• |
ide | kryesore

Lamtumirë Gigi Riva, Italia përlotet për ‘Gjëmimin e Bubullimës’: “Nuk e prisnim që situata të degjeneronte”

Sport
Gigi Riva



Bota e futbollit mban zi për legjendën Gigi Riva, i cila u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare. Ai ishte i shtruar që prej ditës së djeshme në departamentin e Kardiologjisë të spitalit Brotzu në Cagliari pas një sëmundjeje. Gjendja e tij duket se u përkeqësua orët e fundit: pasdite ishte lëshuar një buletin mjekësor ku thuhej se “pacienti është i qetë dhe gjendja e tij e përgjithshme stabël”. Presidenti i Nderit i Cagliarit, 79 vjeçari Gjëmimi i Bubullimës, ishte nderuar së fundmi nga Bashkia e Cagliarit, e cila kishte vendosur të emëronte stadiumin e klubit kuqeblu me të cilin ishte lidhur gjatë gjithë karrierës së tij, duke fituar edhe titullin historik të vitit 1969 /70.

KUSH ISHTE GIGI RIVA?

I lindur në Leggiuno, një qytet i vogël në liqenin Maggiore, në provincën e Varese, Riva e lidhi karrierën si futbollist dhe jetën e tij me Cagliari dhe Sardenja. Idhulli i padiskutueshëm dhe simboli i një populli krenar, të cilit i dha kampionatin e parë dhe të vetëm të fituar nga skuadra kuqeblu në vitin 1970. Riva është ende golashënuesi më i mirë në historinë e Cagliari me 164 gola. Me kombëtaren italiane ai u shpall kampion Europe në vitin 1968 në Romë, duke shënuar një gol vendimtar për të fituar titullin kontinental në finalen me Jugosllavinë. Ai konfirmoi veten dy vjet më vonë, në Kupën e Botës në Meksikë, duke shënuar një dygolësh në çerekfinale dhe një gol në ‘Ndeshjen e Shekullit’ kundër Gjermanisë, duke e çuar Italinë në finale, të cilën e humbën më pas ndaj Brazilit të Pele.

Me 35 gola në 42 paraqitje ai mban rekordin e shënimit me fanellën azzurre. Riva u rendit i 74-ti në renditjen e futbollistëve më të mirë të shekullit të 20-të të hartuar nga revista Ëorld Soccer. Në vitin 2011 ai u përfshi në Hall of Fame të futbollit italian në mesin e ‘veteranëve’.

Pasi braktisi futbollin, Riva vazhdoi të jetonte në Cagliari, duke hapur një shkollë futbolli që mban emrin e tij. Në mesin e viteve 80 ishte president i Cagliarit për një periudhë të shkurtër. Më pas nga viti 1990 ishte drejtues dhe në fund team manager i ekipit kombëtar deri në vitin 2013. Që nga viti 2019 ai është bërë president nderi i Cagliarit.

MJEKËT E SPITALIT: “NUK E PRISNIM QË SITUATA TË DEGJENERONTE KAQ SHPEJT”

“Gigi Riva mbërriti në spitalin Brotzu në Cagliari rreth orës 3 të mëngjesit, gjendja e tij u shfaq menjëherë e rëndë, për shkak të një patologjie në koronare”. Kështu, mjekët e spitalit në një konferencë për shtyp vunë në dukje se kishin vizituar Gjëmimin e Bubullimës që ishte “stabilizuar”. Ata i sugjeruan që t’i nënshtrohej një operacioni angioplastike pas koronografisë së kryer në orën 10 të mëngjesit. “Riva – raporton drejtori mjekësor i Brotzu në Cagliari Raimondo Pinna – refuzoi, duke thënë se kishte frikë, se donte të mendonte për këtë dhe se donte të konsultohej me familjen e tij. Në orën 17:50 ai pësoi arrest kardiak dhe u dërgua me nxituan në sallën operatore. Vdekja ndodhi në orën 19.10. Pavarësisht situatës delikate, nuk prisnim që situata të degjeneronte kaq shpejt”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *