tilla ishin të padobishme – ndërsa taktika për të shënuar përparim është bazuar në sulme me këmbësori, artileri dhe dronë. Forcat ruse kanë përparësi numerike dhe sulmi i tyre në Avdivka pasqyron sulmin e tyre të tejzgjatur në Bahmut, një qytet më thellë në veri, i cili ra në maj pas shumë muajve luftimesh të ashpra. Rusia dërgon ish të burgosur dhe ushtarë të tjerë të papërvojë për të kryer, siç i quajnë ukrainasit, “sulme mishi” – sulme të pakujdesshme me qëllim për ta lodhur këmbësorinë ukrainase – para se t’i dërgojë forcat elitare në betejë. Njësitë ukrainase të artilerisë hasin në vështirësi për t’i bërë ballë zjarrit rus, për shkak të mungesës së madhe të predhave, tha Antoni për REL-in, në njërën nga njësitë e artilerisë të vendosura në këtë zonë.



5 Comments

  1. ukraina eshte ne prag falimentimi o te mjere, po luftojne pleqet dhe femijet dhe grate tani.
    shume shpejt shpallet kapitullimi

  2. Kur thua po falimenton Ukraina e ke të faktuar vetë 10:17? Në luftë ka vështirësi dhe humbje jete po që po luftojnë pleqtë është një fantazi e jotja. Është Rusia që po humb përditë nga 900 deri 1100 ushtarë.E të mos flasim për mjetet e motorizuar. Dhe ti mendon që gjithë blloku perëndimor i vendeve të lira, NATO do t’a lejnë të falimentojë Ukrainën. Duhet të informohesh më tepër dhe mos të bësh deklarata që vetëm filorusët i bëjnë. Duket që dhe historinë Ukrainase nuk e njeh fare!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *