• |
ide | kryesore

Ligji i ashpër i Teksasit kundër abortit dhe paqartësitë mbi përjashtimet

Lajme, Të fundit



Gratë që kërkojnë abort në shtetin e Teksasit po përballen me opinione juridike kontradiktore, se kush kualifikohet për të kryer një të tillë sipas ligjit, bazuar në arsye mjekësore. Po kështu në disa raste ka paqartësi dhe mbi atë se çfarë shërbimesh ofrojnë disa klinika. Pasi Gjykata e Lartë në vitin 2022 rrëzoi mbrojtjen kushtetuese që gëzonte e drejta për abort, duke përmbysur vendimin historik të ashtuquajtur ‘Roe kundër Wade’, Teksasi miratoi një ndalim pothuajse total të abortit në këtë shtet.

Kur Kate Cox, një nënë nga Teksasi mësoi se fetusi i saj kishte një anomali fatale, ajo ngriti një padi për të siguruar një mundësi për të abortuar, nisur nga arsye mjekësore.

Por Gjykata e Lartë e Teksasit vendosi se ajo nuk kualifikohej për përjashtim, duke shtuar paqartësitë mbi këtë çështje.

Autumn Keizer zëdhënëse e ‘Planned Parenthood’, (Planifikimit Familjar) një organizate jofitimprurës e kujdesit shëndetësor riprodhues dhe seksual, thotë se ligjet e Teksasit janë të paqarta, veçanërisht për mjekët, të cilët mund të përballen me 99 vjet burg nëse nuk e zbatojnë atë.

“Ligjet në Teksas, tani për tani, nuk kanë si qëllim individin që kërkon shërbime aborti. Pasojat janë për ata që ofrojnë këto shërbime dhe njerëzit që ndihmojnë ata që kërkojnë të kryejnë abort”, thotë ajo.

Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit Ken Paxton nuk iu përgjigj kërkesave për koment të Zërit të Amerikës mbi ligjin e këtij shteti mbi abortin.

Zonja Keizer thotë se shumë nga klinikat që ofrojnë shërbime të kujdesit shëndetësor në Teksas kanë frikë të flasin për këtë çështje.

Shtetet filluan të bëjnë ligjet e tyre pasi Gjykata e Lartë hodhi poshtë mburojën kushtetuese që kishte e drejta për abort, me një vendim të vitit 2022.

Zonja Cox u detyrua të shkojë në një tjetër shtet për të kryer abort. Zonja Keizer thotë se paqartësitë në Teksas i shtojnë ato që quhen “qendrat e shtatzënisë apo krizës”, gjithsej 200 të tilla.

Shoqata Mjekësore Amerikane i përshkruan ato si “organizata që gjurmojnë gratë me shtatzani të paplanifikuara, e që mund të mendojnë për të kryer abort”.

Drejtori Ekzekutiv i qendrës Aleanca për Jetën, Joe Pojman thotë se gratë mund të përfitojnë shumë prej këtyre qendrave.

“Qëllimi ynë është të krijojmë një shoqëri të tillë që asnjë grua të mos mendonte që të kryente abort. Qe asnjë të mos ndihej se nuk ka alternativa. Ne ofrojmë alternativa të gjera”, thotë ai.

“Ne u nënshkruajmë dokumentin që vërteton se janë shtatzënë dhe i ndjekim në procesin e sigurimit shëndetësor përmes shtetit. Hapi tjetër që ne i ofrojmë dikujt është një ekografi që vërteton se brenda mitrës ndodhet një fëmijë”, thotë ajo.

Por disa klientë të këtyre qendrave përdorën platformën Yelp në internet, për të shkruar se kishin zgjedhur gabimisht shërbimet e këtyre qendrave duke menduar se ofronin shërbime për abort.

Prej atij momenti, në reklamimin që u bën këtyre qendrave Yelp shtoi dhe një nënshkrim ku thuhej se qendrat e shtatzënisë apo krizës, nuk ofrojnë aborte apo rekormandime për klinika aborti.

Pas kësaj shteti i Teksasit paditi kompaninë Yelp lidhur me atë që prokurori i përgjithshëm e cilësoi “një përshkrim të rremë dhe të pasaktë”. Nga ana tjetër Yelp-i ngriti një padi ndaj shtetit të Teksasit lidhur me atë që kompania e konsideron si shkelje të së drejtës për t’u shprehur.

Ndërkohë zonja Cox dhe më shumë se 20 gra janë pjesë e një procesi gjyqësor në vazhdim që sfidon ligjet e shtetit për abortin për shtatzënitë komplekse.

Zonja Keizer e organizatës për Planifikim Familjar thotë se asnjë nga këto nuk është befasuese.

“Këto padi të thyejnë zemrën, janë diçka e tmerrshme e tragjike dhe rezultat i qartë i asaj që ndodh, kur mjekët ndalohen të bëjnë punën e tyre”, thotë ajo.

Ajo shton se në kushtet e një gjendje të rëndë të kujdesit prenatal në Teksas si dhe përpjekjeve të shtetit për të eliminuar financimin për shoqatat e planifikimit familjar, e vërteta është se qendrat burimore të shtatzënisë apo të krizës si njihen, mund të jenë opsioni i vetëm i kujdesit shëndetësor për gratë në Teksas.

“Kur je në një situatë si kjo në të cilën ndodhemi ne në Teksas, pa burime, pa mundësi kujdesi shëndetësor, e shumë kilometra larg nga një klinikë e respektuar apo e besuar e kujdesit shëndetësor, që unë t’u them: “mos shkoni tek këto qendra është një vendim i vështirë për t’u marrë”, thotë ajo./VOA



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *