• |
ide | kryesore

Beteja për Stambollin/ Votimi i qytetit që mund të vendosë fatin e Turqisë

Arkiva, Lajme, Të fundit



Pas fitores së tij të rëndësishme në zgjedhje vitin e kaluar, Rexhep Taip Erdogan e bëri të qartë se synimi i tij ishte fuqizimi ekonomik dhe politik i Turqisë.

“A jemi gati të rifitojmë Stambollin?” pyeti audiencën e tij të zhurmshme udhëheqësi veteran teksa festonte triumfin e tij në garën presidenciale të vendit në maj të 2023. “Ne filluam me Stambollin dhe do të vazhdojmë me Stambollin” thirri ai.

Gara presidenciale e vitit të kaluar ishte shkatërruese për opozitën laike të Turqisë, e cila e kishte parë votimin si shansin më të mirë për të larguar Erdoganin në pushtet që nga viti 2003.

Zgjedhjet e kësaj të diele në Stamboll, të cilat vijnë në të njëjtën ditë me votat rajonale dhe komunale në të gjithë Turqinë, janë një rast që ose të jep dyfishin ose t’i shumëzon të gjitha me zero.

Nëse kandidati i vendosur nga Erdoganit rrëmben metropolin më të rëndësishëm të vendit, ku vetë presidenti nisi karrierën e tij politike, kjo do ta zhbënte bastionin e fundit të opozitës.

Por nëse kryebashkiaku opozitar i Stambollit ruan kontrollin e qytetit, i cili përbën 18 për qind të popullsisë së Turqisë dhe një të tretën e ekonomisë së saj, kjo mund t’i sigurojë atij një hap drejt pushtetit kombëtar.

Sipas sondazheve, shpesh jo të besueshme të Turqisë, gara duket të jetë e ngushtë. Sondazhet e fundit i japin Partisë Popullore Republikane opozitare një epërsi që varion nga nëntë pikë dhe deri në një pikë. Një tjetër sondazh i dha një avantazh të vogël me një pikë për AKP-në e Erdoganit.

Zgjedhjet do të vendosin nëse Erdogan do të thellojë dhe konsolidojë sundimin e tij autokratik me orientim islamik, apo nëse do të ekzistojnë edhe një rrugë tjetër për Turqinë.

Drejt fitores së Turqisë

Për Selin Nasin, një bashkëpunëtore në Institutin Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës, “Stambolli nuk është vetëm qendra tregtare dhe ekonomike e Turqisë, por edhe zemra kulturore dhe intelektuale e vendit … një mikrokozmos i Turqisë”.

Si rezultat, tha ajo, “fitorja e Stambollit konsiderohet fitore e Turqisë” – pjesërisht për shkak të ndikimit ekonomik që vjen me kontrollin e buxhetit të qytetit dhe pjesërisht për shkak të “rëndësisë së tij të thellë simbolike” për vetë Erdoganin, i cili filloi karrierë me një fitore të papritur në zgjedhjet për kryebashkiak të qytetit pikërisht 30 vjet më parë.

Këto lidhje janë ndër arsyet që Erdogani u mahnit aq shumë nga triumfi në garën e fundit për kryetar bashkie të kandidatit të Partisë Popullore Republikane Ekrem İmamoğlu – një politikan opozitar që, për disa, ka arritur të transformohet në një superstar të politikës turke.

Në të vërtetë, AKP-ja ishte aq e tronditur nga fitorja tronditëse e İmamoğlu në Stamboll në vitin 2019, saqë organizoi përsëritjen e votimit – por humbi sërish. Mbetet një nga humbjet më të turpshme të partisë në pushtet deri më sot.

Pesë vjet më vonë, Erdogan po përpiqet t’i japë një goditje të fortë rivalit të tij më të ri – dhe bashkë me të edhe opozitës së ashpër të Turqisë.

“Nëse İmamoğlu humbet, opozita laike nuk do të jetë në gjendje të mbledhë forcat e saj, do të jetë në rrëmujë të plotë dhe nuk do të jetë në gjendje të sfidojë bllokun aktual qeverisës dhe konsolidimin e një sistemi gjithnjë e më islamizues dhe autoritar,” tha Soli Özel, një analist i lartë politik në Universitetin Kadir Has në Stamboll.

Özel parashikoi se mund të duhet një dekadë që opozita të rikuperohet nga një disfatë në Stamboll dhe në qytete të tjera të mëdha si Ankaraja.

Anasjelltas, nëse İmamoğlu triumfon, ai do të shkëlqejë me reputacionin e tij si i vetmi politikan në çerek-shekullin e fundit që ka qenë në gjendje të mundë Erdoganin – dhe ndoshta të marrë rrugën drejt pushtetit kombëtar.

“Nëse İmamoğlu fiton përsëri, kjo do të ishte fitorja e tij e tretë kundër Erdoganit – pas kësaj ai do të shkonte drejt presidencës”, tha për POLITICO një politikan nga Partia Popullore Republikane e İmamoğlu, në kushte anonimiteti.

“Erdoğan e sheh këtë dhe ai dëshiron ta ndalojë”.

Për të përfaqësuar AKP-në në këtë garë përcaktuese, Erdogan ka shfrytëzuar Murat Kurum, një ish-ministër i mjedisit dhe më parë një nga njerëzit kryesorë të qeverisë në përgjigjen ndaj tërmeteve të shkurtit 2023 në Turqi që vranë më shumë se 50,000 persona.

Kritikët thanë se qeveria u tregua shumë e ngadaltë për t’iu përgjigjur asaj fatkeqësie; Erdogan dhe Kurum thonë se ata u përpoqën të rindërtojnë atë që u shkatërrua.

“Zgjedhjet e fatit”

Presidenti nuk është shmangur nga fushata për kandidatin e tij, duke i bërë thirrje elektoratit të Stambollit të ndëshkojë opozitën për paaftësinë e tyre të pretenduar dhe dështimin për të ndërtuar infrastrukturën e qytetit. “Le t’u japim atyre mësimin që meritojnë më 31 mars,” deklaroi ai në një tubim në Stamboll këtë muaj, ndërsa i përshkroi garat e së dielës si një “gjykim” dhe “zgjedhje të fatit”.

Presidenti është investuar me të gjithë peshën e tij politike në garë, duke dërguar jo më pak se 17 ministra të qeverisë në fushatën për Stambollin.

Shumë komentues parashikojnë se Erdogan do të përdorë një fitore në votimet e së dielës, e cila do të përcaktohet nga burimet ekonomike në qytete dhe rajone në të gjithë vendin, si një pikënisje për të ndryshuar kushtetutën në mënyrë që ai të zgjasë më tej pushtetin e tij si president.

Si kryebashkiak i Stambollit dhe kreu i opozitës, İmamoğlu është padyshim pengesa kryesore për ndryshimin e kushtetutës nga Erdogan për të zgjatur sundimin e tij.

Roli i kryetarit të bashkisë është rritur nga kaosi në radhët e opozitës. Pas humbjes së saj në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, një aleancë shumëpartiake u shemb dhe ish-udhëheqësi i Partisë Popullore Republikane Kemal Kılıçdaroğlu u detyrua të largohej.

Por İmamoğlu mohon se ai ka plane për presidencën.

I pyetur për ambiciet e tij nga POLITICO, İmamoğlu tha në një deklaratë përmes këshilltarit të tij: “Menaxhimi i Stambollit është një detyrë e shenjtë … Asnjë çështje tjetër nuk është në axhendën time tani.”

İmamoğlu tashmë po lufton me padi tgjyqësore nga qeveria që synojnë ta skualifikojnë atë nga postet publike për shkak të komenteve gjoja fyese që ai bëri për zyrtarët, që anuluan zgjedhjen e tij fillestare si kryetar bashkie.

Por, ndërsa ai ngërthehet për betejë mbi një megaqytet që mund të përcaktojë të ardhmen e vendit të tij, İmamoğlu lëshoi një notë sfiduese.

I pyetur se çfarë do të bëjë nëse humbet nga forcat e Erdoganit, ai tha: “Nuk e bazoj planin tim të karrierës në dështim”./Përshtati nga Politico, Lapsi.al



1 Comment

  1. njëri nga zëvendësit e Non-Gratës na premton se “pas një viti Shqipëria do të jetë e lirë dhe demokratike”, domethënë kur të kthehet në pushtet “minuesi i demokracisë”, “armiku i shtypit të lirë”, “regjimi i gangsterëve”, “ordineri i rrezikshëm” dhe të tjera përcaktime për Sali Berishën të bëra nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe shtypi më prestigjioz i vendeve të Bashkimit Evropian.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *