• |
ide | kryesore

Çmimet e energjisë kanë rënë ndjeshëm, por TEC-et lundrues drejt vënies në punë

Arkiva, Lajme, Të fundit



Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) duket se po shkon drejt vënies në punë të dy TEC-ve termikë lundrues të cilët prej një viti e gjysmë ndodhen në Triport të Vlorës.

Një njoftim i fundit në faqen e KESH ka bërë të ditur çeljen e procedurës “Furnizimi në vend me lëndë djegëse i Termocentraleve Lundruese, Tripot, Vlorë” ku operatorët e interesuar duhet të paraqesin ofertat e tyre për lëndën djegëse jo më vonë se data 9 shkurt 2024.

Referuar aneksit 3 që shoqëron procedurën bëhet me dije se sasia e prokuruar do të jetë 4000 tonë metrikë. Kjo sasi sipas dokumentit do të ketë një disponueshmëri dorëzimi 3 muaj nga data e dorëzimit të ngarkesës së parë. Sipas një parashikimi në këtë aneks ngarkesa e parë e dorëzuar do të jetë rreth 1200 tonë metrikë në ditën e parë, në 1000 tonë metrikë në ditën e 21 dhe 1800 tonë metrikë në ditën e 42.

“Dorëzimi maksimal ditor – Për rakordim me operuesin / gatishmëri 24 orë

Dorëzimi maksimal ne vend; -2 autobote 40 tonësh njëkohësisht, 7m3 /ore

Shënim: Skedulit të mësipërm është paraqitur për reference orientuese, si rasti më optimal i mundshëm. Afati kontraktual i dorëzimit do të jetë “Periudha e disponueshmërisë së dorëzimit’ (3 muaj nga data e dorëzimit të Ngarkesës-I” thuhet në sqarimin e KESH.

Tek kriteret e kualifikimit përcaktohet se dita e parë e dorëzimit do të negociohet dhe përcaktohet në kontratë por jo më vonë se java e parë e muajit mars.

Termat e tenderit

Në termat e referencës së procedurës KESH përcakton kushtet që duhet të përmbushë lënda djegëse e cila do të përdoret për gjeneruesit termikë.

“Për qëllime të funksionimit, këto asete termike kanë nevojën e furnizimit me lëndë djegëse të llojit HFO, përcaktuar në bazë të specifikimeve teknike dhe në referencë të ISO 8217, si ISO RME, me përmbajtje të squfurit jo më të madhe se 0.5%, si dhe sasi të vogla të lëndës djegëse hidrokarbure LFO” thuhet në dokument.

Të njëjtat specifikojnë se në fazën kur asetet lundruese janë vendosur në vendin përfundimtar ku janë ankoruar me tokën dhe kanë përfunduar proceset instalatore për trupëzimin e tyre me infrastrukturën energjitike të vendit, nga ana e shoqërisë bëhet e nevojshme furnizimi e këtyre aseteve gjeneruese me lëndën djegëse të nevojshme gjatë fazës së komisionimit të tyre. Për këtë arsye, nga ana e shoqërisë evidentohet se për qëllime të furnizimit, nevoja për shërbimin që do të prokurohet është si më poshtë: Furnizimi në vend me lëndë djegëse i asetit.

“Asetet lundruese kanë kapacitete të menaxhimit dhe ruajtjes së lëndës djegëse në një total prej rreth 1,000 (një mijë) ton lëndë djegëse. Konsumi i parashikuar i lëndës djegëse për 1 MWh është rreth 229 Kg që do të thotë se, në rastin e shfrytëzimit me kapacitet të plotë të impiantit, nevoja për furnizim është rreth 500 ton lëndë djegëse në ditë, pasi sasia prej rreth 500 ton të tjera do të shërbejë si rezervë kontigjence për garantimin e vijueshmërisë së prodhimit. Në kuadër të kësaj procedure, furnizimi me lëndë djegëse është parashikuar në përputhje me nevojën e furnizimit për periudhën e komisionimit dhe testimit te asetit termik lundrues” thuhet në termat e KESH.

Çmimet në bursa bien në rreth 100 euro/MW, nga 290 euuro/Mw kur u morën TEC-et

Asetet gjeneruese termike u morën si një masë në vitin 2022 në kushtet e krizës së energjisë. Procedura u shpall në fund të vitit 2021 por vetëm në muajin Prill 2022, u nënshkrua mes palëve (Exelerate dhe Renco & KESH sh.a) . Në muajin Shtator 2022, në zonën e Triportit, pranë Petroliferas, u vendosën asetet lundruese.

Këto asete nuk janë vendosur asnjëherë në punë ndërkohë që kostoja e 1 MW energji të prodhuar në fillim të vitit 2023 llogaritej mbi 290 euro. Kjo kosto është dukshëm më e lartë se kostoja që sot energjia mund të blihet në bursë ku çmimet edhe pse nuk kanë kaluar në nivelin e parakrizës janë ulur ndjeshëm, duke u tregtuar mesatarisht me 100 euro/MW./Monitor



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *